Pretendimi: Ngrohja globale nuk ekziston; moti kontrollohet nga sistemi HAARP
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————
Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.
Konspiracionistët, më tej, pretendojnë se anomalitë e motit të vëzhguara në dekadat e fundit nuk janë pasojë e ngrohjes globale, por veprime të HAARP, i cili është i aftë edhe të ndryshojë motin.
Faktoje ka shpjeguar dhe më parë se pajisja në fotot që shoqërojnë postimin nuk është ndonjë makineri klimë-modifikuese, por një radar detar SBX, “një komponent kyç i programit tokësor të mbrojtjes me rreze të mesme të Agjencisë amerikane për Mbrojtjen nga Raketat.”
Profesore Helene Galiegue nga Shkolla Kombëtare e Aviacionit Civil francez tha për AFP se radarët X-band përdoren zakonisht nga ushtria, aviacioni civil, shërbimet meteorologjike dhe misionet hapësinore.
Ajo shpjegoi gjithashtu se radarët nuk mund të shkaktojnë ndryshime në klimë apo në mot. “Valët elektromagnetike në këto frekuenca nuk ndryshojnë strukturën e grimcave të shiut apo reve, dhe atmosfera është plotësisht transparente ndaj valëve të frekuencave të larta. Nga ana tjetër, radarët me brez X përdoren nga meteorologët për të zbuluar dhe hartuar grimcat e shiut në distanca shumë të gjata,” tha Galiegue.
Maria Sabrina Greco, profesore në Universitetin e Pizës konfirmoi për AFP se “nuk ka radarë të aftë për të shkaktuar ndryshime klimaterike ose manipulime të motit.”
Ndërkohë, HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.
Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.
HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.
“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP.