Pretendimi: BE po kërcënon Kryeministrin e Gjeorgjisë me fatin e kryeministrit sllovak Fico
Verdikti: I pavërtetë
Barbara Halla
Në ditët e fundit, në rrjetet sociale shqiptare ka qarkulluar lajmi se Bashkimi Evropian ka kërcënuar Kryeministrin e Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze. Ky lajm është përhapur nga vetë Kobakhidze në Facebook dhe më pas raportur nga mediat ndërkombëtare. Kobakhidze ka thënë se BE-ja po e kërcënon me fatin e Ficos, kryeministrit sllovak i cili qe viktima e një atentati nga një qytetar në maj. Notat dramatike të postimit të kryeministrit gjeorgjian kanë shërbyer si ushqim për postimet e mëtejshme të përdoruesve që ndajnë në rrjet këtë si një provë se “Brukseli (Bashkimi Evropian) është Corleone” dhe “një organizate mafioze e liçensuar demokratike”.
Postimi kundër Bashkimit Evropian në Facebook
Kryeministri i Gjeorgjisë Kobakhidze ka marrë kritika të shumta nga BE-ja pas kalimit të një ligji të ri për mediat dhe organizatat. Ky ligj i detyron mediat dhe organizatat jo-qeveritarë të regjistrohen nën etiketimin se “ndjekin interesat e fuqive të huaja” nëse financohen më shumë se 20% nga jashtë vendit. Vendimi i qeverisë së Kobakhidze u ndoq nga protesta të shumta përgjatë majit, të cilat vazhdojnë deri më sot. Në dy muajt e fundit, mijra qytetarë gjeorgjjanë i janë drejtuar rrugëve për të protestuar të ashtuquajturin “ligji rus” duke qënë se Kremlini ka kaluar një masë të ngjashme në vitin 2022. Disa nga protesat kanë çuar edhe në përplasje të dhunshme.
Është në këtë kontekst që Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Olivér Várhelyi, ka shprehur shqetësimin e tij për situatën në Gjeorgji dhe sigurinë e Kobakhidze. Të dy politikanët kanë folur në telefon mbi çështjen e ligjit rus, ku sipas Kobakhidze Várhelyi e ka kërcënuar kryeministrin se do ta pësonte si kryeministri sllovak, Robert Fico, i cili u sulmua për vdekje me armë pas një mbledhjeje qeveritare.
Várhelyi i është përgjigjur menjëherë akuzave të Kobakhidze, duke u shprehur se fjalët e tijë janë nxjerrë nga konteksti.
“Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për qëndrimin shumë të fortë pro-BE të shoqërisë gjeorgjiane, gjatë bisedës sime telefonike ndjeva nevojën për të tërhequr vëmendjen e Kryeministrit se sa e rëndësishme është që të mos ndizet më tej situata tashmë e brishtë duke miratuar këtë ligj që mund të çojë në për polarizimin e mëtejshëm dhe për situatat e mundshme të pakontrolluara në rrugët e Tbilisit. Në këtë drejtim, ngjarja e fundit tragjike në Sllovaki u bë si shembull dhe si referencë se ku mund të çojë një nivel kaq i lartë polarizimi në një shoqëri edhe në Evropë,” ka thënë Várhelyi.
Pra, Várhelyi nuk e ka kërcënuar Kobakhidze duke i thënë se BE do ta sulmojë atë si Fico. Përkundrazi, Várhelyi i ka tërhequr vëmendjen duke marrë parasysh se protestat e shumta në rrugët e kryqytetit të Gjeorgjisë e bëjnë situatën të rrezikshme për këdo, duke përfshirë kryeministrin e vendit.
“Edhe një herë, më vjen keq që një pjesë e telefonatës sime jo vetëm që u publikua plotësisht jashtë kontekstit, por gjithashtu iu prezantua publikut në një mënyrë që mund të shkaktonte një keqinterpretim të plotë të qëllimit të synuar fillimisht të telefonatës sime,” u shpreh Várhelyi në deklaratën zyrtare mbi këtë çështje.