Pretendimi: Kjo faqe në Facebook është faqja zyrtare e Komisionit Europian
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————
Një postim në Facebook nga faqja Podpora Komisije (përkthyer nga sllovenishtja: “Mbështetja e Komisionit”) pretendon se ajo është faqja e Komisionit Europian dhe nxit përdoruesit ta ndjekin atë “për më shumë informacion mbi pagesat dhe ndihmën.”

Ky pretendim është qartësisht i pavërtetë, dhe me gjasa pjesë e ndonjë skeme mashtrimi online që synon marrjen e të dhënave personale ose përfitim financiar nga persona që mendojnë se do të marrin njëfarë pagese apo ndihme nga Komisioni Europian.
Një tregues i zakonshëm i faqeve mashtruese është numri i ndjekësve dhe vjetërsia e faqes. Faqja në fjalë ka vetëm 33 ndjekës në kohën e shkrimit të këtij artikulli, dhe është krijuar një ditë më parë, më 16 shtator 2025.

Faqja zyrtare në Facebook e Komisionit Europian ka 1.5 milionë ndjekës dhe është krijuar 15 vite më parë, në vitin 2010.

Ajo mund të aksesohet nga faqja zyrtare e internetit e Komisionit Europian.

Njësoj, faqja zyrtare e Komisionit Europian në Slloveni ka 23 mijë ndjekës dhe është krijuar në vitin 2010.

Ajo, gjithashtu, mund të aksesohet nga faqja zyrtare e internetit e Komisionit Europian në Slloveni.
