Faktoje, në mënyrë të përsëritur, i ka kërkuar Ministrisë së Rindërtimit në bazë të Ligjit për Të Drejtën e Informimit, transparencë mbi detajimin e projekteve që janë pjesë e rindërtimit. Qeveria shqiptare deklaroi në fillim të 2020 se fatura për rimëkëmbjen e tejkalonte vlerën e 1 miliard eurove. Më 29 shtator të 2020 qeveria bëri publik buxhetin e rindërtimit për 3 vitet (2020-2022) me një vlerë totale prej 65 miliardë lekësh (rreth 527 milionë euro). Faktoje vëren se në buxhetin e shtetit është pasqyruar vetëm gjysma e vlerës së faturës financiare, dhe deri më sot nuk ka asnjë përgjigje shteruese nga Ministria e Rindërtimit për diferencën, edhe pse kërkesa është ankimuar për të dytën herë tek Komisioneri për Të Drejtën e Informimit. Edhe ndërkombëtarët kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur kryerjen e transparencës në procesin e rindërtimit.
Më 5 shkurt 2020, qeveria shqiptare doli në një konferencë ku ishin të pranishëm përfaqësues nga Banka Botërore, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian për të publikuar faturën paraprake të dëmeve nga tërmeti, të realizuar në bashkëpunim me këta partnerë.
Në raportin e “Vlerësimit të Nevojave Pas Fatkeqësisë“, dolën në pah shifrat e dëmit total financiar të shkaktuar nga tërmeti si dhe shuma e nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike nga dëmi i shkaktuar. Sipas këtij raporti, dëmi ekonomik përllogaritej në vlerën e 985 milionë eurove, ndërsa shuma që do duhej për të mbuluar këtë dëm dhe humbjet që vinin si pasojë e tij e tejkalonte vlerën e 1 miliardë eurove.
Me këtë raport vendi ynë u paraqit në Konferencën e Donatorëve “Bashkë për Shqipërinë” për të kërkuar mbështetjen financiare të partnerëve ndërkombëtarë. Më 17 shkurt 2020, në Konferencën e Donatorëve të mbajtur në Bruksel, Shqipëria arriti të sigurojë 1.15 miliardë euro, nga të cilat 300 milionë ishin grante ndërsa 850 kredi.
Direkt pas Konferencës së Donatorëve, gjatë së njëjtës ditë, më 17 shkurt 2020, ministri Ahmetaj ishte i ftuar në “Opinion”, ku u pyet mbi mënyrën se si do bëhet disbursimi i parave të Konferencës së Donatorëve, mbi bazën e projekteve apo nëse do shkojnë në buxhet. Ai tha që të gjitha do të kalojnë në buxhet:
“Të gjitha kalojnë në buxhet, të gjitha, të gjitha kalojnë në buxhet, por mënyra e administrimit dhe implementimit është dy korsi: njëra që bëhet nëpërmjet agjencive zbatuese shqiptare, dhe njëra që mund KFV të vendosë të bëjë, ose si qeveria turke që ka zgjedhur Entin Kombëtar të banesave të Turqisë si njësi zbatuese.”.
Pas Konferencës së Donatorëve ka qenë i menjëhershëm reagimi nga eksponetët më të rëndësishëm të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri, përkatësisht ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, zonja Yuri Kim, dhe Ambasadori i Bashkimit Europian, zoti Luigi Soreca. Ata theksuan nevojën për transparencë me fondet e rindërtimit.
“Transparenca dhe përgjegjësia për fondet dhe donacionet për procesin e rindërtimit të zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit janë thelbësore. Kjo është arsyeja, pse donacioni amerikan do të krijojë një Akademi të re të Transparencës për të mbështetur qeverisjen transparente, qeverisjen e përgjegjshme ndaj qytetarëve, trajnimet kundër korrupsionit dhe reformën gjyqësore” – u shpreh zonja Kim.
“Konferenca e Donatorëve në Bruksel ishte një sukses i madh. Tani është e rëndësishme për të siguruar mekanizma të qartë, efikas, pjesëmarrës dhe transparent të financimit që lejojnë përgjegjshmërinë për fondet. Të krijojë hapësirë për të gjithë donatorët për të ekzekutuar zotimin e tyre. 9 parimet do ta udhëheqin këtë punë” – u shpreh zoti Soreca.
Pavarësisht kërkesës së qartë të donatorëve që në muajin shkurt, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përsëritur të njëjtën kërkesë për transparencë në një raport të fundit të vitit 2020, si dhe kontrolle të përshtatshme financiare të fondeve të rindërtimit.
“Fondet e rindërtimit pas tërmetit duhet të jenë subjekt i kontrolleve të përshtatshme të menaxhimit publik financiar (PFM), përfshirë planifikimin përmes proceseve buxhetore”– thekson FMN.
Më 29 shtator 2020, qeveria shqiptare bëri publik për herë të parë buxhetin e rindërtimit nga burimet e brendshme, specifikisht nga buxheti i shtetit dhe donacionet e brendshme. Në shifrat e dhëna nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, zoti Arben Ahmetaj, buxheti i rindërtimit kapte një total prej 65 miliardë lekësh (rreth 527 milionë euro) për periudhën 2020-2022, respektivisht 34 mld lekë (rreth 280 mln euro) për vitin 2020, 25 mld lekë (rreth 203 mln euro) për 2021 dhe 6 mld lekë (rreth 49 mln euro) për 2022. Pavarësisht se kjo shifër ndryshoi me kalimin e muajve, deri tani nuk e ka tejkaluar shumën e 66 miliardë lekëve (535 milionë euro).
“2020-a, ka 34 mld lekë apo 340 mln dollarë, nëse do t’i referoheshim një kursi këmbimi rëndom siç i referohemi 1 me 1. 250 mln dollarë dhe ndoshta, në diskutimet që po bëjmë për buxhetin, të shkojë dhe 280 mln dollarë. Sigurisht që faza përmbyllëse e pagesave, por jo e punëve është në 2022. E punëve do të mbarojë pak më përpara.” – u shpreh ministri Ahmetaj më 29 shtator.
Diferenca mes faturës së paraqitur tek donatorët dhe buxhetit të rindërtimit
Më 22 janar 2021, ne iu drejtuam Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin me një kërkesë për informacion, të bazuar në ligjin për të drejtën e informimit, ku pyesnim për detajimin në nivel projekti, objekti dhe zone të faturës mbi 1 miliardë euro të deklaruar në shkurt 2020; diferencën mes vlerës prej 1 miliardë euro dhe shumës 65 miliardë lekë (rreth 527 milionë euro) të buxhetuar nga qeveria; si dhe afatin e përfundimit të procesit të rindërtimit.
Kërkesa për informacion e dërguar nga Faktoje, 22 janar 2021
Pas përfundimit të 10 ditëve pune, që është hapësira maksimale që lejon ligji për të kthyer përgjigje pas kërkesës për informacion, Ministria e Shtetit për Rindërtimin ende nuk na kishte dhënë informacionin e kërkuar.
Më 11 shkurt 2021, ne iu drejtuam Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale me nje ankesë ndaj Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin, duke kërkuar që të na vinte në dispozicion informacionin e kërkuar sa më shpejt që të ishte e mundur.
Ankimimi i Faktoje tek Komisioneri për të Drejtën e Infromimit, 11 shkurt 2021
Më 17 shkurt 2021, Komisioneri për të Drejtën e Informimit ktheu përgjigje pas ankesës sonë, duke i kërkuar Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin që të jepte informacionin e kërkuar brenda datës 23 shkurt 2021.
Përgjigjja e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, 17 shkurt 2021
Më 23 shkurt 2021, që ishte dhe afati maksimal për të kthyer përgjigje, Ministria e Shtetit për Rindërtimin na dërgon një e-mail mbi kërkesën tonë për informacion, ku nuk i kthen përgjigje asnjërës prej pyetjeve tona.
Përgjigjja e Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin, 23 shkurt 2021
Përgjigjja e Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin, 23 shkurt 2021
Kjo përgjigje jo vetëm që nuk adreson asnjërën nga pyetjet tona, por nuk përmban as të dhënat përfundimtare të Buxhetit të Rindërtimit, i cili ka ndryshuar me kalimin e muajve, dhe për të cilin kemi shkruar më parë.
Menjëherë pas marrjes së këtij e-maili ne iu drejtuam sërish Komisionerit për të Drejtën e Informimit, duke kërkuar që informacioni për të cilin kemi dërguar kërkesë përpara më shumë se 1 muaji, të na vihet në dispozicion sa më shpejt që të jetë e mundur.
Kërkesa dërguar Komisionerit pas e-mailit të Ministrisë së Rindërtimit, 23 shkurt 2021
Në përfundim të procesit për ankimimin për herë të dytë të mungesës së një përgjigjeje të detajuar të Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin kundrejt pyetjeve që iu kemi dërguar, Faktoje kontaktoi ekspertin ekonomik Azmi Stringa, i cili paraqiti tre mundësi mbi disproporcionin e faturës së paraqitur tek donatorët me shumën e buxhetuar nga qeveria për procesin e rindërtimit.
“Sic ky rast tregon, dhe në mospërputhje me kërkesat e vazhdueshme të institucioneve ndërkombetare, procesi rindërtimit karakterizohet nga një mungesë transparence dhe llogaridhënieje.
Mungesa e publikimit edhe pas një viti të faturës totale, projekteve specifike të detajuara, apo kur do mbarojë procesi, është jo serioze si ndaj të dëmtuarve, taksapaguesve shqiptarë, dhe donatorëve/kreditorëve ndërkombetarë.
Procesi i rindërtimit ka rëndësi si për qytetarët, ashtu edhe për ekonominë dhe financat publike.
Ka tre mundësi:
1. Nëse fatura është 1 mld euro atëherë keni s’kemi buxhetuar as gjysmën dhe kjo do të thotë që procesi të përfundojë do duhet më shumë kohë dhe lekë nga buxheti i shtetit dhe një barrë e rëndë, por e pareflektuar për taksapaguesit në të ardhmen.
2. Ose fatura e parë ka qenë e pasaktë dhe është riparë në ulje. Por për këtë duhet të na konfirmohet si qytetarëve dhe donatorëve/kreditorëve.
3. Ose diçka mes të dyjave më lart.
Gjithsesi nëse dhe pas më shumë se një viti nga tërmeti, mungesa e projekteve, vlerës totale që do financohet, dhe transparenca me afatin e përfundimit është problem” – tha ai për Faktoje.