Në vitin 2019 Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e 6-të të jashtëzakonshme për pasojat e tërmetit deklaroi se asnjë lekë nga buxheti i 2020-ës “nuk do të shkonte për makina dhe dollapë”, duke ironizuar se kryetarët e Bashkive mund të lëviznin me kuaj. Por nisur nga të dhënat e grumbulluara nga Faktoje për 27 bashki rezulton që, për vitin 2020 të janë shpenzuar në total 5.1 milionë lekë , vetëm për mobilim të zyrave. Por krahas bashkive, shpenzime për mobilim të zyrave kanë bërë edhe disa ministri dhe institucione të tjera. Referuar pagesave të thesarit, në total, vetëm për blerjen e mobiljeve apo pikturave të zyrave (për të gjitha institucionet e shtetit) në vitin 2020 janë paguar 330 milion lekë.
———————————————–
“Në vitin e ardhshëm nuk do blihet asnjë makinë, nuk do të pajiset asnjë zyrë, nuk do të bëhet asgjë nga ato që kanë qenë rutina e përvitshme dhe do të bllokohen të gjitha blerjet e makinave, dollapeve, kolltuqeve, tavolinave, televizorëve dhe të gjithë me radhë në të gjitha bashkitë e vendit. Asnjë shpenzim për këtë punë. Kush do të jetë keq për një makinë, të gjejë një kalë edhe nuk ka problem”.
Këto ishin fjalët e kreut të qeverisë Edi Rama në vitin 2019, gjatë mbledhjes e 6-të të jashtëzakonshme për pasojat e tërmetit deklaroi se asnjë lek nga buxheti i 2020-ës “nuk do të shkonte për makina dhe dollapë”, duke ironizuar se kryetarët e Bashkive mund të lëviznin me kuaj.
Pavarësisht vështirësive të rimëkëmbjes dhe lockdown-it total për shkak pandemisë së COVID-19, shpenzimet për mobilime të zyrave jo vetëm nuk kanë munguar, por buxheti ka qenë mjaft bujar në këtë zë. Referuar pagesave të thesarit, në total, vetëm për blerjen e mobiljeve apo pikturave të zyrave (për të gjitha institucionet e shtetit) në vitin 2020 janë paguar 330 milion lekë.
“Kërcënimi” i Kryeministrit Rama për të reduktuar këto shpenzimi luksi nuk e ndaloi bashkinë e Poliçanit, Gjirokastrës, Dibrës dhe Kamzës të “arredohen”. Në fund të vitit 2020 këto bashki kanë shpenzuar një total prej 4,021,320 lekë vetëm për sa i përket mobilimit të zyrave.
Faktoje dërgoi kërkesa për informacion në 61 bashki të vendit, nga të cilat vetëm 27 kthyen përgjigjje.
*Kërkesa për informacion e dërguar në 61 bashki
Bashki të vogla, por me zyra moderne
Pavarësisht se janë bashki të vogla, Devolli, Poliçani dhe Dibra nuk i kanë kursyer lekët për mobilje të reja zyre. Më konkretisht, bashkia Dibër vetëm në vitin 2020 ka shpenzuar 2 milionë lekë për mobilimin e zyrave të saj.
*Shpenzimet nga bashkia Dibër
Bashkia e Devollit po ashtu nuk e ka “frenuar” veten për të blerë orendi zyre që kapin vlerën e 881.760 lekë, për vitin 2020.
Bashkia e Gjirokastrës po ashtu ka shpezuar për mobilim zyrash.
*Të dhëna nga bashkia Gjirokastër për Faktoje.al
Ndërsa më poshtë gjejmë edhe shpenzimet e bashkisë Poliçan, e cila edhe pse një bashki e me buxhet të vogël, nuk ka nguruar të arredojë zyrat për vitin 2020.
*Të dhëna nga bashkia Poliçan për Faktoje.al
Kamza është një tjetër bashki, e cila nuk ka ngurruar të shpenzojë 1 milion lekë për vitin 2020 në zëra mobilimi.
*Të dhëna nga bashkia Kamëz për Faktoje.al
Si më poshtë paraqiten edhe në shpërndarje grafike shpenzimet e bashkive përkatëse për mobilimin e zyrave në vitin 2020.
*Grafik me të dhënat mbi shpenzimet për mobilim zyrash nga secila bashki
Nisur nga të dhënat e grumbulluara nga bashkitë e mësipërme rezulton që për vitin 2020 të janë shpenzuar në total 5,857,560 milionë lekë vetëm për mobilim të zyrave.
Agron Haxhimali, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, e konsideron të padrejtë harxhimin e parasë publike në këtë mënyrë. Sipas tij, ajo nuk po orientohet atje ka janë nevojat reale, por po shkon vetëm për të përmirësuar pozitën e një grupi të caktuar: që në këtë rast janë drejtuesit lokalë.
“Objektivi është që paratë publike të shpenzohen për qëllime të përgjithshme dhe duhet të promovojnë mirëqenien sociale. Shpenzimet publike duhet të rezultojnë në rritjen e prodhimit, eliminimin e pabarazisë dhe promovimin e mirëqenies së të gjithëve dhe nuk duhet të shpenzohet vetëm për të mirën e një grupi të caktuar të shoqërisë”, – pohon ai.
As institucionet qendrore nuk kursehen për mobilje
As institucionet qendrore nuk kursehen kur vjen puna tek mobiljet e zyrave, apo kancelaria. Ministria e Mbrojtjes, e cila fill një vit pas tragjedisë së tërmetit, ka shpenzuar 6,784,960 milionë lek për mobilimin e zyrave.
*Lista e shpenzimeve të Ministrisë së Mbrojties,
Më 16 dhjetor 2019, pra thuajse tre javë pas tërmetit të 26 nëntorit që gjunjëzoi vendin, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara shpalli fituesin e një tenderi të majmë prej 81 mln lekësh, për mobilje të reja zyrash për disa institucione të rëndësishme.
*Pjesë nga tenderi
Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit, Dogana e Tiranës, Departamenti i Administratës Publike, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Arsimit, Drejtoria e Pergjithshme e Policisë së Shtetit dhe Ministria e Brendshme kërkuan blerjen e mobiljeve të reja dhe rinovim për zyrat e tyre.
Edhe pse vendi asokohe ishte futur në një situatë emergjence, nuk u pa e arsyeshme që ky tender të pezullohej, ashtu siç u pezulluan mjaft projekte të rëndësishme.
*Lista e institucioneve
Edlira Gjoni, aktiviste e shoqërisë civile, i konsideron jashtë çdo logjike këto shpenzime, sidomos ato pas tërmetit të 26 nëntorit. E angazhuar personalisht për të ndihmuar dy familje të prekura nga tërmeti, duke u siguruar kontenier dhe ndihmë ligjore për përgatitjen e dokumentacionit për të përfituar nga bonuset e tërmetit, llogaritë i bën me shtëpitë e reja që mund të ishin rindërtuar.
“Është absurde, me 570 milionë lekë për kancelari , mund të ndërtoheshin gati 30 shtëpi 1+1, sipas kostos e kubaturës që vetë qeveria ka llogaritur”, – thotë Gjoni.
“Është e trishtë t’ia shpjegosh këtë logjikë shpenzimi e prioritet në prishjen e parave një vajze të vockël që kujton se njerëzimi fle në plastmas,se në dy dimra jetë që ka ajo, nën ta ka fjetur”, – thotë e zhgënjyer ajo.
Pas tërmetit, me makina të reja
Pavarësisht thirrjes së kryeministrit Rama për të “lëvizur me kuaj” bashkia e Mirditës ka shpenzuar plot 28 milonë për blerje automjeti.
*Lista e shpenzimeve të bashkisë Mirditë për Faktoje.al
Nga ana tjetër bashkitë edhe e Lushnjës, Dibrës dhe Mallakastrës kanë ‘guxuar’ të thyejnë urdhërin e kryeministrit .
*Përgjigjja e mbërritur nga bashkia Lushnje
*Përgjigjja e mbërritur nga bashkia Dibër
*Përgjigjja e mbërritur nga bashkia Mallakastër
Sikurse shihet edhe në përgjigjet zyrtare katër bashkitë në fjalë kanë shpenzuar në total 6.340.800 milionë lek për blerjen e makinave në vitin 2020.
*Grafiku i shpërndarjes së shpenzimeve për makinë nga bashkitë në fjalë
Shpenzimet e luksit për vitin 2020 në nivel ministrish janë jo pak herë të debatuara në publik. Një ndër këto raste është edhe blerja e makinës së ish-ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.
Në shtator të vitit 2020 në disa media qarkulloi informacioni sesi një automjet tip BMW me vlerë rreth 100 milionë euro ishte blerë nga Policia e Shtetit, për llogari të Oficerit të Kontaktit në Ambasadën Shqiptare në Gjermani, por më pas u soll në Shqipëri ku u përdor nga ish-ministri Lleshaj. Përveç parregullsive të konstatuara gjatë procedurës së tenderimit nga KLSH, blerja e këtij automjeti luksoz ngriti pikëpyetje të mëdha për mënyrën se si shpenzohen lekët e buxhetit të shtetit.
Ekspertët
Për Zef Preçi, Drejtor Ekzekutiv i “Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike” përcaktimi i kritereve për shpenzimet administrative ku bëjnë pjesë edhe shpenzimet për mobilje, janë një problem i mbartur dhe konstant i qeverisjes sidomos të pushtetit vendor në Shqipëri.
“Shumë herë KLSH ka konstatuar se të ardhurat publike shpërdorohen në tendera të vegjël dhe në shumë raste bëhet fjalë për tendera fiktivë ku thjesht bëhen letra, por nuk ofrohen shërbimet e kërkuara”, – sqaron ai.
Sa i takon zyrave dhe paisjeve, ai vë gishtin në plagë tek tendenca për rritjen e shpenzimeve administrative.
“Duhet të ketë një ndarje të arsyeshme të shpenzimeve në infrastrukturë lokale.Për fat të keq bashkitë tona duke përfshirë këtu edhe bashkinë e Tiranës kanë tendencë të rrisin shpenzimet administrative, të bëjnë rikonstruksione të vazhdueshme.”
Sipas Preçit, rritja e shpenzimeve të njësive të qeverisjes vendore për mirëmbajtje që përsëritet këto dy tre vite janë tregues i abuzimit me fonde publike dhe dobësinë e institucioneve që bëjnë auditive për këto shpenzime.
Nga ana tjetër, Agron Haxhimali, nga Shoqata e Bashkive konsideron një parim të rëndësishëm të shpenzimeve publike ligjshmërinë e tyre. sipas tij, kjo do të thotë që para se të kryhen, ato duhet të sanksionohen nga ligji, VKM apo VKB. “Në çdo rast duhet bërë analiza rast pas rasti dhe të verfikohen arsytimet mbi këto shpenzime, pasi nevojat e bashkive për kancelari janë domosdoshmëri, po kështu edhe mjetet dhe makineritë për punë. Nuk përjashtoj dhe mobilimin që demostron nevojë për zyra dhe ambiente sa më funsksionale në shërbim të qytetarëve. Por çdo tejkalim ngarkon me përgjegjësi morale dhe ligjiore çdo institucion”, – përfundon Haxhimali.