Pretendimi: Ivermectina dhe Fenbendazol mund të trajtojnë kancerin

Verdikti: E paprovuar

Deri më tani nuk ka asnjë provë shkencore që të provojë se barnat Ivermectinë dhe Fenbendazol trajtojnë kancerin, siç pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook publicisti Alfred Cako pretendon se dy medikamente, të quajtura Ivermectinë dhe Fenbendazol bëjnë “mrekullinë” kundër kancerit. Madje ai shprehet i gatshëm t’i sigurojë për këdo që kanë nevojë për to.

Lufta kundër kancerit. Trajtimet me Ivermectinë dhe Fenbendazol për kancerin po bëhen të njohura! Industria e madhe farmaceutike nuk është e lumtur. Kush dëshiron ndihmë për medikamentet të më shkruajë në personal. Ja u gjej unë”-shkruan Cako.

Postimi i shpërndarë nga Cako në Facebook

Por, për çfarë përdoren këto medikamente?

Ivermectina përdoret për të trajtuar strongyloidiazën (krimbat e hollë; infeksion me një lloj krimbi të rrumbullakët që hyn në trup përmes lëkurës, kalon përmes rrugëve të frymëmarrjes dhe jeton në zorrë). Ivermektina gjithashtu përdoret për të kontrolluar onkocerkozën (infeksion me një lloj krimbi të rrumbullakët që mund të shkaktojë skuqje, kokrra nën lëkurë dhe probleme me shikimin, duke përfshirë humbjen e shikimit ose verbërinë).

Ivermectina është në një klasë medikamentesh të quajtur anthelmintikë. Ajo trajton strongyloidozën duke vrarë krimbat në zorrë. Ajo trajton onkocerkozën duke vrarë krimbat në zhvillim. Ivermektina nuk vret krimbat e rritur që shkaktojnë onkocerkozën dhe për këtë arsye, nuk do ta shërojë këtë lloj infeksioni.

Fenbendazoli është një benzimidazol që ka një efekt anthelmintic (për të vrarë parazitët) me spektër të gjerë. Përdoret kundër një numri parazitësh gastrointestinalë. Fenbendazoli është i miratuar për t’u administruar nën kujdesin veterinar te delet, lopët, kuaj, peshqit, qentë, macet, lepujt dhe fokat.

Mirëpo, pretendimet se këto barna antiparazitarë shërojnë kancerin te njerëzit nuk janë të bazuar në prova shkencore. Siç e theksuam edhe më sipër, aktualisht, Ivermectina është e miratuar vetëm për përdorim te njerëzit për trajtimin e infeksioneve parazitare, ndërsa Fenbendazoli është i miratuar vetëm për përdorim veterinar.

Të dyja medikamentet, si Ivermectina dhe Fenbendazoli, kanë treguar efekte premtuese kundër kancerit në kushte laboratorike. Megjithatë, mungojnë të dhënat klinike për njerëzit. Nuk mund të dimë ende me siguri nëse këto barna janë të sigurta apo jo për përdorim kundër kancerit te njerëzit. Për shkak të kësaj, këto barna nuk mund të rekomandohen aktualisht si trajtime kundër kancerit.

Shkak për këto aludime u bë një intervistë e aktorit Mel Gibson në podcastin e Joe Rogan. Gibson tha gjatë intervistës se tre nga miqtë e tij kishin kancer të stadin e 4 dhe u shëruan duke marrë Ivermectin.

Këto pretendime janë verifikuar edhe nga kolegët e AFP, të cilët kanë provuar se pretendimet se këto barna trajtojnë kancerin, nuk kanë asnjë bazë shkencore deri më tani.

“Barnat e përmendura në podcast janë duke u studiuar, por nevojiten më shumë kërkime për të përcaktuar efektivitetin dhe sigurinë e tyre para se të mund të përshkruhen në receta për njerëzit me kancer”- tha drejtoresha e politikave shëndetësore në Shoqatën Kanadeze të Kancerit, Elizabeth Holmes në një email në AFP.

Më herët, Ivermectin është rekomanduar si një kurë për të parandaluar dhe trajtuar Covid-19, por nuk pati asnjë efekt. Ndaj, mos u besoni sugjerimeve të VIP-ave në lidhje me terapitë mjekësore, por drejtohuni te mjekët specialistë.

Artikulli paraprakKjo listë e udhëtarëve VIP në ishullin e Epstein nuk është zyrtare
Artikulli tjetërMenaxhimi i mbetjeve në Tiranë i mbuluar me afera korruptive
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.