Pretendimi: Ky imazh tregon një polic që sapo u bë baba
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————-
Një imazh që ka marrë mbi 10 mijë pëlqime në Facebook dhe 5 mijë në Instagram pretendohet se tregon një polic shqiptar 37-vjeçar i cili është bërë baba, por askush nuk e kishte uruar.

Megjithatë, imazhi i mësipërm, ‘personat’ në të dhe historia e tyre janë trillim. Ato janë gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti një tjetër version gati identik të imazhit. I vetmi ndryshim ishte stema në krahun e policit, e cila nuk është më me flamurin shqiptar, por me atë kosovar.

Ky imazh është shembull i çfarë është quajtur ‘AI slop’ që përkthehet në “llum AI.”
Llum AI quhen imazhe, video apo shkrime me cilësi të ulët të krijuara duke përdorur teknologjinë gjeneruese të inteligjencës artificiale dhe të karakterizuara nga një mungesë e theksuar e përpjekjes, logjikës ose kuptimit.
Llumi AI në Facebook zakonisht ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë komenteve, e kështu zakonisht konsiston në imazhe, dhe histori shoqëruese, që ngjallin emocione të forta tek njerëzit, si keqardhje për babain e ri të cilin nuk e ka uruar askush.
Llumi AI që nxit komplimente, simpati dhe urime në tekstin shoqërues merr shumë angazhim. Postime të tilla mund të dallohen nga fjali si “E bëra me duart e mia, por jam i trishtuar sepse askush nuk e pëlqeu punën time”, “Sot është ditëlindja ime” ose “Nuk do të pendoheni kurrë që e keni pëlqyer këtë foto”.

Shembuj të llumit AI në Facebook
Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.






