Ky faturim i ajrit për naftë nuk është filmuar në Shqipëri

6

Pretendimi: Kjo video tregon se si karburantet në Shqipëri vjedhin njerëzit duke i faturuar për ajër si të ishte naftë

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————–

Një video që duket se tregon një mënyrë me të cilën pikat e karburantit mund të mashtrojnë klientët, duke i faturuar për karburant që në fakt nuk shkon në depozitën e makinës, po shpërndahet gjerësisht në rrjete sociale. 

Megjithëse komentuesit në rrjetet sociale i referohen pikave të karburantit në Shqipëri, video nuk është xhiruar në këtë vend.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është botuar fillimisht në TikTok më 10 mars 2026, nga një llogari me emrin @tahirstar30.

Përshkrimi që shoqëron videon përmban etiketën “Irlandë”, duke treguar se ka gjasa që video të jetë xhiruar në Irlandë.

Megjithatë, shkrimi dygjuhësh në hollandisht dhe frëngjisht mbi shpërndarësin e karburantit sugjeron gjithashtu se video mund të jetë xhiruar në Belgjikë.

Ç’është e sigurt është se video nuk është xhiruar në Shqipëri.