Pretendimi: Kjo video tregon një pilot shqiptar dhe babain e tij në shkallët e një avioni
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
————————————————————-
Një video që ka marrë gati 10 mijë pëlqime dhe mbi 800 komente në Facebook pretendohet se tregon një pilot shqiptar që i shpreh mirënjohjen babait të tij të moshuar dhe të veshur keq në shkallët e avionit. Në videon e shkurtër, piloti dëgjohet të thotë se karrierën si pilot e ka falë babait të tij, dhe fton shikuesit t’i urojnë jetë të gjatë të atit.

Megjithatë, video e mësipërme, ‘personat’ në të dhe historia e tyre janë trillim. Ato janë gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Kjo dallohet nga e folura dhe lëvizjet e panatyrshme të pilotit, si dhe ndriçimi dhe kontrasti tepër kinematografik i videos.
Për më tepër, avioni pas dy burrave nuk duket se ka asnjë shenjë që identifikon kompaninë ajrore të cilës i përket. Shenja e kombësisë për avionët civilë të regjistruar në Shqipëri është “ZA”, pasuar nga një vizë dhe tre shkronja. Megjithatë, në regjistrin e avionëve civilë të regjistruar në Shqipëri nuk figuron asnjë avion i regjistruar me kodin “ZA-BAA”.

Video është shembull i çfarë është quajtur ‘AI slop’ që përkthehet në “llum AI.”
Llum AI quhen imazhe, video apo shkrime me cilësi të ulët të krijuara duke përdorur teknologjinë gjeneruese të inteligjencës artificiale dhe të karakterizuara nga një mungesë e theksuar e përpjekjes, logjikës ose kuptimit.
Llumi AI zakonisht ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë komenteve, e kështu zakonisht konsiston në imazhe, dhe histori shoqëruese, që ngjallin emocione të forta tek njerëzit, si mallëngjim për pilotin mirënjohës ndaj babait.
Llumi AI që nxit komplimente, simpati dhe urime në tekstin shoqërues merr shumë angazhim. Postime të tilla mund të dallohen nga fjali si “E bëra me duart e mia, por jam i trishtuar sepse askush nuk e pëlqeu punën time”, “Sot është ditëlindja ime” ose “Nuk do të pendoheni kurrë që e keni pëlqyer këtë foto”.

Shembuj të llumit AI në Facebook
Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.






