5 vite pas tërmetit, në qytetin e Durrësit gjen ende inerte të ndërtesave të shembura. Në vitin 2019 qeveria u angazhua për pastrimin e tyre, por nga një verifikim dy muajt e fundit, situata në terren tregon të kundërtën. Bashkia e Durrësit shmangu përgjegjësinë në lidhje me pastrimin e inerteve duke e devijuar përgjigjen në një aspekt tjetër.

Pas tërmetit tragjik të nëntorit të 2019-s, një prej premtimeve të përsëritura të qeverisë ishte pastrimi i territorit nga inertet.

“Na duhet nesër harta e Durrësit me pikat ku janë inertet. Do ta pastrojmë para Vitit të Ri komplet. Siç u pastrua Lana me kuadrate. Kompanitë e ndërtimit do t’i thërras unë ky është kuadrati yt, shko pastroje”-deklaroi kryeministri Edi Rama në dhjetor të vitit 2019.

Gjatë një verifikimi nga Faktoje në mesin e muajit maj rezulton se shumë inerte kanë mbetur aty edhe pse kanë kaluar 5 vite nga fatkeqësia natyrore. Mes pallateve të pashembura dhe inerteve që nuk janë pastruar ende, në qytetin bregdetar duket sikur koha ka ndaluar.

Në lagjen 13 të Durrësit, e njohur si zona e plazhit dallohen qartë grumbujt e interteve të objekteve të shembura.

“Gërmadha kanë ngelur që prej tërmetit, asgjë nuk kanë hequr. Vijnë njerëz akoma që kërkojnë për të hequr ndonjë kabull, ndonjë gjë. Shumë rrëmujë dhe pisllëk”, thotë Ruse Haruni, banesa e të cilës u dëmtua nga tërmetit i 2019-s.

Lagjia 13, zona e plazhit në Durrës

Në zona të tjera të Durrësit, pallatet e dëmtuara nuk janë shembur ende, duke u kthyer në burim rreziku, por edhe ndotjeje për qytetin. Pallatet e dëmtuara në lagjen numër 5 në qytetin e Durrësit janë shndërruar në vende depozitimi mbetjesh.

Pallat në lagjen 5 në Durrës

Në një intervistë për Faktoje, urbanisti Artan Kaçani ka ngritur shqetësimin se pallatet e dëmtuara që ende nuk janë shembur janë një burim serioz rreziku për qytetarët.

“Duke pasur një vend që teknikisht është një vend krimi mund ta quajmë kështu, një vend që mund të gjenerojë një vrasje, një humbje jete, një dëm njëkohësisht edhe për shoqërinë. Një situatë shumë të fortë që mund të çojë drejtpërdrejt në humbjen e jetës së njerëzve që kalojnë afër këtyre ndërtesave, apo edhe që jetojnë në këto hapësira”, argumentoi Kaçani.

Faktoje pyeti Bashkinë e Durrësit në lidhje me pastrimin e inerteve në këtë qytet. Por bashkia duke e konsideruar të kryer pastrimin nga rrënojat e ndërtesave të shembura para 5 viteve, devijoi përgjigjen. Ajo thotë heqja e mbetjeve pas rindertimit dhe riforcimit të ndërtësave është detyrë e firmave ndërtuese. 

“Ju bëjmë me dije se nga ana e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Bashkia Durrës, për të gjithë objektet e shembura është bërë evadimi i inerteve nga Bashkia. Për sa i përket pallateve dhe objekteve, të cilat janë në procese riforcimi dhe rindërtimi janë firmat ndërtuese, të cilat janë pajisur me lejet përkatëse të cilat e kanë për detyrë pastrimin dhe evadimin e inerteve”, njoftoi Bashkia Durrës më 13 qershor 2024.

Ndërkohë fotot e shkrepura nga Faktoje tregojnë qartësisht se grumbujt e inerteve i përkasin ndërtesave të shembura para 5 vitesh, një detyrim i papërmbushur i pushtetit vendor.

Në një sërë artikujsh Faktoje ka raportuar mbi shkeljen e premtimeve për pastrimin e inerteve në Durrës.

Përfundim

Nga verifikimi në terren vendosëm që premtimin e kryeministrit Rama për pastrimin e territorit nga inertet e ndërtesave të shembura pas tërmetit të 2019-s, do ta kategorizojmë Të Pambajtur.

Artikulli paraprakPëllumbat spiunë, një imazh i krijuar nga Inteligjenca Artificiale
Artikulli tjetërI keqintepretuar studimi holandez mbi vdekjet e tepërta pas Covid-19
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.