Pretendimi: Snajperisti izraelit që duket në këtë imazh vdiq pasi ra nga një ndërtesë në Gaza duke tentuar të vrasë një bletë

Verdikti: E pavërtetë

‐———————————

Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi i pazakontë se një snajperist izraelit, Alias Nada, ra nga kati i 13-të i një godine në Gaza, teksa përpiqej të vriste një bletë.

Megjithatë, asnjë provë nuk sillet për të mbështetur këtë pretendim që i ngjan më shumë një fabule.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se burri në imazhin që shoqëron postimin është vërtet një snajperist izraelit.

Megjithatë, kjo është e vetmja lidhje mes tij dhe historisë që rrëfen postimi i mësipërm.

Sipas Fondacionit Hind Rajab, një organizatë ligjore dhe për të drejtat e njeriut me seli në Bruksel, snajperisti në foto është Dani Adonya Adega.

Sipas deklaratës së Fondacionit më 14 korrik, Adega shërbeu si snajper në divizionin e 252 të ushtrisë izraelite. Në fillim të këtij viti, ai postoi një imazh në rrjetet sociale duke mbajtur një pushkë snajperi me mbishkrimin: “4 fishekë, 0 huq”

Fondacioni deklaroi se Divizioni 252 operonte në boshtin Netzarim, ku snajperët dhe patrullat e blinduara izraelite u dokumentuan duke qëlluar sistematikisht civilët, shumica e të cilëve ishin fëmijë. Ai theksoi se vrasjet ndodhën gjatë një armëpushimi të shpallur dhe jo në kontekstin e luftimeve të armatosura, duke e bërë incidentin një akt vrasjeje të paramenduar.

Deklarata shtoi se rreth 170 civilë palestinezë u vranë gjatë periudhës së armëpushimit, duke e përshkruar këtë si një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe një krim të mundshëm lufte.

Fondacioni Hind Rajab tha se kishte siguruar prova të dokumentuara që tregojnë se Adega ndodhej në Portugali dhe u bëri thirrje autoriteteve portugeze ta arrestojnë dhe ndjekin penalisht atë bazuar në parimin e juridiksionit universal.

Ndërkaq, megjithëse postimi citon median turke Anadolu, nga një kërkim me fjalë kyçe nuk rezulton që agjensia të ketë raportuar ndonjë lajm të tillë.