Ka përfunduar afati që Gjykata Kushtetuese i la Kuvendit një vit më parë për të plotësuar boshllëkun ligjor që pengon votimin e emigrantëve për zgedhjet në Shqipëri. Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës së shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, vendosi se i takon Kuvendit të mundësojë të drejtën kushtetuese të diasporës për të votuar. Një vit pas këtij vendimi rezulton se Kuvendi nuk ka asnjë dokument apo plan pune për zbatimin e tij. Arsyet, përse diaspora e “tremb” politikën shqiptare, i shpjegon për Faktoje studiuesi Afrim Krasniqi.
“Garantimi i të drejtës së votës nga Kushtetuta nënkupton se është detyra e ligjvënësit ta materializojë dhe specifikojë këtë të drejtë në ligje përkatëse.”
Kështu shkruan vendimi 38 i vitit 2022 i Gjykatës Kushtetuese që shqyrtoi kërkesën e shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” për cënimin e të drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet e fundit parlamentare. Gjykata gjithashtu i tërhoqi vëmendjen Kuvendit për mënyrën e paqartë dhe jo në përputhje me Kushtetutën të përfshirjes në Kodin Zgjedhor të së drejtës për votën e emigrantëve, që cënon këtë të drejtë kushtetuese.
“E drejta kushtetuese e votës së kësaj kategorie për shkak të boshllëkut ligjor ka mbetur thjesht një parashikim deklarativ, i pazbatueshëm efektivisht në praktikë, duke mbetur në thelbin e saj iluzive”.
– Gjykata Kushtetuese vendimi 38/22
Kjo rrëzon plotësisht pretendimin e mazhorancës se ata e bënë detyrën e tyre dhe se tani i përket KQZ-së të përgatisë paketën ligjore.
“Gjykata vlerëson se i përket Kuvendit të plotësojë boshllëkun ligjor të lartpërmendur brenda një afati që në rastin konkret konsiderohet të caktohet një vit nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.” – përcakton vendimi i Gjykatës Kushtetuse.
Sot, një vit pas këtij vendimi, Kuvendi nuk ka asnjë dokument apo plan pune për zbatimin e tij. Shkak për këtë, Afrim Krasniqi, hulumtues i sistemeve zgjedhore dhe drejtues i Institutit për Studime Politike, vlerëson se është kriza parlamentare e vjeshtës dhe mungesa e vullnetit politik.
“Kjo është situatë paradoksale ku Kuvendi i Shqipërisë, institucioni më i lartë përfaqësues refuzon dhe nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që janë të detyrueshme për institucionet.” – Afrim Krasniqi
Krasniqi e quan këtë një dëm ndaj kulturës politike, sjelljes institucionale dhe standardit kushtetues të qeverisjes në Shqipëri. Arsye për këtë mungesë vullneti politik, Krasniqi sheh llogaritë elektorale të partive të mëdha.
“Palët janë më shumë të interesuara për të kontrolluar votuesit brenda sesa për ta zgjerurar demokracinë përfaqësuese, mundësinë përfaqësuese dhe aksesin e shqiptarëve që jetojnë jashtë për të ndikuar sistemin politik.” – argumenton Krasniqi, i cili thekson dy arsyet kryesore pse diaspora e “tremb” politikën e vjetër.
Arsyeja e parë është ajo statistikore.
Diaspora sipas INSTAT në vitin 2020 – i fundit për këtë statistikë – përllogaritet 1.684.135 individë jashtë territorit të Shqipërisë. Popullsia e Shqipërisë në 2020-n ishte 2.845.955 banorë. Pra, në vitin 2020 diaspora përfaqësonte 37% të shqiptarëve gjithësej. E nëse marrim parasysh trendin rritës të diasporës shqiptare, kjo përqindje tani pritet të jetë edhe më e lartë.
Arsyeja e dytë, për studiuesin Krasniqi, lidhet me cilësitë e kësaj pjese të popullsisë.
“Në kushtet kur vendi ndodhet në krizë besimi dhe kur partitë në vend kanë nivel të ulët mbështetjeje publike atëherë grupet e reja, politika apo forca të mbështetura nga diaspora mund të bënin ndryshim politik në Shqipëri” dhe është pikërisht kjo sipas Krasniqit, arsyeja përse parlamenti refuzoi ta përfshinte në kalendar dhe refuzoi që strukturat ta përcaktojnë si detyrim në agjendën prioritare të Parlamentit.
Dr. Klodian Rado, konstitucionalist dhe ekspert ligjor i Diaspora për Shqipërinë e Lirë thekson se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet e përgjithshme pa votën e diasporës në Shqipëri do të ishin antikueshtetuese, dhe pa ndonjë efekt juridik.
“Respektimi dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është themel i një shteti demokratik dhe të drejtës dhe të mos zbatosh vendimin e një gjykate, sidomos te Gjykates më të lartë, tregon se ke filluar të mendosh që mos të ketë me shtet, dhe ky sinjal kurrësesi nuk duhet të vinte nga Kuvendi i Shqipërisë.” – Dr. Klodian Rado.
Për shoqatën Diaspora për Shqipërinë e Lirë, në rast të mos plotësiit të boshllëkut ligjor, aksioni do të vijojë.“Ky aksion përfshin gjithë spektrin e mundshëm të reagimit qytetar të tilla si: presioni publik, vënia ne dijeni e aktorëve ndërkombëtarë për këtë cështje, përdorimi i instrumentave politike në Kuvend sipas Rregullores te Kuvendit, e deri tek përdorimi i mjeteve ligjore për ekzakutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.”
Garantimi i votës së diasporës ka qenë premtim i herëshëm i qeverisë Rama. Në 2017, shefi i kabinetit qeveritar thonte se zgjedhjet e vitit 2017 do të ishin të fundit ku diaspora nuk mund të votojë direkt nga ku ndodhet. Nisur nga ky premtim i dhënë dhe nga fakti se Kuvendi ende nuk e ka përmbushur detyrimin e tij kushtetues për të mundësuar votën e diasporës, premtimin e konsiderojmë të pambajtur.