Pretendimi: Ky instrument muzikor provon ekzistencën e gjigandëve
Verdikti: E pavërtetë
Vjolanda Peca
Një prej teorive të përhapura konspirative në rrjet është dhe ajo për ekzistencën e gjigandëve, të cilët kanë ekzistuar më parë dhe provat për këtë mbahen të fshehta. Nën këtë vullnet për të gjetur prova për këtë ekzistencë, ndahet së fundi dhe një foto e një instrumenti gjigand muzikor në formën e violinës. Foto shoqërohet me postimin “Gjigantët dhe fshehja e ekzistencës së tyre”.
Verifikimi i mëtejshëm i fotos zbulon se kemi të bëjmë me një foto origjinale, por instrumenti muzikor në të, i cili quhet oktobas, është ndërtuar qëllimisht në përmasa gjiganteske.
Oktobasi, një krijim i ndërtuesit francez të instrumenteve Jean-Baptiste Vuillaume rreth vitit 1850, është jashtëzakonisht i rrallë. Vetëm shtatë ekzemplarë janë ndërtuar ndonjëherë. Në fillim të këtij muaji, në një festival muzike në Norvegji, u shfaq një oktobas i ri, duke ngritur kureshtje dhe interes të madh.
Ky instrument me një lartësi prej 3.85 metrash (mbi 12.5 këmbë), është një kryevepër e ndërtuar nga pesë lloje të ndryshme druri dhe tela të bëra nga zorrët e 200 deleve. Tingulli i tij është i fuqishëm dhe disa nota mund të bien nën pragun e dëgjimit njerëzor, duke e bërë atë një instrument unik.
Guro Moe, një muzikante eksperimentale, ka porositur ndërtimin e këtij oktobasi të ri. Moe, e cila ka luajtur kontrabas për vite me radhë dhe është pjesë e një bande rok, ka treguar interes të madh për oktobasin, duke eksperimentuar me tinguj të rinj që nuk i kishte hasur më parë. Ajo thotë se oktobasi ka një ndikim të fortë fizik, duke depërtuar në sistemin nervor të njeriut.
Mjeshtri gjerman që ndërtoi oktobasin, ka punuar për 13 muaj për të krijuar këtë instrument të jashtëzakonshëm. Procesi i ndërtimit përfshinte udhëtime për të studiuar ekzemplarët ekzistues dhe për të bërë rregullime të personalizuara që e bëjnë oktobasin e tij pak më të madh se të tjerët.
Pra oktabasi është një vegël muzikore e ndërtuar qëllimisht aq e madhe për të marrë vëmendjen e audiences dhe jo një provë e gjigandizmit.