Pretendimi: Ky trajtim e ndihmoi të shërohej regjisorin që përfundoi në karrige me rrota për shkak të artritit
Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi
——————————————————-
Mjekimet për sëmundje të ndryshme që qarkullojnë si këshilla mjekësore në mediat online duhet të merren gjithmonë me rezerva. “Faktoje” verifikoi një tjetër artikull që sugjeron një krem për kurimin e sëmundjeve të kockave, me mjekë dhe fotografi të rreme.
Artikulli në një faqe, që është dizenjuar për t’u dukur si një media e mirëfilltë online, pretendon të shpjegojë se “si përfundoi Dritan Mehmeti, regjisor filmi 69-vjeçar, në karrige me rrota për shkak të artritit që i shkatërroi nyjat dhe çfarë e ndihmoi të shërohej.”
Në brendësi të ‘artikullit’, të gjitha rrugët të çojnë tek një produkt, të cilin mund ta blejë dhe vetë lexuesi për vetëm 7800 lekë, ose 3900 lekë me ulje.
Megjithatë, nga një kërkim në rrjet nuk rezulton që “regjizori Dritan Mehmeti” të ekzistojë.
Njësoj, nëse përdorim motorine kërkimit pamor Google Lens për të gjetur ‘fotot’ e regjizorit të përdorura në artikull, ato nuk rezultojnë të jenë botuar diku tjetër në rrjet. Kjo, bashkë me elemente karakteristike si sfumimi i elementëve në sfond dhe ndriçimi i panatyrshëm, na bën të mendojmë se me gjasa këto imazhe janë gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale (AI).
Artikulli pretendon gjithashtu se ka intervistuar “Doktor Arben Kelmendin, mjek, kirurg ortoped, terapist, prezantues televiziv, veprimtar shoqëror, autor librash mbi shëndetin”
Megjithatë, njësoj si “regjizori Dritan Mehmeti”, nga një kërkim në rrjet nuk rezulton që ky person të ekzistojë.
Me anë të Google Lens, Faktoje gjeti se foto e ‘doktor Kelmendit’ është marrë nga një faqe kroate, dhe fytyra është mbivendosur asaj të dikujt tjetër, Mario Labudović.
Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz. Në një sërë artikujsh, Faktoje ka treguar se si portalet po përpiqen të mashtrojnë qytetarët, duke përdorur mjekë të rremë, me qëllim që ta bëjnë sa më të besueshëm për lexuesit online.