Pretendimi: Më 11 shtator 2001, një armë me energji direkte goditi Kullën Veriore të Qendrës Tregtare Botërore, aty ku Akti për Sigurinë Ekonomike Kombëtare dhe Reformën (NESARA) kishte kompjuterë.
Verdikti: E paprovuar
———————————————–
Në përvjetorin e shkatërrimit të Kullave Binjake në ShBA më 11 shtator, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, riqarkullojnë teori konspirative dhe pretendime keqinformuese mbi sulmin terrorist.
Një version pretendon se, më 11 shtator 2001, Kulla Veriore u godit nga “një armë me energji direkte” dhe më pas shpërthimi i bombave “të vendosura në secilin kat siguruan që ndërtesa të shembej.”

Postimi i mësipërm e lidh shkatërrimin e Kullave Binjake me “NESARA, Akti për Sigurinë Ekonomike Kombëtare dhe Reformën”. Sipas tij, “NESARA kishte kompjuterë” në Kullën Veriore, dhe në bodrumin e saj kishe kamionë me ar, “atje për financimin e NESARA”.
Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk ofron ndonjë provë, burim apo referencë për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm.
Akti i Sigurisë dhe Rimëkëmbjes Ekonomike Kombëtare (NESARA) është një sërë reformash ekonomike të propozuara për Shtetet e Bashkuara të sugjeruara nga qytetari Harvey Francis Barnard gjatë viteve 1990.
Megjithëse Barnard publikoi planin e tij dhe u përpoq ta bindte Kongresin amerikan të vepronte mbi të, kjo nuk çoi askund. Ai hartoi një projektligj që e përfundoi në vitin 1990 dhe u përpoq të gjente një mbështetës në Kongres për ta prezantuar atë. Ai gjithashtu ua propozoi atë kandidatëve të atëhershëm presidencialë, Ross Perot dhe Steve Forbes. “Askush në Kongres nuk do ta prekë këtë. Ata janë të frikësuar për vdekje,” tha ai në një intervistë të vitit 2005.
Midis shumë propozimeve, NESARA do të kishte anuluar të gjithë borxhet, do të kishte hequr taksat mbi të ardhurat dhe do të kishte krijuar një monedhë të re amerikane të mbështetur nga metalet e çmuara.
Pretendimet për NESARA kanë vazhduar që nga vitet 1990, aq sa Departamenti i Thesarit i ShBA lëshoi një deklaratë më 6 qershor 2002, në përgjigje të një komenti publik me shkrim që kërkonte miratimin e NESARA.
“Siç e dini, propozimi i NESARA nuk është paraqitur ende në Kongres, as nuk është pjesë e ndonjë ligji aktual. Departamenti i Thesarit nuk është i autorizuar, sipas sistemit tonë politik të kontrolleve dhe balancave, të ekzekutojë ose administrojë ndonjë pjesë të NESARA, pa fuqinë e ligjit të miratuar nga Kongresi.”
NESARA tërhoqi vëmendjen e amerikanes Shaini Goodwin, e cila filloi të postonte rreth saj nën emrin “Dove of Oneness.” Ajo mori teoritë e Barnard dhe i shtoi atyre me mesazhe të ngjashme me ato të një kulti që i postoi në internet.
Ajo pretendoi se Kongresi e miratoi ligjin në një seancë sekrete në mars të vitit 2000 dhe se Presidenti Clinton e nënshkroi atë në heshtje duke e bërë ligj. Për më tepër, tha ajo, ligji ishte planifikuar të zbatohej më 11 shtator 2001, por Presidenti George W. Bush orkestroi sulmin terrorist për të shkatërruar skedarët kompjuterikë që kishin të bënin me NESARA, të vendosur në njërën nga Kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë.
Versioni i saj i historisë së NESARA, të cilën ajo e riemërtoi Akti i Sigurisë Ekonomike Kombëtare dhe Reformimit, pretendon se Gjykata e Lartë lëshoi një urdhër për të mbajtur çështjen sekrete dhe se një grup ushtarakësh të rangut të lartë dhe zyrtarë të tjerë që ajo i quan Kalorësit e Bardhë kanë luftuar për të zbatuar NESARA.
Disa mbështetës të NESARA së re flasin gjithashtu për GESARA, Aktin Global të Sigurisë Ekonomike dhe Reformimit, dhe dy akronimet shpesh përmenden së bashku.
Barnard tha në 2005 se “mashtruesit” kanë filluar të përdorin akronimin NESARA, duke shpresuar të fitojnë para nga amerikanët naivë. “Ky është mashtrimi,” tha Barnard me një të qeshur duke iu referuar faqes Dove of Oneness.
Sipas News Tribune, “ndjekësit e [Goodwin] nuk e dinë se ajo ka regjistruar një biznes për ta bërë më të lehtë mbledhjen e donacioneve, se ka deklaruar falimentimin të paktën një herë, ose se i detyrohet [Agjencisë amerikane të Tatimeve] 12 mijë dollarë. Shumica as nuk e dinë emrin e saj”
Avokati Jay Adkisson mori vesh për NESARA në vitin 1999 kur lexoi për skemën e mashtrimit të investimeve Omega Trust and Trading. Ai shkroi gjerësisht për të në faqen e tij quatloos.com, të cilën e quan “muze kibernetik i mashtrimeve dhe dredhive.”
“NESARA u bë një burim fitimi për mashtruesit. … Unë besoj se kushdo që beson seriozisht në këto gjëra ka një vidë mangët. Unë besoj se ata vuajnë me siguri nga një lloj sëmundjeje mendore nëse i besojnë vërtet ato gjëra,” tha ai për Lead Stories.
Andreas Schroeder, në atë kohë profesor në Universitetin e British Columbia, i cili shkroi disa libra mbi mashtruesit, i tha The News Tribune se suksesi i Goodwin në marrjen e ndjekësve dhe donatorëve erdhi nga bashkimi i Omega me NESARA.
Një postim nga Gemini Investments Research Group, i cili hetoi Goodwin dhe NESARA, tha se ajo “promovoi konceptin e ‘paketave të prosperitetit’ që do t’u dërgoheshin njerëzve… ata që investonin në ‘truste’ të caktuara do të ishin të kualifikuar për shuma të pabesueshme parash qeveritare pa taksa. Kushti? Asgjë nga kjo nuk do të ndodhte derisa të shpallej NESARA.”
Omega ishte një nga trustet që Goodwin promovoi në mënyrë aktive.
Sipas Gemini, “ky grup u themelua nga një burrë i quajtur Clyde Hood, i cili në të NJËJTËN KOHË që Dove po promovonte Omega-n, u arrestua dhe u burgos për mashtrim. … Omega Trust filloi në vitin 1999 duke synuar të krishterët, duke premtuar se një investim prej 100 dollarësh në fondin e investimit do të shndërrohej në pagesa prej mbi 100 milionë dollarësh. Në disa raste, Omega Trust pretendoi se kishte qasje në mbi një kuintilion dollarë fonde të gatshme për t’u paguar.”
Goodwin vazhdoi përpjekjet e saj deri në vdekjen e saj më 30 maj 2010. Por vdekja e saj nuk i dha fund lëvizjes NESARA. Në fakt, njoftimi i vdekjes së saj në faqen e internetit të NESARA u kërkoi besimtarëve të vazhdonin të kontribuonin.
Sa i përket rrëzimit të Kullave Binjake më 11 shtator 2001, hetimi i Institutit Amerikan të Standardeve dhe Teknologjisë (NIST) shpjegoi se arsyeja kryesore për shembjen e kullave ishte dëmi nga goditja nga aeroplanët, pasuar nga zjarret e mëdha që u shpërndanë nëpër godina.
Popullariteti i teorive konspirative mbi sulmet e 11 shtatorit shpjegohen nga akademikët si pasojë e mosdashjes së pranimit të realitetit. Në 11 shtator 2001, paprekshmëria e një superfuqie botërore si ShBA u cënua. Kjo provokoi frikë, pasiguri dhe ndjenja pafuqie jo vetëm tek shtetasit amerikanë, por edhe tek një botë e tërë që pa një gjigand të plagosej. Kjo ‘lëkundje’ ishte e papranueshme për shumë njerëz, që zgjodhën të besojnë, më mirë, se ‘e keqja’ vinte nga dikush i zëvendësueshëm si presidenti i atëhershëm George W. Bush.