Pretendimi: Djegiet e lehta mund të trajtohen me miell

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————

Një artikull i portalit shiko.news pretendon se nëse digjeni gjatë gatimit mund të përdorni miell për të trajtuar djegien.

Artikulli tregon historinë e një përdoruesje interneti, e cila ishte djegur me vaj të nxehtë dhe kishte vendosur miell në djegie. “Kur kaluan dhjetë minuta, ajo lau dorën e saj dhe pa rezultatet që ishin të mrekullueshme, nuk kishte asnjë shenjë djegieje ose flluskash në dorën e saj,” shkruhet në artikull.

Megjithatë, ekspertët mjekësorë nuk bien dakord me këtë këshillë.

Dr. Justin Gillenwater, Drejtor Mjekësor në Qendrën e Djegieve në Qarkun e Los Angeles + Qendrën Mjekësore USC tha për Reuters se “mielli absolutisht nuk duhet të aplikohet në asnjë plagë djegieje në asnjë kohë. Mielli NUK do të ndihmojë në lehtësimin e djegies dhe mund të çojë në një rrezik në rritje të infeksionit”. Ai shtoi se “mielli mund të jetë i dhimbshëm dhe i vështirë për t’u pastruar nga vendi i djegies dhe mund ta bëjë të vështirë diagnostikimin e madhësisë dhe thellësisë së djegies.”

Dr. Sam Mandell, specialist i kujdesit për djegiet në Qendrën Mjekësore Harborview në Seattle dhe profesor i asociuar i kirurgjisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Washingtonit tha gjithashtu se mielli mund të jetë i dhimbshëm për të pastruar plagët dhe se nuk ka prova që mbështesin miellin si një trajtim për djegiet. Ai shtoi se “kur shpërndahet si pluhur i imët, mielli është i ndezshëm dhe duhet të mbahet larg burimeve të ndezjes.”

Jeffrey W. Shupp, MD, FACS, drejtor i Qendrës së Djegieve në Qendrën Spitalore MedStar në Washington tha se përdorimi i miellit nuk rekomandohet pasi mund ta bëjë më të vështirë shërimin e plagës. “Ai errëson shtratin e plagës [duke e bërë] të vështirë vlerësimin e dëmtimit. Gjithashtu mund të përshpejtojë përhapjen e baktereve duke rritur shanset për infeksion të plagës,” tha ai.

Henry Schiller, MD, një kirurg i specializuar në djegie nga qendra mjekësore akademike jofitimprurëse, Klinika Mayo tha se mielli do ta bënte punën e profesionistëve mjekësorë që merren me djegien më të vështirë dhe për këtë arsye nuk duhet të vihet mbi djegie. Ai i tha Reuters se “mielli do të duhej të pastrohej nga një djegie pasi do të ndërhynte në aftësinë për të aplikuar zëvendësues të përkohshëm të lëkurës, të cilët mund të jenë të nevojshëm për të ndihmuar në shërimin e plagëve sipërfaqësore.”

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Klinika Mayo këshillojnë që djegiet duhet të trajtohen me ujë të rrjedhshëm të ftohtë për të ulur temperaturën e djegies dhe se unazat dhe sendet e tjera të ngjitura pas trupit duhet të hiqen menjëherë para ënjtjes.