Pretendimi: Kjo video tregon presidentin francez Emmanuel Macron në një diskotekë në Paris më 1984

Verdikti: Satirë, video e manipuluar

————————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon presidentin francez Emmanuel Macon duke vallëzuar në një diskotekë të Parisit në 1984.

Video, dukshëm, është modifikuar. 

Si fillim, në vitin 1984, Emmanuel Macron, lindur më 1977, do të ishte 7 vjeç.

Siç mund ta shohim në video, Macron po kërcen në një klub, megjithëse ka veshur rroba të ndryshme. Në fakt, fytyrat e njerëzve që kërcejnë në video janë zëvendësuar me fytyrën e Macron me anë të teknologjsë deepfake.

Video e ka origjinën në një llogari në platformën X, @JebraFaushay, e cila e shoqëroi klipin me përshkrimin: “Kjo është nga një diskotekë e vitit 1987, a e shihni udhëheqësin e Francës, Macron, me paruke?” Jebra Faushay, sipas një biografie në BuyMeACoffee, po “krijon satirë/lajme çdo ditë”. 

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale, pjesa më e madhe e së cilës është xhiruar në klubin Stratus në San Diego në vitet 1986-1987.

Video origjinale, së cilës i është mbivendosur fytyra e Macron

Duke qenë se autori i videos origjinale prodhon satirë, dhe se video është kronologjikisht e palogjikshme dhe qartazi e montuar dobët, kjo video bie qartë në kategorinë e satirës.

Në 9 shkurt 2025, Macron promovoi Samitin e Veprimit për Inteligjencën Artificiale (IA), një takim ndërkombëtar që do të zhvillohej në Paris, duke u argëtuar me video parodi për veten e tij të gjeneruara nga inteligjenca artificiale në rrjetet e tij sociale. Video e mësipërme ishte ndër pamjet.