Në rrjete sociale po qarkullon një faqe interneti që imiton uebin e Top Channel, e cila përhap lajme të rreme duke i ftuar njerëzit të investojnë online. E gjitha është një skemë mashtrimi me qëllime përfitimi, ndaj Faktoje ju fton të bëni kujdes.
Pretendimi: Banka Qendrore e Shqipërisë po padit Edi Manushin për ato që tha në televizion live
Verdikti: I pavërtetë
Nëse ditët e fundit keni hasur në rrjetin social facebook një faqe interneti identike me atë të Top Channel që ju fton të investoni në platformën online “Nearest Edge” për tu pasuruar, bëni kujdes. Është një skemë mashtrimi që synon të zhvasë para.
Faktoje verifikoi skemën duke ndjekur linkun e postimit në Facebook. Ai ju çon në uebsajtin https://weedenhost.com/ ku publikohet një intervistë e supozuar me Edi Manushin, realizuar nga moderatori Blendi Salaj.
“Banka Qendrore e Shqipërisë po padit Edi Manushi për ato që tha në television live.”, është titulli i intervistës.
Që në krye, artikulli i rremë nis me pretendimin se Banka e Shqipërisë ka nderprerë emisionin live, madje ka paditur moderatorin Edi Manushi pasi ai ka zbuluar sekretin e të pasuruarit online.
Në intervistën e sajuar mes dy personazheve të njohura të televizionit kombëtar Top Channel, biseda orienton përdoruesit e Facebook si të ‘pasurohen’ përmes platformës online të investimit “Nearest Edge”.
Për tu bërë sa më e besueshme intervista e rreme e shkruar me ndihmën e ‘Google translate’, keqpërdor logon e uebsajtit të televizionit Top Channel dhe emisionit ‘Top Arena’.
Manushi i tregon Salaj se me një depozitë prej vetëm 25000 leke mund të bëhesh milioner, nëse investoni në platformën “Nearest Edge” duke e shoqëruar edhe me një link. Nëse klikoni në linkun e publikuar, do të shihni se bëhet fjalë për mashtrim me kriptovaluta.
Reagimet
Duke qënë se skema mashtruese niste me padinë e rreme keqpërdorte edhe Bankën e Shqipërisë, Faktoje ju drejtua për një reagim institucionit.
“Ju bëjmë me dije se për sa i përket lajmit të dërguar me link është totalisht i pavërtetë. Banka e Shqipërisë as ka reaguar, as ka paditur kënd për këtë pjesë.”, sqaron Banka Qendrore pas një kërkese për koment nga , duke theksuar qendrim të njëjtë për kriptovalutën dhe investimin e njerëzve në to.
“I bëjmë apel publikut shqiptar që të tregohet i matur dhe i përgjegjshëm në administrimin e kursimeve apo likuiditeteve të lira që zotëron. Ai duhet t’i orientojë investimet drejt produkteve dhe instrumenteve financiare të ofruara nga institucione të licencuara dhe të mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.”, këshillon Banka e Shqipërisë.
Reagim të menjëhershëm ka pasur edhe moderatori Blendi Salaj që e gjeti veten befas personazh kryesor në skemën mashtruese.
“Është e gjitha një mashtrim. Faqja, që imiton faqen web të Top-Channel citon një gjoja-intervistë midis meje dhe Edi Manushit ku ne tregojmë sesi të bësh para përmes këtyre investimeve online. S’e kemi bërë kurrë atë bisedë, s’kemi asnjë lidhje me këtë kurth, as ne, as Topi.”, shkruan Blendi Salaj në profili e tij zyrtar në Facebook.
“Jam i bindur se kush fut lekë atje nuk ka për t’i parë më. Mos u gënjeni. Të mos lejojmë që të njohurit tanë të bien pre.”, përfundon ai.
E njëjta skemë mashtruese është përhapur edhe në Maqedoninë e Veriut, verifikuar nga kolegët tanë të Portalb. Më herët Faktoje ka verifikuar skema të tjera mashtrimi në rrjete sociale.