Ermal Vija
Laert Haxhiu, sot është personazhi më i lakuar i kronikës së zezë dhe një ndër 5 personat më të kërkuar nga drejtësia. Dëshmia e një të arrestuari për grabitje me dhunë zbuloi të tjera krime në kurriz të Haxhiut që mbeten të provohen. Faktoje sjell një profil të Laert Haxhiut duke e nisur historinë nga një tjetër perspektivë, e kaluara e tij. 5 vjeçar në vitin 1997, në Lushnje, qyteti i kthyer në arenë të larjes së hesapeve mes bandave, Haxhiu sot 31 vjeç ndodhet në Janinë në përpjekje për t’i shpëtuar ekstradimit në Shqipëri. Fija që lidh të kaluarën me të sotmen është zinxhiri i hakmarrjes, një stafetë që kaloi nga banda e Aldo Bares dhe rivalëve tek brezat e rinj të fiseve përkatëse.
Pasaporta
Laert Haxhiu, ka lindur në 14 shtator 1992
Banues në Lagjen 20 Tetori në Lushnje
Arsimi 8 vjeçar
I dënuar për herë të parë në vitin 2009 për vjedhje
Sot i konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në vend, Laert Haxhiu u shkollua deri në moshën 15 vjeçare. Vetëm 17 vjeç, ai mori dënimin për akuzën e “Vjedhjes”dhe në vijim u dërgua në gjykatë për disa kundërvajtje penale.
Teksa rritej, kalonte kohën në shoqërinë e një personazhi tjetër të botës së krimit në Lushnjë, Saimir Taullaut. Përveç hamarrjes për vrasjen e të afërmve që u kishte shkaktuar banda e Lushnjës, nuk i lidhte asgjë. Të dy ndalohen teksa transportonin sipas prokurorisë, lëndë narkotike heroinë në zonën e “Plepave” në Durrës. Në përfundim të gjykimit, Laert Haxhiu, u shpall fajtor vetëm për “Moskallëzim krimi” dhe u dënua me 1 vit burg, ndërkohë që prokuroria kishte kërkuar 8 vite burg, si i përfshirë në trafikun e drogës.
Zinxhiri i vrasjeve dhe dënimet në mungesë
Në 27 shtator 2016, Laert Haxhiu u shpall në kërkim, për plagosjen në mes të qytetit të Xhulio Shkurtit (dhe shokut të tij), nipit të Aldo Bares.
Krimi, sipas hetimeve ishte një hakmarrje që të kthente pas në kohë, në vitin 1998 kur Banda e Aldo Bares (Elton Mermali), vrau djalin e xhaxhait të Laertit, (kur ky i fundit ishte 6 vjeç), Bledar Haxhiun dhe u dogji atyre shtëpinë pranë fabrikës së Plastmasit, në Lushnje.
Objektivi i Laertit, tashmë 24 vjeçar i rritur në klimën e vrasjeve dhe hakmarrjes kundër Bandës së Lushnjës, ishte Xhulio Shkurti. Ky i fundit 2 vite më i vogël se Laert Haxhiu, i rritur në lagjen Çlirimi, shumë pranë lagjes 18 Tetori, ku banonte Haxhiu.
Në dosjen hetimore që Faktoje analizoi, Haxhiu, duke lëvizur me një makinë tip “Smart”, ndalon në rrugë Xhulio Shkurtin dhe mikun e tij, i ofendon dhe i qëllon ata me pistoletë, derisa i mbarojnë plumbat.
“Para se të qëllonte me pistoletë i pandehuri Laert Haxhiu i është drejtuar të dëmtuarit Xhulio Shkurti, sipas deklarimit të këtij të fundit, me shprehjen: “Nuk e di ti që do të ikësh për dhjam qeni, që do të vdesësh shumë shpejt? E ke jetën me minuta.” Më pas, e ka fyer dhe i është drejtuar edhe Saimo Xheliut me frazën :-“Edhe ty do të ta mbush kokën me plumba!” dhe ka qitur me pistoletë në drejtim të tyre për të vazhduar rrugën me autoveturën e tij drejt kryqëzimit të gjimnazit “18 Tetori” -citohet në dosje.
Thuajse 1 vit pas kësaj ngjarjeje, Laert Haxhiu, në 26 korrik 2017, u dënua me 21 vite burg nga 32 që parashikohej, por që u ul për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjykata e Apelit në Vlorë, e uli dënimin ndaj Haxhiut në 18 vite burg.
Me këtë dënim mbi supe, por në arrati, Laert Haxhiu, në 12 tetor 2017, u përfshi në atë që njihet si masakra e Lushnjës, ku u vranë Zamir Latifi, Jurgen Hoxha dhe u plagosën 2 të tjerë. Edhe në këtë ngjarje, sipas Prokurorisë së Posaçme objektivi ishte të vritej Xhulio Shkurtit, rivali i Laert Haxhiut.
Për këtë ngjarje, gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe Apeli, dënuan me burgim të përjetshëm bashkëpunëtorët e tij, Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, ndërsa Laert Haxhiu vijon të gjykohet në mungesë. Policia organizoi një sërë aksionesh për kapjen e tij, që pas masakrës së Lushnjës, por dolën duarbosh. Prej ngjarjes së 2017-s familjarët e viktimave, privatisht kishin siguruar të dhëna se ku kishin qëndruar autorët dhe gjetën pamje, që ndihmuan më pas hetuesit të ngrenë akuza për Laert Haxhiun dhe bashkëpunëtorët e tij. Një prej tyre (familjarëve) ishte Besnik Hida, i cili humbi nipin Zamir Latifin në masakrën e Lushnjes në 2017-n. Kjo përfshirje shërbeu si motiv i vrasjes së Besnik Hidës në vitin 2019 në lagjen “Skënder Libohova” me breshëri kallashnikovi nga dy persona të maskuar (sipas prokurorisë Laert Haxhiu në bashkëpunim me Ardian Ahmetajn) teksa po pinte kafenë e mëngjesit.
Prokuroria e Fierit hetoi 4 vite për ngjarjen e 2019-s dhe në korrik të atij viti shpalli në kërkim Laert Haxhiun, Ardian Ahmetajn dhe i komunikoi masën e sigurisë “Arrest në burg” Orges Bilbilit në qeli ku po vuan dënimin me burgim të përjetshëm për krimin e 2017-s.
Në vendimin e masës së sigurisë ndaj Haxhiut dhe të akuzuarve si bashkëpunëtorë të tij (që disponohet nga Faktoje), zbardhen detaje dhe dëshmi që tregojnë se 31-vjeçari Haxhiu e kishte paralajmëruar viktimën Besnik Hida pak ditë para vrasjes.
“Më datë 10.10.2019 është ripyetur si person që ka dijeni shtetasi Fatos Latifi i cili ka shpjeguar se tre ditë para vrasjes, ai është takuar me Besnikun në darkë jashtë marketit të tij dhe gjatë bisedës Besniku i ka thënë ‘Është shprehur Laerti për mua se nuk do ta ha Vitin e Ri‘. Ai e ka pyetur se nga i kishin ardhur këto të dhëna dhe Besniku i ka thënë se ato kishin ardhur nga njerëzit tanë, por nuk i tha se kush ishte personi që i kishte çuar këto lajme. Besniku ndihej i shqëtësuar”, shkruhet në vendim.
Bashkëpunëtori i Haxhiut rrëfen të tjera krime…
Të dhënat hedhin dyshime se Laert Haxhiu e ka vazhduar zinxhirin e krimeve edhe pas dënimit nga gjykata për vrasje dhe plagosje, pasi ka arritur t’i shpëtojë syrit të policisë.
Nëse dështimi për kapjen e Laert Haxhiut, vinte nga informacionet e gabuara, apo dekonspirimi, kjo mund të saktësohet nga hetimet dhe bashkëpunimi me të penduarin Artan Tafani, që aktualisht po kryhen nga Prokuroria e Elbasanit.
Tafani u tha hetuesve se ai ishte pjesë e grupit të Laert Haxhiut dhe shpeshherë krimet i kryente për shkak të miqësisë që kishte me të, pa marrë ndonjë shpërblim.
Saga e vrasjeve dhe krimeve të dyshuara me autor Laert Haxhiun të rrëfyera nga i penduari Artan Tafani, tregojnë se e vetmja periudhë pauze nga kryerja e vrasjeve ishte gjatë vitit 2020, kohë kur vendi u mbyll nga pandemia. 3 vitet që pasuan, ishin të mbushura me vrasje, kërcënime dhe vendosje tritoli. Në kërkesën për caktim të masës së sigurisë dorëzuar në Gjykatë nga Prokuroria e Elbasanit, renditen episodet e krimeve të kryera nga Laert Haxhiu në bashkëpunim me ata që sot konsiderohen banda e tij.
“Nga veprime thetimore të kryera në lidhje me këtë procedim penal, si deklarime, kqyrja e pamjeve filmike, përgjime telefonike dhe ambjentale, është identifikuar si autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje shtetasi Artan (Marjus) Tafani, Laert Haxhiu dhe Lulzim Spahija (Arapi). Si rezultat i hetimit në kuadër të këtij procedimi, ka dyshime të arsyeshme se shtetasit e mësipërm janë autorë të vrasjes së shtetasit Alban Semaku, ngjarje e ndodhur në datë 17.10.2021 në Peqin”, -thuhet në kërkesën që Faktoje disponon.
Por kjo ishte ngjarja e parë e dokumentuar, para arrestimit të Artan Tafanit, i cili shtoi në listë edhe 3 vrasje të tjera në Shqipëri dhe 2 në Greqi.
Sipas Prokurorisë, vrasja me paramendim e shtetasit Çajup Selimi, e ndodhur në datë1 qershor 2021 në qytetin e Tepelenës, ka autorë të dyshuar: Laert Haxhiun, Artan (Marjus) Tafani, Erisiano Abedini, Lulzim Spahija, Ligor Romacka, Bujar Abedini.
Vrasja me paramendim e shtetasit Fridman Xhaferaj, e ndodhur në datë 2 qershor 2021 në qytetin e Korçës, ka autorë të dyshuar: Laert Haxhiu, Artan (Marjus) Tafani, Lulzim Spahija, Ligor Romacka, Maringlen Topuzi, Bledar Berberi, Idriz Manej.
Vrasja për gjakmarrje e shtetasit Albi (Dijonis) Bashaliu, e ndodhur në datë 27 dhjetor 2021 në fshatin Gjocaj, Peqin, ka autorë të dyshuar Laert Haxhiun, Artan (Marjus) Tafani, Lulzim Spahija (Arapi), Lorenc Lala (alias Ilir Lamberti, alias Kristian Lala), Enriko Xhahysa, Bledar Berberi.
Vrasja e mbetur në tentativë ndaj shtetasit Kujtim Meta, e ndodhur në datë 20.04.2022 në qytetin e Lushnjës, ka autorë të dyshuar:Laert Haxhiu, Artan (Marjus) Tafani, Lulzim Spahija (Arapi), Dorian Shurdhi, ky i fundit nuk jeton më.
Gjithashtu, referuar Prokurorisë Laert Haxhiu bashkë me disa persona të tjerë, janë autorë të vendosjes së tritolit në 5 raste në Lushnjë dhe Durrës, vjedhje me dhunë në 2 raste dhe të dyshuar se kanë përgatitur 3 plane atentatesh të pafinalizuara.
Edhe pse mbetet për t’u provuar fajësia për një numër krimesh, në Prill të 2022, Policia e Shtetit e shpalli Laert Haxhiun si një nga 5 personat më të kërkuar në Shqipëri, çka tregon për informacione të Policisë mbi rrezikshmërinë e veprimeve të tij. 31-vjeçari Laert Haxhiu u arrestua rastësisht në Janinë dhe ndodhet në paraburgim në shtetin grek, ku fitoi në Shkallën e Parë, e cila vendosi të mos ekstradojë atë në Shqipëri. Çështja është në Gjykatën e Apelit grek, ndërkohë që autoritetet shqiptare vijojnë betejën ligjore për ekstradimin dhe hetimin për krimet e tjera të dyshuara se janë kryer nga Haxhiu.