Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar shpesh herë se ai nuk ndërhyn dhe nuk i komenton vendimet e gjykatave. Ishte një prej atyre parimeve që ai i shfaqte si trofe të reformës në drejtësi: “Për sa kohë e kemi zgjedhur këtë sistem, duhet të pajtohemi edhe me faktin se pushtetet e pavarura mund të marrin vendime që nuk na pëlqejnë. Unë nuk dua t’i komentoj vendimet e gjykatave sepse nuk më takon,” shkruante ai në shkurt të vitit 2022.

Në të njëjtin muaj, kur u pyet për dënimin me burg të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Rama përsëriti të njëjtën linjë: “Unë nuk komentoj asnjëherë vendimet e gjykatave. Unë e kam ditur mirë çfarë kam bërë kur kam udhëhequr reformën në drejtësi”
Mos komentimin e vendimeve të gjykatës, madje, kryeministri e përdori edhe për të treguar ndryshimin mes tij dhe opozitës. Kur gjykata dënoi deputetin demokrat Ervin Salianji për shpifje Rama shkroi se, nuk komentonte vendimet e gjykatave kur ato nuk janë përfundimtare, por theksoi se ka të drejtë të shprehë publikisht opinionin e tij kur gjykatat japin drejtësi deri në fund.
“…Kundërvënia me egërsi ndaj një vendimi gjykate të formës së prerë (…) flet shumë qartë për dallimin mes dy botëve që ndajnë shumicën e Shqipërisë me Mbretërinë e Shpifarakëve”- shkruante asokohe kryeministri.
Por, ashtu siç shpesh ndodh në politikën shqiptare, parimet duket se kanë jetëgjatësi më të shkurtër se statuset në rrjete sociale.
Një vit më vonë, kryeministri u shndërrua nga spektator i heshtur në komentator i zjarrtë kur zgjodhi të sulmonte drejtpërdrejt një gjykatës, Hazbi Balliun e Gjykatës Administrative, për vendimin e tij që ndalonte vendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në një objekt të konfiskuar nga shteti.
Objekti në fjalë është ende pjesë e një beteje gjyqësore, pra nuk ka vendim të formës së prerë. Por kjo nuk e pengoi kryeministrin të komentonte përmes një postimi në Instagram, ku akuzoi gjykatësin për “marrje në mbrojtje” të ndërtuesve të paligjshëm dhe vuri në dyshim integritetin e tij profesional.
“Më në fund gjykatësi Balliu e nxorri arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz… Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të Republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit a të gjykatës Balliut,” shkroi Rama.
Kryeministri, i cili dikur theksonte rëndësinë e stoicizmit institucional dhe që drejton institucionet përgjegjëse për ndalimin e ndërtimeve pa leje, por që shpesh i kanë lejuar dhe më pas legalizuar ato, sot akuzon gjyqtarët se mbrojnë ndërtuesit e paligjshëm, për një proces gjyqësor ende të papërfunduar.
Në fund, ajo që duket qartë është se pretendimi i kryeministrit se nuk komenton vendimet e gjykatave, sot mbetet një premtim politik i dhënë dikur, por i pambajtur.