Pretendimi: Kjo video tregon kryeministrin britanik duke u nxjerrë jashtë nga pronari i një lokali së fundmi.
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————
Një artikull i portalit lajmetroc.al pretendon se kryeministri britanik është nxjerrë jashtë nga pronari i një lokali, i cili “ka deklaruar shkurt se veproi ‘për arsye personale’”. Artikulli i botuar në 13 gusht 2025 shoqërohet me një video të ngjarjes.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme nuk është regjistruar së fundmi, por është në rrjet nga prilli 2021, përpara se Starmer të zgjidhej kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, pozicion që e ka mbajtur nga korriku i vitit 2024.
Sipas BBC, Starmer, në atë kohë udhëheqësi i opozitës, u dëbua nga lokali The Raven në Bath nga bashkëpronari i tij, i cili “ishte i pakënaqur me reagimin e laburistëve ndaj karantinës së vendosur nga qeveria” gjatë pandemisë. Ai tha se ekonomia ishte sakrifikuar “sepse të moshuarit po vdesin.”
Starmer po vizitonte qytetin e Bath si pjesë e fushatës për zgjedhjet e majit 2021. Vizita e tij në barin The Raven ishte planifikuar me një nga bashkëpronarët, i cili i kërkoi falje laburistëve. Llogaria e lokalit në Twitter postoi se nuk kishte “qëllim të devijonte vizitën e Keir Starmer në Bath” dhe se pikëpamjet e personit në video janë “të tijat.”
Prandaj, pretendimi se kryeministri aktual britanik u nxor jashtë një pub është i pasaktë. Video është e vjetër dhe tregon një incident të vitit 2021 që përfshin Keir Starmer, i cili nuk ishte kryeministër në atë kohë.