Kryetari tashmë i dorëhequr i PD Lulzim Basha, në fund të muajit janar akuzoi kryeministrin Rama për shpenzimin e 120-150 mijë eurove vetëm për karburant në fluturimet luksoze me charter. Verifikimi i Faktoje përmes të dhënave mbi shpenzimet e një avioni charter, tregoi se me kaq para kryeministri duhet të kishte kryer 100-125 orë udhëtim në destinacionet e pretenduara Paris, Mynih, Tiranë. Nga ana tjetër kryeministria, iu përgjigj kërkesës për informacion për udhëtimet e Ramës duke na vënë në dispozicion vetëm një link të deklaratës së kryeministrit.
“E dimë që para dy ditësh shkoi dhe erdhi me charter privat diku dhe s’pati as deçencën të njoftonte shqiptarët se për çfarë po i harxhonte ato 120 apo 150 mijë euro karburant që kushton një fluturim me charterin privat. Ky që e nisi qeverisjen duke premtuar se do të udhëtonte vetëm me bileta ekonomike, tani niset për në Paris, për në Mynih, shkon e vjen me një charter luksoz, ku siç e thashë, vetëm karburanti kushton 120 mijë euro minimumi dhe kur vjen puna për t’u përballur me shqiptarët, me përfaqësuesit e shqiptarëve, nuk e dimë ku është”- deklaroi ndër të tjera kreu demokrat në atë periudhë Lulzim Basha në Kuvend më 27 janar 2022.
Kjo deklaratë u pasua nga një sërë akuzash të tjera nga deputetët e opozitës, të cilët ngritën pikëpyetje mbi ‘udhëtimet luksoze’ të kryeministrit Rama.
Për të ofruar një informacion të saktë dhe transparent për publikun në lidhje me udhëtimet e kreut të qeverisë, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Kryeministrisë. Disa prej pyetjeve që i drejtuam këtij institucioni kishin të bënim me destinacionet ku kishte udhëtuar kryeministri mes datave 20-27 janar dhe kostot e udhëtimeve.
Kërkesa për informacion dërguar Kryeministrisë, 31 janar 2022
Ne morëm një përgjigje nga Kryeministria më datë 25 shkurt, pas ankimimit të bërë te Komisioneri Për Të Drejtën e Informimit, në tejkalim të afatit ligjor për të drejtën e informimit.
Zyrtarisht kryeministria i përgjigjet kësaj kërkese për informacion duke dërguar një link të deklaratës së kryeministrit që sqaron pikëpyetjet e opozitës dhe asnjë të dhënë apo dokument sqarues në lidhje me pyetjet e drejtuara nga Faktoje.
Përgjigjia e Kryeministrisë, 25 shkurt 2022
Referuar deklaratës së 31 marsit, kryeministri Rama sqaron se nuk ka përdorur charter privat, por një biletë ekonmike, e cila ka kushtuar 345 euro.
“Mesatarja vjetore e shpenzimeve për udhëtimet e mia zyrtare, të cilat paguhen nga fondi i kryeministrisë, është më e ulët sesa mesatarja vjetore e shpenzimeve të paraardhësve të mi, për arsyen e thjeshtë se ata udhëtonin në business class, ndërsa unë kam udhëtuar thuajse tërësisht në ekonomik, me përjashtim te ndonjë rasti të veçantë – e njëjta gjë edhe për ministrat. Ndërkohë qysh prej vitit 2020, kur kishim presidencën e OSBE, u bë një marrëveshje me kompaninë ‘Air Albania’ dhe shpenzimi për vitin 2021 ishte nën mesataren e viteve të mëparshme.
Sasia më e lartë vjetore e shpenzimeve për udhëtimet e mia zyrtare ka qenë 4.623.089 lek në vitin 2014. Ndërsa shifra 120 mijë euro karburant për fluturim privat, është produkt i të njëjtës aritmetikë fantastiko-shkencore, që nga 1958 ulëset e Pallatit të Kongreseve nxori 5004 delegatë.”- argumentonte Rama.
Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Partisë Demokratike më 31 janar 2022, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë një përgjigje nga PD.
Kërkesa për informacion dërguar PD-së, 31 janar 2022
Por, edhe nëse marrim të mirëqenë se udhëtimi i pretenduar është bërë më charter, sa llogaritet të jetë kostoja e karburantit? A është ajo 120-150 mijë euro nëse udhëtohet në destinacionet që ka cituar zoti Basha?
Nga një kontroll online që Faktoje bëri në lidhje me koston e karburantit të shpenzuar për një orë me avion charter, rezulton se ajo varion nga 500 deri në 2000 USD karburant për orë (në varësi të madhësisë së charterit, kuotave në të cilat fluturon etj. Nëse llogarisim një mesatare rreth 1200 USD karburant për 1 orë, del që kryeministri të ketë udhëtuar 100 orë, po të marrim të mirëqenë shifrën e artikuluar prej 120 mijë eurosh të përmendur nga Basha.
Po të marrim të mirëqenë shpenzimin prej 150 mijë eurosh, kryeministri Rama duhej të kishte fluturuar 125 orë.
Një udhëtim nga Tirana në Paris me avion llogaritet të zgjasë mesatarisht 2 orë e 50 minuta. Nga Parisi në Mynih mesatarisht 1 orë e 30 minuta dhe kthimi nga Mynihu në Tiranë rreth 1 orë e 50 minuta.
Të gjitha përllogaritjet llogaritë tregojnë një lajthitje në deklaratën e zotit Basha në lidhje me shpenzimet për karburant me avion charter, edhe pse vetë kryeministri ka hedhur poshtë pretendimin se ka udhëtuar me një avion privat.
Faktoje pyeti edhe ekspertë të ekonomisë, që argumentuan përse duket e pamundur që të kushtojë aq shumë karburanti për fluturime brenda Europës.
“Sesa karburant mund të harxhojë charteri është çështje që lidhet me llojin e avionit dhe gjatësinë e udhëtimit. Por, për një udhëtim në Europë përshembull më duket e pabesueshme që të harxhohet 120-150 mijë euro vetëm për karburant. Një udhëtim me ‘Wizz air’ përshembull për në Londër kushton 50-60 euro vajtje-ardhje. Zgjat 3-4 orë, pra është nga vendet më të largëta nga Tirana në Europë.
Nëse avioni ka 250 pasagjerë, avioni nxjerr të ardhura të barabarta me 15 mijë euro. Me këto paguan edhe taksat aeroportuale që janë diku 5 euro për pasagjer edhe shpenzimet për trajtimin e valixheve, paguan edhe karburantin e avionit dhe del edhe me fitim. Kështu që nisur nga çmimet e linjave komerciale, më duket e pamundur që të kushtojë aq shumë karburanti”- sqaron eksperti i ekonomisë.
Nga verifikimi i kryer përmes informacionit të grumbulluar vendosëm që deklaratën e zotit Basha ta kategorizojmë të Pavërtetë.