Dy vite pas tragjedisë bashkia e Kurbinit është ende një kantier i hapur rindërtimi, si për pjesën e banesave individuale dhe kolektive, ashtu edhe për një pjesë të konsiderueshme të institucioneve arsimore. Shkolla “Gjon Gjonaj” në këtë bashki është një prej institucioneve, që u shemb për t’u ndërtuar një godinë nga e para, por që ende sot nuk ka përfunduar së rindërtuari.
Në nisje të vitit shkollor 2020, Majlida Cara kryetarja e bashkisë së Kurbini do të premtonte që nxënësit e shkollës 9-vjeccare “Gjon Gjonaj” do të uleshin në banka e një shkolle të re, po pa dhënë një afat të saktë kohor se kur do të përfundonte rindëertimi i kësaj shkolle.
Në datën 27 janar 2021, kryebashkiakja Cara publikoi një listë të investimeve që sipas saj janë bërë dhe po bëhen në këtë bashki, ku mes të cilave listonte edhe shkollën “Gjon Gjonaj”. Edhe në këtë rast Cara, nuk vendoste asnjë datë të nisjes dhe përfundimi të objekteve, apo se kush prej tyre kishte përfunduar apo ishte në përfundim
*Postimi i kryebashkiakes Majlinda Cara në datën 27/01/2021
Fillimisht kjo shkollë rezulton se ka njësi zbatuese Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ndërkohë në vendimin nr. 53 datë 10.10.2020, kjo shkollë i caktohet Bashkisë Kurbin si njësi zbatuese për rindërtim.
Faktoje kërkoi për procesin e tenderimit të këtij objekti dhe nisjen e projektit të tij. Sipas të dhënave nga Open Data rezulton se data e lidhjes së kontratës është 19.02.2021 ndërsa afati për zbatimin është 5 muaj nga data e lidhjes së kontratës.
*Të dhënat për datën e lidhjes së kontratës
*Të dhënat për kohëzgjatjen e kontratës
Sipas të dhënave nga njoftimi i kontratës shkolla duhet të kishte përfunduar në muajin qershor të viti 2021. Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion bashkisë Kurbin, për të mësuar nëse kjo godinë ka përfunduar dhe morëm këtë përgjigje.
*Pergjigje nga bashkia Kurbin për Faktoje.al
Faktoje shkoi në terren në shtator dhe tetor 2021 dhe pamja e shkollës “Gjon Gjonaj” ishte si më poshtë.
*Pamje nga shhkolla Gjon Gjonaj e cila është ende duke u ndërtuar 25/10/2021
*Pamje nga shhkolla Gjon Gjonaj e cila është ende duke u ndërtuar 25/10/2021
Në këtë kantier nuk kishte asnjë tabelë informuese mbi projektin në fjalë, dhe Faktoje nuk gjetu asnjë punonjës, i cili mund të jepte ndonjë informacion më tepër për zhvillimin e punimeve.
Në 17 nëntor 2021, Faktoje u rikthye pranë shkollës “Gjon Gjonaj”, për të parë nëse punimet për këtë objekt arsimor kishin përfunduar, por godina ishte ende në proces rindërtimi.
*Shkolla “Gjon Gjonaj” 17/11/2021
*Shkolla “Gjon Gjonaj” 17/11/2021
Ne biseduam me inxhinierin që mbikqyrte punimet, i cili na bëri me dije se punimet pritej të përfundonin në muajin maj të vitit 2022.
“Shkolla do të jetë gati në muajin maj 2022, punimet janë shtyrë nga data fillestare e projektit vetëm me 20 ditë, pasi u kryen edhe disa studime të tjera të sipërfaqes së tokës mbi të cilën do të kryheshin punimet. Ky terren është i rrëshkitshëm, ndaj kërkuam të tjera studime përpara nisjes së punimeve. Megjithatë kjo nuk e ngadalëson projektin” – u shpreh për Faktoje, F.M.
Nga të dhënat e publikuara dhe nga verifikimin në terren, rindërtimi i shkollës “Gjon Gjonaj” brenda afati 5 mujor të përcaktuar në kontratë, do ta kategorizojmë gjysmë të mbajtur.
*“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.