Pretendimi: Ky imazh tregon një zjarr që ka përfshirë magazinat e firmës kineze Temu
Verdikti: E pavërtetë
————————————————-
Një imazh që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon magazinat e firmës kineze Temu të përfshira nga një zjarr.
Mbishkrimi në postimin e mësipërm tall çmimet e lira të Temu duke deklaruar se dëmet përllogariten të jenë në vlerën e vetwm 43 dollarëve.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Goolge Lens, Faktoje gjeti se ky pretendim qarkullon në rrjet që në 2024.
Megjithatë, imazhi është i rremë.
Jo vetëm që shkronjat në logo shfaqen në mënyrë të çuditshme, por emri i markës është shkruar gabim si “Tehu” në anën e magazinës. Më tej, logo zyrtare e kompanisë është e pasaktë.
Ç’është më treguese, në versionin e vitit 2024, këndi i poshtëm djathtas i imazhit tregon logon e Grok, programit gjenerues të inteligjencës artificiale të krijuar nga kompania e xAI.
Një kërkim në rrjet me fjalë kyçe nuk gjeti asnjë raport për një zjarr të kohëve të fundit në një depo të Temu.
Si përfundim, pyetur në janar 2025 mbi imazhin viral, një zëdhënës i Temu tha për Factchequeado se “pretendimi për një zjarr në një depo të Temu është plotësisht i rremë.”“Asnjë incident i tillë nuk ka ndodhur në asnjë nga objektet tona,” shtoi ai.