Pretendimi: Estonia dhe Evropa kërkojnë luftë me Rusinë
Verdikti: Mungon konteksti
Barbara Halla
Sipas një postimi të bërë javën e fundit në mediat sociale shqiptare, kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, ka thënë se Estonia dhe BE-ja nuk duan paqe me Rusinë, por do të vazhdojnë luftën deri në fitore. Këto nuk janë fjalët e kryeministres. Ato janë marrë nga një fjalim që Kallas ka bërë mbi Ukrainën, por janë ndryshuar dhe nxjerrë nga konteksti.
Fjalia e fundit e kësaj deklarate është marrë nga një fjalim që Kallas ka dhënë mbi Ukrainën gjatë një konference të mbajtur në Talin, kryeqytetin e Estonisë, më 27 maj 2024. Konferenca mbante titullin: “Të investojmë dhe të rindërtojmë të ardhmen e Ukrainës.”
Por Kallas nuk ka thënë “Nuk duam bisedime paqe me Rusinë,” apo “Duam luftë dhe fitore.” Përkundrazi, ajo kë thënë:
“Është e qartë se agresorët dhe diktatorët nuk mund të kënaqen, dhe prandaj duhet të kundërshtojmë dhe ndalojmë Rusinë në Ukrainë. Nëse Putini ka sukses atje, ai nuk do të ndalet. Kjo është arsyeja pse ne kemi qenë fortësisht me Ukrainën që nga dita e parë e luftës, në fakt edhe para kësaj. Ukraina duhet ta fitojë luftën – dhe Rusia duhet të kuptojë se e ka humbur luftën.”
Estonia, si vendet e tjera Balltike, e ka përjetuar luftën ne Ukrainë si një luftë ekzistenciale. Afërsia e këtyre vendeve me Rusinë, si dhe historia e saj si një vend ish-Sovjetik, e ka bërë luftën edhe më të rrezikshme për ta. Nëse Rusia ka ambicje për një perandori të re, ato janë ambicje që përfshinë dhe vendet e Balltikut, edhe përse të treja janë pjesë e NATO-s.
Për shkak të këtij konteksti gjeopolitik dhe historik, Kallas e sheh të rëndësishme fitoren e Ukrainës, pasi pasojat e një fitoreje ruse mund të shtrihen dhe në Europën perëndimore dhe më tej.
Dhe për këtë arsyje, ajo foli haptazi që Ukraina duhet mbështetur nga aleatët perëndimorë me “armë, municione dhe stërvitje.”
“Fjalët dhe sanksionet janë të rëndësishme, por ato nuk mjaftojnë. Ukraina ka nevojë për armë, municione, stërvitje. Ajo gjithashtu ka nevojë për mbështetje financiare dhe ekonomike. Dhe ka nevojë për të dyja që tani. Është roli dhe detyra jonë që jo vetëm të vazhdojmë, por të rrisim mbështetjen tonë për Ukrainën, në të gjitha frontet,” ka thënë ajo.
Në përmbyllje, Kallas i është drejtuar BE-së dhe NATO-s, duke i thirrur të bashkëpunojë për rindërtimin e Ukrainës.
“Ne si anëtarë të BE-së dhe NATO-s duhet të bëjmë pjesën tonë. Ne po ndihmojmë Ukrainën për të luftuar agresorin. Duke parë rajonin tonë, bashkëpunimi nordiko-baltik për Ukrainën është thelbësor: ne jemi gjithashtu më të fortë së bashku,” deklaroi Kallas në fjalimin që çeli konferencën.