Lady Gaga pi gjakun e fëmijëve, por si aktore filmi

11

Pretendimi: Kjo video tregon këngëtaren Lady Gaga duke treguar publikisht se rrëmben fëmijë dhe i merr gjakun për adrenokrom

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon këngëtaren Lady Gaga, e cila tregon, në një program televiziv të zakonshëm, se si rrëmben fëmijë për adrenokrom.

Në fillim të videos, një zë prezanton në anglisht “Konteshën”, më pas Lady Gaga përshkruan se si ajo rrëmben fëmijë dhe i pi gjakun, dhe më pas përfundon duke thënë: “Asaj i pëlqen shumë të gjuajë.”

Në fakt, video e mësipërme duket se është një video promocionale për serialin American Horror Story: Hotel, i cili është transmetuar për herë të parë në 2015.

Në serialin horror, Lady Gaga luan rolin e Konteshës Elizabeth, pronarja e Hotel Cortez dhe një vampire që ruan bukurinë e saj duke pirë gjak njeriu.

Lady Gaga në rolin e personazhit Kontesha Elizabeth, foto promocionale për serialin American Horror Story: Hotel

Në videon promocionale, Lady Gaga dukshëm po flet për personazhin që ajo luan në serial, jo për jetën e saj reale.

Narrativa e trafikimit të fëmijëve për t’u nxjerrë adrenokromin që përdoret nga elitat për të zgjatur jetën dhe rininë e tyre u shfaq për herë të parë në 2017 në ShBA, si pjesë e teorisë konspirative QAnon. Kjo teori përshkruan presidentin amerikan Donald Trump si një hero i vetëm që po luftonte një kabal elitash që ishin pedofilë dhe vrasës fëmijësh. QAnon premtonte se këta komplotistë do të ekspozoheshin dhe ndëshkoheshin së shpejti në një “stuhi” që po vinte.

Një variant i hershëm i kësaj teorie konspiracioni, Pizzagate, pretendon se pjesëtarët e Partisë Demokrate të ShBA dhe disa restorante amerikanë ishin të përfshirë në një ring trafikimi fëmijësh dhe pedofilie. Ndikuar nga kjo teori, në 4 dhjetor 2016, një burrë nga North Carolina shkoi në picerinë Comet Ping Pong dhe shtiu me armë.

Sa i përket adrenokromit, kjo substancë prodhohet nga oksidimi i adrenalinës. Ajo është studiuar në vitet 1950-70, por sot nuk ka asnjë përdorim mjekësor. Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) nuk e ka aprovuar përdorimin e adrenokromit. Mbi të gjitha, nëse një kabal elitash do ta donte gjithsesi këtë substancë të deklaruar të padobishme nga shkenca, nuk do t’i duhej të rrëmbenin fëmijë nëpër tunele nëntokësore për ta përftuar atë. Adrenokromi mund të krijohet në laborator, madje mund të blihet në internet lehtësisht.

Joseph A. Schwarcz, drejtori i Zyrës për Shkencën dhe Shoqërinë në Universitetin McGill, shkruan se teoria konspirative e adrenokromit ka ngjyrime anti-Semite, duke cituar një histori të gjatë të akuzave se hebrenjtë përdorin gjakun e fëmijëve të krishterë në ritualet e tyre fetare. Këto akuza kanë shërbyer historikisht për të justifikuar dhe nxitur persekutimin e hebrenjve në Europë.

Sipas Kongresit Botëror Hebraik, “ky mit konspiracioni është në thelb antisemitik, pasi akuzon figura të shquara hebraike si Rothschildët dhe George Soros – përveç të tjerëve që përkrahësit e mitit gabimisht besojnë se janë hebrenj, si Bill Gates – se janë orkestruesit e lëvizjes për të torturuar fëmijët. Mohimi, shtrembërimi dhe banalizimi i Holokaustit janë të pranishme edhe në gjuhë.”