Supozohet se kemi evoluar përtej maksimës se “një vajzë bëhet grua, kur bën seks”. Megjithatë, në etjen e tyre të shkujdesur për klikime, mediat vazhdojnë të mbështesin këtë bindje të vjetëruar, me një ndryshim pervers: një vajzë ndalon të trajtohet si një fëmijë, kur bëhet viktimë e dhunës seksuale. Gjuha e përdorur nga media, riprodhimi i tyre jokritik i mbrojtjes së predatorëve dhe botimi i pakujdesshëm i detajeve identifikuese nga ana e tyre errësojnë faktin se viktimat vajza janë fëmijë, të cilat nuk mund të japin pëlqim për seks, e aq më tepër me të rriturit.
Patris Pustina
Abuzimi seksual i një vajze 13-vjeçare në Tiranë, në Shkurt 2024, u pasqyrua shkurt në media. Shumica e e portaleve online u mjaftuan me ribotimin e njoftimit të përditshëm të Policisë së Shtetit, ku, mes të arrestuarve për përndjekje dhe drejtim të mjetit në gjendje të dehur, përfshihej edhe arrestimi i një 18-vjeçari për përdhunimin e të miturës dhe dhunë ndaj gruas së tij.
Megjithatë, pak ditë më vonë, një emision paraditeje vendosi të hetojë më tej këtë çështje. Pasi shkoi në lagjen e varfër, ku ndodhi ngjarja, televizioni intervistoi babanë e viktimës. Puna e tyre u prezantua kështu online:
Intervista një minutëshe përbëhet nga disa pyetje në lidhje me rrethanat e sulmit dhe mirëqenien e të miturës. Pasi babai i viktimës përmend se familja e të akuzuarit synon të kërkojë dorën e vajzës në martesë, intervista merr një tjetër kthesë.
Më pas gazetarja vazhdon të pyesë burrin nëse fëmija 13 vjeç ka patur një lidhje të mëparshme me dhunuesin e saj. Ajo pyet babain e viktimës nëse ai do të pranonte ta martonte vajzën e tij me dhunuesin.
Përgjigja e tij siguron edhe karremin e lakmuar për klikime: “Tani, përderisa ka bërë këtë, ndoshta ka menduar ta marrë për nuse.” Gazetarja këmbëngul, duke e pyetur nëse do të ishte dakord që përdhunuesi i vajzës së tij të kishte dy gra apo nëse do të dëshironte që ai të ndahej fillimisht nga gruaja aktuale.
Ajo që babai i viktimës mund të mos e dijë dhe gazetarja që e interviston duhet ta dijë është se, në Shqipëri, një fëmijë 13-vjeç nuk mund të japë ligjërisht pëlqim për seks. Linja e pyetjeve të gazetares e errëson këtë fakt, duke e përfaqësuar viktimën 13-vjeçare si një të rritur, që mund të japë lirisht pëlqim për një ‘marrëdhënie’ ose martesë, aq më tepër me një burrë të rritur.
Ky nuk është rasti i vetëm që media i trajton vajzat që janë dhunuar seksualisht sikur të ishin të rritura.
Duke riprodhuar në mënyrë jokritike pretendimet e mbrojtjes së dhunuesve, media përhap dhe më tej përshtypjen se vajzat që janë dhunuar seksualisht nuk janë fëmijë që duhen mbrojtur, por të rritura të afta për të kërkuar dhe për të dhënë pëlqimin për seks. Pëlqimi i të miturve nuk është dhe nuk duhet të jetë faktor përcaktues në kriminalitetin e veprimeve seksuale të kryer ndaj tyre.
Për shembull, emisioni i lartpërmendur përsëriti pretendimet e familjes së të akuzuarit se ai dhe viktima e tij 13-vjeçare “kanë qenë të lidhur dhe marrëdhëniet nuk janë kryer me dhunë”.
“Zbardhen dëshmitë/ Adoleshentja në Sarandë: 72-vjeçari ka abuzuar me mua për 4 vite me radhë! I moshuari: Më ka provokuar vetë,” raporton media në rastin e një 17-vjeçareje, e cila ishte dhunuar prej 4 vitesh nga një 72-vjeçar.
“Greqi/ Zbulohet aplikacioni ku 53-vjeçari komunikoi me 212 klientë për 12-vjeçaren, rrëfimi i tij: Kryem marrëdhënie me dëshirën e saj kur kisha gruan me pushime”, është si raportohet përdhunimi dhe trafikimi i një vajze 12-vjeçare në Greqi.
Mediat gjithashtu nxituan të ribotonin deklaratën e një burri që kishte dhunuar seksualisht të bijën për 16 vjet, duke filluar që në moshën 9-vjeçare, duke e lënë edhe shtatzënë në moshën 19-vjeçare. Mbrojtja e tij duhet të tingëllojë e njohur tashmë: “Fillimisht ndodhi më dëshirën e vajzës, më pas këmbëngulja unë.”
Etiketimi i përdhunimit të fëmijëve si “seks” në vend të “dhunë seksuale” errëson gjithashtu faktin që fëmijët nuk mund të japin pëlqim për marrëdhënie seksuale, aq më tepër me të rriturit. Megjithatë, mediat vazhdimisht e bëjnë këtë.
Të flasësh sikur fëmijët vajza mund të sillen si të rritura përbën keqinformim.
Sipas Kodit Penal, marrëdhënia seksuale me një fëmijë më të vogël se 14 vjeç dënohet me ligj (neni 100), pavarësisht nëse kryhet me dhunë ose jo (neni 107/a). Çdo propozim i një të rrituri, bërë ndaj një fëmije me qëllim për të kryer marrëdhënie seksuale, dënohet gjithashtu me ligj (neni 108).
Mediat i trajtojnë viktimat vajza si të rritura, edhe kur, në entuziazmin e tyre për të mbledhur klikime, ekspozojnë çdo detaj të ngjarjes pa marrë parasysh ruajtjen e privatësisë së fëmijës. Një rast i njohur ndodhi në vitin 2020, kur portale të ndryshme publikuan informacione identifikuese, përfshirë emrat e prindërve të viktimës, shkollën dhe pamje të shtëpisë së saj, pas dhunimit të një vajze 15-vjeçare.
Kjo, edhe pse Kodi i Transmetimit i Autoritetit të Mediave Audiovizive këshillon mediat që të shmangin publikimin e informacionit që mund të përdoret për të identifikuar fëmijët, veçanërisht fëmijët viktima.
Perceptimi i fëmijëve vajza si të rritura seksualisht manifestohet edhe në llojin e dhunës seksuale që ato përjetojnë. Sipas një raporti të Barnhaus , fëmijët vajza përjetojnë përdhunim në një shkallë më të lartë se djemtë, “të cilët, si përvojë parësore, raportuan dhunën seksuale në formën e ‘prekjes/përkëdheljes së organeve gjenitale’”. Sipas të dhënave, “vajzat shihen nga abuzuesit e tyre si një element thelbësor i aktivitetit seksual, që përfshin përdhunimin, ndërsa djemtë shihen si pjesëmarrës në “lojëra” seksuale, pa pasur nevojë të përdhunohen”.
Duket se, duke përfaqësuar fëmijët vajza si të rritura funksionale, të cilat mund të pranojnë seksin me të rriturit, media bashkohet në pikëpamje me përdhunuesit e fëmijëve.
Sipas një studimi të BECAN, 1 në 10 fëmijë në Shqipëri janë viktima të dhunës dhe ngacmimeve seksuale. Media mund të jetë një aktor i fuqishëm dhe i dobishëm në këto raste. Sipas një Barnhaus, media referoi 40% të rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve që qendra ka trajtuar gjatë viteve 2019-2023. Kështu, është thellësisht zhgënjyese që mediat, në etjen e tyre dritëshkurtër për klikime, zgjedhin të përdorin fuqinë e tyre në dëm të mirëqenies së fëmijëve viktima.
*Ky shkrim është realizuar nga Faktoje si pjesë e projektit “Thuaj po dashurisë, jo gjuhës së urrjetjes”, që mbështetet nga iniciativa rajonale e Agjencive të Kombeve të Bashkuara “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen. Në Shqipëri kjo iniciativë zbatohet nga zyrat lokale të UNFPA dhe UNDP.
Opinionet e shprehura këtu janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e UNFPA dhe UNDP.