Nga Barabara Halla
Tensionet etnike mbi gjuhën shqipe janë rikthyer në qendër të vëmendjes, sidomos me ardhjen në pushtet gjatë këtij viti, të qeverisë së drejtuar nga VMRO-DPMNE në koalicion me partitë opozitare shqiptare.
Ligji mbi përdorimin e gjuhëve, i cili e bën të detyrueshëm përdorimin e gjuhës shqipe nga organet qeveritare u miratua në parlamentin e Maqedonisë së Veriut në vitin 2018. Ky ligj parashikon që dokumentat publike, që nga institucionet qëndrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet dhe personat juridikë që ushtrojnë kompetenca publike, duhet të jenë si në gjuhën maqedonase, po ashtu edhe në gjuhën gjuha shqipe. Në fakt, marrëveshja e Ohrit në 2001, e cila u arrit pas konflikteve, të shumta midis forcave maqedonase dhe kryengritësve shqiptarë në Maqedoni, parashikonte një ligj të tillë, i cili u pranua politikisht vetëm pas gati dy dekadave.
Që prej kalimit të ligjit në vitin 2018, statusi i gjuhes shqipe në Maqedoninë e Veriut është ndeshur me debate dhe ka shkaktuar tensione të ndryshme midis popullisë maqedonase dhe pakicës etnike shqiptare në vend. Si fillim, Presidenti i asaj kohe Gjorge Ivanov, i vuri veton ligjit të kaluar nga kuvendi duke u shprehur se ai kërcënonte “unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial” të Maqedonisë.
VMRO-DPMNE është një parti e djathë, e cila është përshkuar shpesh si nacionaliste dhe kundra Bashkimit Evropian. Mes të tjerave, lideri i saj, Hristijan Mickoski ka refuzuar të pranojë emrin e ri të vendit dhe një marrëveshje historike me Greqinë në vitin 2018, e cila shtoi “e Veriut” në emrin e saj zyrtar, për të zgjidhur një mosmarrëveshje të gjatë dhe i lejoi vendit të anëtarësohej në NATO. Përgjatë zgjedhjeve, mediat referuan se Mickoski përdori një gjuhë gjithnjë e më agresive ndaj partisë më të madhe shqiptare të vendit duke nxitur ankthin se retorika mund të minonte marrëdhëniet e brishta ndëretnike.
Frika se ardhja në pushtet e VMRO-DPMNE mund të shkaktojë probleme me pakicën shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk ka qenë e pabazë. Në muajt e fundit ka pasur një rritje të tensioneve, sidomos përsa i përket përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare për komunikimet nga ana e qeverisë. Siç janë analizuar nga Faktoje, debati rreth gjuhës shqipe tani është çuar para Gjykatës Kushtetuese e cila do të shqyrtojë këtë muaj statusin e “Ligjit për zbatimin e gjuhëve.” Për më tepër, në mes të shtatorit, sinjalistika në gjuhën shqipe u hoq nga rruga që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, një zonë me popullsi të lartë shqiptare. Ky incident, solli reagimin e menjëhershëm të komunitetit, i cili foli për nevojën për të mbrojtur gjuhën shqipe.
Në Shqipëri, kjo situatë e tensionuar dhe e ndërlikuar, është pasqyruar nga mediat, shpeshherë duke ekzagjeruar të dhënat zyrtare që vijnë nga Maqedonia e Veriut. Në raste të tjera, ato kanë shkëputur të dhënat nga konteksti i përgjithshëm, duke përdorur një fjalor që nxit si keqkuptimet dhe dhunën ndëretnike. Për më tepër, ato kanë marrë sjellje të izoluara, apo vendime të institucioneve individuale të Maqedonisë së Veriut, si shembull më të gjerë të ndjenjave të popullsisë.
Në shtator 2024, u konstatua një riciklim i një lajmi të mëparshëm mbi përdormin e gjuës shqipe në institucionet qeveritare maqedonase. Në qershor, mediat shqiptare thanë se presidenca e Maqedonisë së Veriut kishte hequr gjuhën shqipe nga faqet dhe komunikimet e saj. Një verifikim i Faktoje tregoi so ky pretendim nuk ishte i saktë, pasi presidenca kishte informacione ne gjuhën shqipe.
Diçka e ngjashme ndodh përsëri në shtator, ku mediat shqiptare shkruajnë në bllok, për një tërheqje të gjuhës shqipe nga presidenca, ndërsa faqet e qeverisë dhe kuvendit vazhdojnë ta kenë këtë opsion. Shkrimet mbanin thuajse të njejtin titull. Ashtu si dhe në qershor, edhe në këtë rast, mungon konteksti më i gjërë, dhe janë keqinterpretuar punimet kërkimore të bëra nga mediat maqedonase.
Sipas Portalit Portabl, i cili ka analizuar ndarjen e njoftimeve nga ministritë e ndryshme të Maqedonisë së Veriut, që në ardhjen në pushtet të qeverisë VMRO-DPMNE, ka pasur një ndryshim në mënyrën e komunikimit. Ato vënë në dukje se vetëm Ministria e Artit dhe Shkencës vazhdonë të çojnë komunikime në shqip siç e kërkon ligji, ndërkohë që pjesa tjetër nuk e bën më këtë gjë. Portalb ka shikuar po ashtu përdorimin e gjuhës shqipe në faqet e presidencës dhe kuvendit maqedonas, ku ka gjetur se zyra e presidentit nuk ka përdorur gjuhën shqipe për të çuar komunikatat përgjatë një javë, ndërkohë që përfaqesuesë të qeverisë dhe të kuvendit përdorin si maqedonishten dhe shqipen. Ata kanë vënë re po ashtu vonesën, apo mungesën e përkthimeve në shqip të disa lajmeve dhe deklaratave që ekzistojnë në gjuhën maqedonase.
Sipas verifikimeve të Faktoje më date 3 Tetor, gjuha shqipe vazhdon ende në faqen e Presidencës së Maqedonisë së Veriut. Përditësimi i fundit në faqen kryesore është bërë me datë 1 tetor për faqen në shqip, ndërsa për në Maqedonisht artikulli i fundit ishte me datë 2 tetor.
Duhet vënë në dukje se analizat e Portabl u kryen për një periudhë një javore (nga data 12 deri më 18 shtator). Gjithashtu, ato panë se faqet e ministrive kryesore ende kanë informacione në shqip dhe ato janë të përditësuara. Megjithatë ato tregojnë një tendencë nga ana e qeverisë së re për të lënë mënjanë gjuhën shqipe në komunikimet zyrtare.
Fotografia kryesore e marrë nga Vanço Xhambaski.
Redaktoi Aimona Vogli