Pretendimi: Në letrën e fundit të shpikësit Nikola Tesla drejtuar nënës së tij, ai shkroi “Nënë, do të doja të isha praën teje tani, të të sillja një gotë me ujë. Gjithë këto vite në shërbim të njerëzimit nuk më sollën gjë tjetër veçse fyerje dhe poshtërim.”

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————–

Një citat i pretenduar i shpikësit serb Nikola Tesla drejtuar nënës së tij po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse.

Citati, që pretendohet se është pjesë e letrës së fundit që Tesla i shkroi të ëmës, lexon: “Nënë, do të doja të isha pranë teje tani, të të sillja një gotë me ujë. Gjithë këto vite në shërbim të njerëzimit nuk më sollën gjë tjetër veçse fyerje dhe poshtërim.”

Megjithatë, rezultatet e kërkimit të Google në anglisht dhe serbisht tregojnë se citati në fjalë nuk figuronte në internet përpara datës 1 janar 2015.

Një artikull në një blog kroat pretendonte në janar 2015 se sillte “përkthimin e parë në anglisht të letrës së fundit të Nikola Teslës”. Letra e pretenduar u shfaq gjithashtu në një artikull në gjuhën angleze të botuar në mars 2015 nga gazeta serbe Telegraf.rs.

Letra ishte e ndarë në pesë pjesë, dhe pretendohej se ishte gjatë pesë ditëve radhazi, nga 18 nëntori deri më 22 nëntor. Citimi në fjalë gjendet në seksionin e 18 nëntorit:

“Nëna ime e dashur, ndihem i trishtuar dhe i frikësuar kur mendoj për ty. Nuk e di si, por ndjej se nuk je mirë. Do të doja të isha pranë teje tani nënë, për të të sjellë një gotë ujë. Gjithë këto vite që i kisha kaluar në shërbim të njerëzimit nuk më sollën gjë tjetër veç fyerje dhe poshtërim. Sot në mëngjes u zgjova herët, pak para agimit, sepse kisha dëgjuar diçka që e dëgjoja përmes ëndrrave të mia prej shumë kohësh. E dëgjova këtë zë që këndonte ndonjë këngë të bukur, vajtim apo edhe lutje. Kur erdha në vete kuptova se ky zë vinte nga kudo dhe ishte e pamundur të përcaktoja nëse vinte nga brenda. Kam frikë se mos e humb mendjen. Nuk mund t’ia besoj këtë doktor Lionelit, sepse nuk i besoj më. Kam dëgjuar se ai vizitoi zotin Edison dy javë më parë…”

Megjithatë, artikulli i Telegraf.rs përfshinte njoftimin: “E RËNDËSISHME: Autenticiteti i kësaj letre nuk është konfirmuar kurrë…”

Telegraf.rs i referohej si burim një tjetër media, “TV Best”, por asnjë informacion i verifikueshëm për këtë burim nuk ekziston në internet. Një artikull tjetër i vitit 2015 sugjeroi më tej se burimi mund të ketë qenë një faqe tashmë jofunksionale, tvbest.rs.

Në mars të vitit 2015, Telegraf.rs publikoi një korrigjim në serbisht, ku thuhej: “Letra që qarkullon në internet nuk është letra e fundit e Teslës drejtuar nënës së tij”, duke iu referuar një artikulli të botuar nga faqja fakt-verifikuese serbe FakeNews.rs.

Në tetor 2024, kolegët e FakeNews Tragač, publikuan një artikull të titulluar, “Letra e lamtumirës së Teslës drejtuar nënës së tij” është në fakt një grumbull palogjikshmërish”.

Ata theksojnë se “përmbajtja e letrës përbëhet nga palogjikshmëri të shumta që hedhin poshtë drejtpërdrejt kuptimin dhe besueshmërinë e saj”, duke arritur në përfundimin se letra nuk ishte autentike. Për shembull, letra ishte e datuar në nëntor, por i referohej ngjarjeve nga prilli, duke krijuar mospërputhje kronologjike. Për më tepër, letra sugjeronte se Tesla ishte në Amerikë në atë kohë, por të dhënat historike tregojnë se ai ishte në Paris gjatë periudhës në fjalë.
Për më tepër, Muzeu Nikola Tesla në Beograd konfirmoi për FakeNews Tragač se letra e pretenduar nuk kishte “asnjë lidhje me Teslën”.