.

.

BallinaProjekteYOUTH RAPLargimi i të rinjve nga Shqipëria nga mungesa e mundësive për punësim

Largimi i të rinjve nga Shqipëria nga mungesa e mundësive për punësim

Fenomeni i largimit të të rinjve nga Shqipëria po kthehet në një trend shumë shqetësues dhe njëkohësisht shumë e trishtueshme për të ardhmen e vendit. Në një deklaratë të bërë, Ministrja Kushi ka pranuar se largimi i të rinjve është një realitet që po ndodh, sepse në perëndim kanë hapur dyert e tregut të tyre të punës. Por  të rinjtë shqiptarë tregojnë se arsyet pse ata vendosin të largohen nga Shqipëria janë pamundësia e punësimit dhe e arsimimit të denjë në vendin e tyre.

Endi Kalemaj

“Fabio nga Burreli bëj 16-vjeç në shtator.” Fabio duhet të ishte në vitin e dytë në gjimnaz, por para pak ditësh ai mbërriti në Angli, ashtu si mijëra të rinj shqiptarë. Gjatë muajve të verës, Fabio, vetëm 16-vjeç, ia shtroi kurrizin e paformuar ende, thasëve të miellit. Zgjodhi, pa dëshirën e prindërve, të punonte në një fabrikë mielli, si punëtor në ngarkim-shkarkim. “E bëj që të jem mësuar me punën e rëndë kur të shkoj andej”- thoshte Fabio. Shokët e tij të lagjes janë larguar të gjithë, ndërsa nxënësit nëpër shkolla janë përgjysmuar.

 Pak ditë më parë Ministrja e Arsimit dhe e Sporteve tregoi se cilat ishin arsyet e largimit të të rinjve nga vendi:

“Një pjesë e të rinjve largohen për studime ose punësim jashtë vendit, si në Gjermani dhe në shumë shtete të tjera. Këto vende, duke qenë drejt plakjes së popullsisë e duke pasur nevoja në rritje në tregun e punës, kanë hapur dyert për të rinjtë tanë veçanërisht për mjekët, infermierët, por jo vetëm. Për këtë arsye ne kemi hartuar disa politika të reja siç është ndërkombëtarizimi i universiteteve për t’u dhënë vlerë diplomave të universiteteve të Shqipërisë. Ne duhet të bëhemi shembull si të përthithim fonde nga BE-ja për arsimin dhe kërkimin shkencor.” – pohoi Kushi.[1]

Por a qëndron realisht kjo deklaratë? Ne kemi intervistuar të rinj të grup-moshave të ndryshme për të ditur rreth arsyeve dhe problematikave reale që i detyrojnë ata të largohen nga Shqipëria.

Pse largohen të rinjtë maturantë?

Në intervistën e zhvilluar me maturantin R.K., ai ndan me ne arsyen e largimit:

“Largimi i të rinjve maturantë ndodh për një arsye shumë madhore, arsimimi! Ata zgjedhin alternativa të tjera më të përshtatshme për të pasur një arsimim cilësor dhe një punësim të sigurt. Arsyeja e dytë është edhe informimi mbi tregun e punës, dhe ne në Shqipëri na mungon një informacion i tillë.”

Pse largohen studentët?

Nga intervista me studenten e Fakultetit të Drejtësisë B.F. e cila aktualisht ndjek studimet në Austri, morëm këtë përgjigje:

“Largimi i studentëve që ndjekin studimet në universitetet shqiptare vjen si pasojë e mundësive të ofruara nga vetë universitetet, nga cilësia e arsimit, si dhe tregu i punës. Këto janë disa prej problematikave që has çdo student që në hapat e parë të karrierës në Shqipëri pasi mungon mundësia e zhvillimit në karrierë me baza meritokracie. Në universitetet jashtë vendit niveli akademik i profesorëve është më i lartë, ambientet universitare janë më komode dhe ka më shumë mundësi ekstrakurrikulare për studentët. Një kualifikim jashtë vendit është një plus edhe për tregun e punës. Veç kësaj një faktor i rëndësishëm është dhe demotivimi që vjen si pasojë e pagave të ulëta që kemi në Shqipëri. Me një pagë mesatare në Shqipëri vetëm mund të mbijetosh, ndërsa jashtë vendit ke mundësi edhe të kursesh.”

Pse largohen të rinjtë pavarësisht shkollimit?

Në prononcimin për Faktoje.al, P.S. është shprehur se:

Emigrimi me anë të gomoneve dhe me rrugë tokësore me kamion është zgjidhja me e mirë për të ardhmen dhe familjen time. Të ardhurat që do të siguroj në Angli apo në vende të tjera të botës janë shumë herë më të larta se ato që do të mund të fitoja me një vend pune në Shqipëri. Por nuk dua të përmend vetëm faktorin ekonomik. Një arsimim i mirë është gjithashtu një faktor kyç për të ardhmen e fëmijëve të mi. Unë e marr një rrezik të tillë sepse nuk mendoj për humbjet por për fitimet, dhe duke parë mundësitë që më ofron vendi im, Shqipëria, këtu nuk shoh asnjë fitim.”

 Në prononcim për Faktoje.al, N.R. student pranë Fakultetit të Inxhinierisë shprehet se:

Faktorët të cilët shtyjnë të rinjtë të studiojnë jashtë vendit janë pikë së pari faktorët ekonomikë ku futen standardet e jetesës, kushtet e punës, sigurimi i vendit të punës, paga dhe sigurimi i jetesës. Mundësitë e pakta të punësimit detyrojnë çdo grup-moshë të largohet për një të ardhme më të mirë. Mungesa e shpresës dhe motivimi për të pasur një të ardhme në këtë vend është ajo që e shtyn më shumë rininë shqiptare të largohet sesa mungesa e punësimit.

Së dyti, vazhdimi i studimeve jashtë vendit, qoftë për gjimnaz, studime Bachelor, Master, specializime dhe doktoratura. Sistemi arsimor jashtë vendit është më cilësor dhe mirëorganizuar, si dhe ofron më shumë specializime në fushën e kërkimit shkencor. Korrupsioni në sistemin arsimor dhe faktorët e tjerë të pandëshkueshmërisë i detyrojnë të rinjtë të largohen nga vendi.

“Sistemi ynë arsimor është sot në gjendje të shpartalluar: shkolla të zbrazura, fshatra pa shkolla, fëmijë pa mësues e mësues pa fëmijë, arsimtarë me dosje të fryra por me dije të kufizuara, arsimtarë që për të qenë edukatorët e shoqërisë kanë hyrë në system si infraktorë, mjedise shkollore pa kushtet më minimale  që nuk të ftojnë t´i qasesh me dashuri dijes, arsimtarë të përkushtuar e të keqpaguar, drejtues pa vizion dhe të rrudhur vetëm te mbajtja e vendit të punës, kjo nuk mjafton dhe kjo nuk të con tek një e ardhme e ndryshme nga e sotmja. Mbi të gjitha ajo që të shqetëson është mungesa e kurajos intelektuale për të thënë atë që I shqetëson e për të ngritur zërin për të përmirësuar edhe kushtet në të cilat punojnë vetë. Ndonjëherë më duket se edhe nën regjimin komunist, kur diheshin mirë pasojat e kundërshtive,  kishte më shumë kurajo e dinjitet nga arsimtarët sesa sot.”- thotë për Faktoje Entela Binjaku, sociologe.

Largimi i të rinjve nënkupton shumë faktorë të cilët do të ndikojnë në të ardhmen e vendit. Ajo do të sjellë uljen e fuqisë punëtore dhe rrjedhimisht uljen e konsumit në popullatë, e cila do të japë një efekt dhe një goditje të fortë për ekonominë e vendit. Sistemi shëndetësor dhe ai i sigurimeve shoqërore duhet të përgatiten për të ardhmen, ku ofrimi i mbulimit shëndetësor do të përqendrohet më së shumti te mosha e tretë. Sigurimet shoqërore do të duhet të marrin masa për të siguruar buxhetin për të mbuluar pensionet gjatë kohës kur do të ulet fuqia punëtore.

Të rinjtë largohen për arsye ekonomike, për arsye të mungesës së sigurisë për një jetë të dinjitetshme ku nuk u kërcënohet mbijetesa, largohen sepse nuk gjejnë siguri se e ardhmja do të jetë e ndryshme nga e tashmja, stepen ta mendojnë të ardhmen këtu dhe shpejtojnë të gjejnë mundësinë sot për tu larguar, largohen sepse e dinë që me të ardhurat e siguruara prej punës në Shqipëri nuk do të arrijnë kurrë të sigurojnë një të ardhme që nuk i frikëson nga pamundësia dhe pasiguria ekonomike, një pjesë largohen sepse të tjerët janë larguar dhe kanë ku të mbështeten etj. Ka edhe një pjesë që largohen sepse joshen nga moshatarët e tyre dhe u duket më e lehtë vuajtja në një vend tjetër sesa në vendin e tyre etj.- shprehet Binjaku.

 SHIFRAT

Popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2022 rezulton 2,79 milion banorë, duke pësuar rënie prej 1,3 % krahasuar me një vit më parë.

Sipas Agjencisë së BE-së për Azilin dhe sipas Zyrës Evropiane të Azilantëve (EASO), në raport me popullsinë, Shqipëria është e para për azilkërkuesit në BE, me 59 aplikime për çdo 10 mijë banorë.[2]

Sipas Gallup-it “largimi i të rinjve nga vendi kap shifra deri në 79%. Shqipëria është në krye të listës nga ku largohen të rinjtë dhe është e para në Evropë nga ku të rinjtë duan të ikin për të studiuar, por edhe për të punuar jashtë shtetit. Mbi 90% e të rinjve të intervistuar shprehen se e kanë menduar seriozisht të largohen nga Shqipëria, si për një jetë më të mirë, për një arsimim më cilësor apo një punësim më të mirë”. [3]

Sipas INSTAT, në 1 janar 2021, popullsia e Shqipërisë rezulton 2,83 milionë banorë dhe krahasuar me vitin 2011 është ulur me 2,7 %. Ndërkohë që, po sipas INSTAT, mosha mesatare e popullsisë shqiptare është rritur në 10 vitet e fundit, pra nga 1 janar 2011 në 1 janar 2021, në 38 vjeç”.[4]

Çfarë thotë Eurostat në lidhje me largimin e të rinjve shqiptarë?

“Vetëm në 10 vitet e fundit janë larguar nga Shqipëria rreth 140 mijë të rinj. Vetëm në vitin 2020 rreth 78% e azilkërkuesve në Evropë ishin të rinj nga Shqipëria. Është shqetësuese sepse nga Shqipëria po largohen të rinj të arsimuar, ata të cilët mund të jenë forcë punëtore. [5]

Foto kryesore marrë nga webi

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img