Ky elefant hero që shpëton drerin nga mbytja nuk është i vërtetë

11

Pretendimi: Kjo video tregon një elefant që shpëton një dre të vogël nga mbytja

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————–

Një video prekëse që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon një elefant që shpëton një dre që po mbytet. Video ngjall natyrshëm interes për ndihmën që i japin njëri-tjetrit kafshët, në kontrast shpesh me sjelljen e njerëzve.

Megjithëse pamjet e mësipërme të ngrohin zemrën, ato fatkeqësisht janë të rreme. 

Dyshimet e para për një sy të vëmendshëm duhet të lindin kur bashkohen në të njëjtin habitat elefanti aziatik, në një pyll tropikal të goditur nga musonet, me një lloj dreri që jeton në Evropë dhe Amerikën veriore.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje zbuloi se video e mësipërme është postuar fillimisht në Tik Tok më 6 nëntor 2025. Krijuesi e etiketon atë si të gjeneruar nga programe të inteligjencës artificiale (AI) në postimin origjinal.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.