Kriza me mbetjet në Durrës, paralajmëroi një situatë të ngjashme edhe në bashki të tjera të qarkut, që pas mbylljes së landfillit të Porto Romanos dhe në mungesë të fondeve, nuk kishin ku t’i dërgonin plehrat. Në muajin gusht edhe Shijaku ishte i mbushur me plehra nëpër rrugë, ndonëse kryetari i kësaj bashkie kishte deklaruar më herët, se mbetjet depozitoheshin në landfillin e Sharrës. Përfaqësuesit e landfillit e mohojnë këtë, ndërkohë që në fillim të gushtit, Këshilli Bashkiak i Shijakut, miratoi në një mbledhje urgjente akt-marrëveshjen për depozitimin e plehrave në Sharrë dhe financimin nga qeveria për përpunimin e tyre.
“Të gjitha mbetjet që gjenerohen nga bashkia Shijak depozitohen në landfillin e Sharrës”- deklaroi më 17 qershor të këtij viti kryetari i Bashkisë Shijak Elton Arbana. Kjo deklaratë përkoi me periudhën, kur bashkia e Durrësit, në emergjencë mjedisore, i ishte drejtuar në mënyrë të përsëritur qeverisë duke i kërkuar financimin e plotë të përpunimit të mbetjeve për 10 vitet e ardhshme. Me fondet e veta, bashkia nuk arrin të mbulojë as pagat për pastrimin e qytetit.
Ashtu si Durrësi, edhe Këshilli Bashkiak i Shijakut, në një mbledhje të jashtëzakonshme online në javën e parë të gushtit, miratoi aktmarrëveshjen e depozitimit të mbetjeve urbane pranë zonës së trajnimit në Tiranë.
Pika e dytë që u miratua në mbledhje kishte të bënte me detajimin e fundit të dokumentave të dorëzuara në Ministrinë e Financave, për miratimin e mbështetjes financiare për Bashkinë Shijak.
Faktoje i dërgoi një kërkesë zyrtare për informacion Landfillit të Sharrës, ku e pyeste nëse aktualisht, mbetjet e bashkisë Shijak po depozitohen, pranë Zonës së Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë.
Me anë të përgjigjes për Faktoje, Landfilli i Sharrës, mohoi që mbetjet e bashkisë Shijak të depozitoheshin aty.
Përgjigjja e Landfillit të Sharrës
Për të mësuar se ku po depozitohen këto mbetje, Faktoje i dërgoi Bashkisë Shijak një kërkesë zyrtare për informacion, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli ende nuk kemi marrë përgjigje.
Kërkesa zyrtare për informacion drejtuar Bashkisë Shijak, dërguar në 11 gusht 2021
Çfarë po ndodh me mbetjet sot në Shijak?
Nga një vëzhgim i Faktoje në Shijak, në javën e dytë të gushtit konstatuam plehra të grumbulluara nëpër rrugë, kosha mbeturinash të tejmbushur që shpërndanin një erë të padurueshme nëpër rrugë.
Foto të kazanëve të tejmbushur me plehra në segmentin nga “4 rrugët e Shijakut deri në dalje të Pjezës.
Faktoje shkoi edhe në zonën pranë varrezave të vjetra të Shijakut, e cila ka shërbyer për vite si një landfill i paligjshëm, siç pranojnë edhe banorët dhe siç është e cituar në planin vendor të menaxhimit të mbetjeve. Aty gjenden të grumbulluara mbetje kryesisht plastike, të cila kanë nisur të mbulohen nga kamionë me dhe’. Të njëjtën situatë konstatuam edhe përgjatë lumit Erzen, grumbuj mbeturinash, sidomos plastike.
Foto të mbeturinave përgjatë lumit Erzen.
“Ka mbi dy javë që nuk vjen bashkia për t’i mbledhur. Janë bërë kala koshat me mbeturina”- i tha Faktojes një banore e Shijakut rreth të 50-ave.
Një banor tjetër, në afërsi të “4 rrugëve të Shijakut” thotë se zgjidhja e vetme për të ‘shpëtuar’ nga pirgjet e plehrave, është djegia e tyre.
“Ne i djegim, nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër. Këtu vjen erë shumë e rëndë dhe tani në verë, ndihet më shumë”.
Strategjia për menaxhimin e mbetjeve, vetëm ‘në letër’
Plani vendor për menaxhimin e mbetjeve urbane në Bashkinë Shijak, ka mbetur vetëm në letër, pasi i vetmi element i ‘realizuar’ (edhe ai 5 vite me vonesë), është mbyllja e landfillit të Porto Romanos.
“Porto Romano është i vetmi vend i hapur i asgjësimit të mbetjeve në Durrës, i amortizuar, i cili për shkak të rrezikut shumë të lartë të ndotjes ishte parashikuar të mbyllej në vitin 2015.”- shkruhet në planin vendor.
Sipas planit vendor në datën 18.11.2014 Ministria e Mbrojtjes ka nisur një procedurë të dhënies me koncesion të Landfillit për Qarkun e Durrësit në Radë, Manëz. Në listën prej 10 zonash, u konsiderua si më e përshtatshme për ndërtimin e landfillit rajonal, ajo pranë fshatit Koxhas, rreth një kilometër në verilindje të Shijakut, por nuk u realizua. Në planin vendor për menaxhimin e mbetjeve të vitit 2016, theksohej se bashkia mund ta konsiderojë këtë pikë si landfill (në rast të mbylljes së Porto Romanos) apo për të projektuar një vendgrumbullim për mbetjet inerte dhe ato voluminoze. Por as këtë herë nuk u realizua.
Bashkia Shijak si Durrësi, zgjidhjen për mbetjet ia kërkon qevrisë
Në projekt-buxhetin afatmesëm 2022 – 2024 të Bashkisë Shijak, për vitin 2022, në programin e menaxhimit të mbetjeve parashikohen 41,410 mijë lekë, ose 3.9% ndaj totalit te buxhetit. Sipas PBA 2018-2020, rezulton se edhe atje shpenzimet për menaxhimin e mbetjeve zinin vetëm 3.6% të buxhetit të Bashkisë Shijak. Në buxhetin e menaxhimit të mbetjeve përfshihen : grumbullimi, trajtimi dhe eliminimi i mbetjeve. Ai përfshin fshirjen e rrugëve, shesheve, rrugicave, tregjeve, kopshteve publike, parqeve etj.”
Gjithashtu në projektbuxhet thuhet:
“Nëse do të kemi kosto të reja për këtë program siç është tarifa e depozitimit të mbetjeve në VG Sharrë Tiranë do të kemi rishikim të PBA së 2022-2024”.
Faktoje ndërtoi një tabelë që tregon të ardhurat totale dhe ato nga tarifa e pastrimit të paraqitura në PBA 2022 – 2024.
Screenshot nga të ardhurat totale dhe ato nga tarifa e pastrimit të paraqitura në PBA 2022 – 2024.
Nga kjo përmbledhje rezulton se shpenzimet e parashikuara për menaxhimin e mbetjeve për vitin 2022 janë në vlerë 41.41 milion lekë, ndërsa të ardhurat nga tarifa e menaxhimit të mbetjeve bashkia Shijak pretendon të mbledhë parashikohen të jenë në vlerë 31.3 milion lekë. Edhe të ardhurat nga tarifat e pastrimit nuk mbulojnë shpenzimet për menaxhimin e mbetjeve (pa përfshirë ende kostot e Landfillit të Sharrës). Ato mbulojnë vetëm 76% të këtyre kostove. Ky defiçit është më i vogël se ai i Bashkisë Durrës. Pra, me firmosjen e kontratës që u miratua në mbledhjen e jashtëzakonshme me datë 6 Gusht, treguesi i mbulimit të kostove nga tarifa e shërbimit do të përkeqësohej, nëse nuk do ketë rritje tarifash ose zgjerim të bazës (më shumë veta që paguajnë).
Sipas PBA 2018-2020, pjesa kryesore e kostove janë “kosto që përsëriten” si ato për paga, sigurime, dhe shpenzime operative dhe kontraktuale të pastrimit, grumbullimit dhe transportit të mbetjeve, fshirje dhe larje rrugësh etj. Ndërkohë investimet kapitale për vitet 2017- 2020 kanë qenë të parashikuara në zero lekë. Si rrjedhojë 100% e shpenzimeve për menaxhimin e mbetjeve janë kosto operacionale dhe vështirë të krijohen hapësira për të kursyer me qëllim mbulimin e kostove shtesë për depozitim në landfillin e Sharrës. Më poshtë tabela e PBA-s 2018-2020.
Screnshoot nga tabela e PBA-së të vitit 2018-2020 ku tregohet shërbimet që ofron bashkia për mbetjet me kostot përkatëse
Si rezultat defiçiti pritet të përkeqësohet dhe nevoja për mbështetje financiare nga qeveria është e domosdoshme, siç e ka konfirmuar dhe Këshilli Bashkiak në mbledhjen e jashtëzakonshme në fillim të gushtit.