.

.

BallinaPremtimeLeli me premtime “gjysmake” përballë vlonjatëve

Leli me premtime “gjysmake” përballë vlonjatëve

INVA HASANALIAJ

Dritan Leli është emri i rizgjedhur nga Partia Socialiste për të drejtuar bashkinë e Vlorës edhe për katër vitet që do të vijnë. Ndërkaq më herët, kanë qenë jo të pakta premtimet që ai u ka dhënë qytetarëve të tij e përkatësisht në vitin 2015.

Infrastruktura ka qenë një prej pikave më të rëndësishme në listën e premtimeve të Lelit. Bypass-i i Vlorës, përfundimi i tij dhe lidhja me aksin e Transballkanikes. Pikërisht këtë dëgjuan vlonjatët në mbylljen e mitingut me elektoratin katër vite më parë, si një nga projektet më madhore për qytetin. Po sot çfarë është bërë? Ky projekt jo vetëm që nuk është përfunduar por as nuk ka nisur pothuajse. “Faktoje” verifikoi në terren punimet, ku faktikisht e vetmja gjë që ështe bërë, është vendosja e tabelës së projektit me të dhënat përkatëse.

Ndërtimi i Lungomares do të konsiderohet si një prej “fitoreve” të Lelit në krye të bashkisë. Ky premtim u mbajt në mbyllje të mandatit dhe tashmë Vlora e ka shëtitoren.

“Do të sistemohen sheshet, rrugët, trotuaret dhe e gjithë infrastruktura e brendshme e qytetit. Do të ndërtohen rrugët dhe pedonalet për biçikletat” – kështu u shpreh kryetari i bashkisë së Vlorës përpara marrjes së mandatit. Pasi verifikuam situatën në terren rezulton se, pedonalet për biçikleta janë të aksesueshme por vetëm përgjatë Lungomares dhe rrugës për të shkuar në plazhin e Zvërnecit. Por pjesa tjetër e qytetit nuk është e pajisur me këtë lloj infrastrukture. Pra në këtë rast kemi të bëjmë me një premtim gjysmë të mbajtur.

Ndërtimi i terreneve sportive ka qenë një tjetër premtim i tij i cili rezulton të jetë gjysmë i mbajtur. Kjo pasi terrenet sportive nuk janë në të gjithë qytetin por vetëm në “pika strategjike” sikurse është Lungomare.

“Uji 24 orë për qytetarët e Vlorës”- ky ishte një ndër premtimet e radhës që kryetari i bashkisë Dritan Leli bëri gjatë fushatës së vitit 2015. Jemi 4 vite më pas dhe vlonjatët ende mbushin ujë me bidona nëpër çezma publike. Këtë gjë e  pamë gjatë vëzhgimit tonë në terren dhe e vërtetuam edhe gjatë informacioneve që morëm nga qytetarë të ndryshëm. Nëse flasim me shifra zyrtare zyrtarisht, mosfurnizimin me ujë 24 orë e konfirmon edhe ujësjellësi i Vlorës.

“Në qytet, orët e furnizimit me ujë mesatarisht janë 13.37 orë por ka zona që furnizohen 24 orë dhe zona që furnizohen me orare”- ishte kjo përgjigja që na erdhi nga ky institucion dhe që vërteton qartë një premtim të pambajtur të kryetarit të bashkisë Vlorë.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img