Kushtetuesja pezullon dekretin e Presidentit, nuk ka zgjedhje në Tiranë, por PS vijon punën

Gjykata Kushtetuese shpalli si të pavlefshëm dekretin e kreut të shtetit Bajram Begaj për zgjedhjet e pjeshme lokale në Bashkinë Tiranë.

43

Sebi Alla- Gjykata Kushtetuese shpalli si të pavlefshëm dekretin e kreut të shtetit Bajram Begaj për zgjedhjet e pjeshme lokale në Bashkinë Tiranë. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Gjykata publikoi ekstraktin e vendimit, i cili nuk pati asnjë diskutim, pasi në mënyrë unanime të gjithë anëtarët votuan për të pezulluar dekretin e Presidentit të Republikës që përcaktonte datën 9 nëntor për zgjedhjet e pjeshme lokale.

“Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erion Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë Dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë”, thuhet në njoftim.

Ky vendim nuk prek 5 bashkitë e tjera, Vlorë, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Berat, ku në 9 Nëntor do të zgjidhen kryetarët e rinj bashkiakë. Në këtë mënyrë Erion Veliaj, nga ish-kryetar për një javë, u kthye në kryetar, ndonëse nuk ushtron këtë funksion që nga 10 shkurti i këtij viti kur u arrestua në zyrë për katër akuza, korrupsion pasiv, fshehje të të ardhurave, pastrim parash dhe shpërdorim detyre në 13 raste.

Dekreti i shumëdiskutuar

Nëpërmjet një dekreti të shumëdiskutuar, Presidenti i vendit Bajram Begaj nuk priti as 48 orë nga momenti i mbërritjes së vakancës dhe vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt, duke dekretuar zgjedhjet më datë 9 nëntor.

Më datë 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet në gjashtë bashki të vendit, por ndërsa për pesë bashkitë e tjera nuk kishte asnjë pretendim, ajo e Tiranës ishte rast specifik që më së paku kërkonte thellim në interpretim të Kushtetutës së vendit. Fillimisht Presidenti i Republikës sqaroi se për vakancën në Tiranë, ai shqyrtoi procedurën e ndjekur nga Këshilli Bashkiak i Tiranës e më pas nga kryeministria.

Duke iu referuar “neneve kushtetuese”, kreu i shtetit interpretonte se Këshilli i Ministrave e ka bazuar vendimin për shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut në një dispozitë të veçantë ligjore (Ligji për “Vetqeverisjen vendore”) pas mungesës 3-mujore në punë, e cila dallon sipas tij nga rasti i shkarkimit për shkelje të Kushtetutës që referon neni 115. “Mendoj se jam shërbëtor i Kushtetues si ushtar i parë i mbrojtjes së saj  dhe në asnjë rast në asnjë moment këtë betim mbi Kushtetutë nuk do ta harroj e nuk do ta cenoj”, tha kreu i shtetit pak orë pas dekretit në emisionin “Top Story”, në një intervistë me Grida Duman.

Por konstitucionalistë në vend e konsideruan dekretin si cenim të Kushtetutës dhe tashmë edhe Gjykata Kushtetuese duke vendosur për pasojë pezullimin e dekretit.

Debatet juridike 

Avokatët e Veliajt pretenduan në padinë e tyre se çështja duhet të trajtohet në Kushtetuese, pasi lidhet me rastet e shkeljes së Kushtetutës nga një i zgjedhur nga populli dhe se, vetë legjislatori, sipas tij, ka përcaktuar se ligji ku është referuar edhe shkarkimi i tij, ka dalë edhe në bazë dhe për zbatim të nenit 115 të Kushtetutës.

Neni në fjalë pezullon automatikisht vendimin për shkarkimin, nëse i zgjedhuri i shkarkuar i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Me shmangien e këtij neni të Kushtetutës presidenca sugjeroi” se Veliaj mund t’i drejtohej për këtë çështje Gjykatës Administrative, por vendimi i sotëm rrëzoi dekretin presidencial.

Reagimet

Pas vendimit të Kushtetueses i pari që reagoi ishte kryetari i PD-së Sali Berisha i cili përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe hodhi akuza ndaj kreut të shtetit.

“Zoti Begaj është i padenjë, jo për postin e Presidentit, por me dosjet që i rëndojnë është skllav i akteve të tij kriminale me plaçkitjen e pronave të ushtrisë, me Edi Ramën. I lejoi vetes të firmosë një vendim që kurrë nuk mund ta firmoste”, tha Berisha.

Ndërkohë strukturat e PS po udhëzohen që të vijojnë punën në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet më 9 Nëntor

“Përshëndetje! Ju rikujtoj për takimet e sotme sipas orareve dhe grupeve përkatëse. Mire u takofshim”, thuhet në mesazhin që u ka mbërritur strukturave të PS.