Pretendimi: Zonja e Parë e ShBA, Melania Trump, i dha një letër presidentit rus Vladimir Putin ku i kërkonte të mos harronte fëmijët e trafikuar nga i biri i ish-presidentit amerikan Joe Biden, Hunter Biden, në Ukrainë.

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————–

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi se, përpara samiti mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara më 15 gusht 2025, Zonja e Parë e ShBA, Melania Trump, i dha presidentit Donald Trump një letër për presidentin rus Vladimir Putin. Në letër pretendohet se shkruhej: “Mos harro fëmijët e trafikuar nga Hunteri në Ukrainë.”

Si zakonisht, ky pretendim nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë që e mbështet atë.

Melania Trump, përgatiti me të vërtetë një letër për Putin, ku iu lut udhëheqësit rus, si një prind, që të mbronte pafajësinë e fëmijëve. Megjithatë, askund në letrën e saj, të botuar edhe në rrjetet e saj sociale, nuk përmenden “fëmijët e trafikuar nga Hunteri në Ukrainë.

Letra nuk iu referua drejtpërdrejt dhjetëra mijëra fëmijëve që janë rrëmbyer dhe deportuar nga Rusia gjatë luftës. Shumë ukrainas i konsiderojnë ndarjet e detyruara si ndër krimet më të dhimbshme të kryera nga Rusia.

Në vitin 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale e akuzoi Putin për krime lufte dhe lëshoi ​​njëurdhër arresti për të, duke e akuzuar si përgjegjësi për rrëmbimet dhe deportimet e fëmijëve. Departamenti amerikan i Shtetit në mars 2025 i dha fund financimit për një databazë që gjurmonte fëmijët e zhdukur.

Të paktën 716 fëmijë ishin vrarë në një territor të kontrolluar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë në shkurt 2022 dhe më shumë se 2 mijë të tjerë janë plagosur, sipas një raporti të lëshuar muajin e kaluar nga Zyra e OKB për të Drejtat e Njeriut. Sipas raportit, më shumë se 730 mijë fëmijë u detyruan të iknin në zona më të sigurta brenda Ukrainës dhe se 1.7 milion të tjerë tani ishin refugjatë si rezultat i luftës.