Kryeministri Starmer nuk u kritikua për reformat ndaj emigrantëve

18

Pretendimi: Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer u flak jashtë parlamentit sepse nuk bëri shumë mbi reformat për emigrantët

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se kryeministri britanik Keir Starmer është nxjerrë jashtë nga parlamenti sepse “nuk bëri shumë mbi reformat për emigrantët.”

Pretendimi shoqërohet edhe me një video që duket se tregon kryetarin e parlamentit britanik duke qortuar kryeministrin Keir Starmer. 

Megjithatë, kjo është e gjitha një trillim.

Video e kryetarit të parlamentit që qorton kryeministrin është reale, por kryeministri në fjalë nuk është Keir Starmer, por paraardhësi i tij Rishi Sunak.

Video është shkëputur nga një seancë parlamentare e 17 janarit 2024, kur kryetari i parlamentit Sir Lindsay Hoyle qortoi kryeministrin e atëhershëm Rishi Sunak për përdorimin e një ‘objekti skene’: një fotokopje të kopertinës së librit të udhëheqësit të Partisë Laburiste, Keir Starmer.

Ndërkaq, nuk ka asnjë raportim në mediat ndërkombëtare apo vendase se kryeministri Starmer është nxjerrë jashtë parlamentit për çfarëdo arsyeje.