Pretendimi: Mjeku alternativ zbulon kurën çudibërëse për diabetikët me fruta dhe kos
Verdikti: Mungon konteksti
—————————-
Një video e shpërndarë nga kanali i RTSH në Facebook në 13 maj, prezanton një kurë çudibërëse për diabetikët, duke tërhequr natyrshëm vëmendjen e përdoruesve.
“Kura çudibërëse për diabetikët, mjeku alternativ: Përdorni 500 gramë kos…”- njofton teksti krahas videos së publikuar.
“Çdo i sëmurë me diabet duhet të konsumojë 500 gramë fruta çdo ditë, 500 gramë perime çdo ditë, 500 gramë kos ose qumësht çdo ditë. Por kosi është më i mirë, sepse bën përthirjen e sheqernave më ngadalë”- thekson në video mjeku alternativ, i ftuar në një nga emisionet e televizionit publik shqiptar.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Postimi ka marrë mbi 539 mijë shikime në vetëm dy ditë, por një pjesë e mirë e komentuesve janë të habitur nga këshillat dhe natyrshëm vënë në dyshim dietën e propozuar, sidomos rrezikun nga përdorimi i frutave dhe qumështit.
Në lidhje me këto pretendime, Faktoje pyeti mjekun endokrinolog-diabetolog, Dashamir Gjergji. Mjeku sqaroi se këto kura nuk funksionojnë, duke sugjeruar që t’i drejtoheni mjekëve specialistë.
“Të gjitha janë përralla pa mbret. Në këto kohë janë bërë të gjithë specialistë. Duhet të dëgjoni njerëzit dhe profesionistët e certifikuar për këtë gjë”-sugjeron mjeku.
Ndërkohë, udhëzime dietike rekomandojnë pesë porcione frutash dhe perimesh çdo ditë. Meqenëse frutat kanë më shumë kalori dhe sheqer sesa perimet, sugjerohet që të mbani një ekuilibër. Mjekët rekomandojnë ndarjen e pesë porcioneve, në tre porcione perimesh dhe dy racione frutash, por gjithçka varet nga lloji i diabetit dhe pacienti.
Frutat janë pjesë e një diete të shëndetshme, por gjithmonë duhet të merrni udhëzime nga ekspertët. “Konsultohuni me një mjek dietolog ose një dietolog të certifikuar për të zhvilluar një plan ushqimor të shëndetshëm”- këshillojnë mjekët.
Nga ana tjetër, nuk ka asnjë studim shkencor që provon se kosi trajton diabetin, por thjesht hipoteza.
“Një hipotezë është se probiotikët në kos mund të ndihmojnë në përmirësimin e ndjeshmërisë ndaj insulinës dhe reduktimin e inflamacionit, por kjo hipotezë duhet të testohet në provat klinike të rastësishme”-sqaruan ekspertët.
Studimet e kryera së fundmi tregojnë se nuk ka një kurë për diabetin deri më tani, por vetëm trajtime për ta mbajtur nën kontroll. Shkencëtarët po ndërmarrin hapa për të ndërtuar një të ardhme ku diabeti nuk do të shkaktojë asnjë dëm.
Terapitë dhe stili i jetesës mund të ndikojë në reduktimin e efekteve të diabetit te njeriu. Aktualisht nuk ekziston një kurë për diabetin, por sëmundja mund të shkojë në remision. Kur diabeti kalon në remision, kjo do të thotë se trupi nuk shfaq asnjë shenjë diabeti, megjithëse sëmundja teknikisht është ende e pranishme.
Faktoje ka verifikuar një sërë këshillash dhe kurash të rremë që kanë qarkulluar online për të kuruar diabetin.