KLEVIS PALOKA
Pjerin Ndreu është kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë Lezhë për katër vitet e ardhshme. Përpara se të kandidonte për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, Ndreu ka ushtruar detyrën e deputetit dhe më herët akoma ka qenë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit.
Si ka ndryshuar pasuria e tij gjatë këtyre katër viteve?
“Faktoje” bëri një verifikim të deklaratës së pasurisë së Pjerin Ndreut, prej vitit 2015 deri në maj të 2019-s, kohë kur ai dorëzoi mandatin e deputetit për të kandiduar për kryebashkiak të Lezhës.
Ajo çfarë bie në sy nga deklaratat e siguruara nga ILDKPI, është fakti se Pjerin Ndreu ka shumë borxhe dhe jeton me pagën si deputet. Një historik i shkurtër në deklaratën e bërë në vitin 2015, kur mori mandatin e deputetit tregon se në vitin 1996 Ndreu ka qenë i pastrehë. Blerja dhe shitja brenda 2 vitesh (në 1998-n) e një shtëpie në Lezhë, me para të marra hua, siç deklaron vetë Ndreu ka qenë një odise më vete. Apartamenti në fjalë nuk ishte i regjistruar në hipotekë dhe ka përfunduar si çështje civile në Gjykatë. Kjo e fundit ka ngarkuar Pjerin Ndreun të paguajë shumën 3.4 mln lekë për paditësin, para që që i ka marrë hua nga i vëllai.
Të ardhurat nga funksionet publike.
*Template: Jurgen Bame
Ndreu në vitin 2015 ka deklaruar gjendje ‘cash’ në shtëpi një shumë prej 2.000.000 lekësh të cilat në vitin 2016 ia ka dhuruar djalit të tij. Në deklarimin e përvitshëm të Ndreut rezulton edhe një huadhënie brenda familjes, mes tij dhe të birit.
Detyrimet
Detyrimet financiare të Ndreut nisin me shumën e 3.400.000 lekë, borxh që ia ka marrë vëllait dhe që deri më sot nuk e ka shlyer. Një borxh prej 50 000 eurosh Ndreu deklaron se ia ka marrë personit me iniciale L. R dhe nuk ka bërë asnjë shlyerje. Edhe pse borxhi është marrë në 2003-n, ai deklarohet në 2017-n nga ana e Ndreut. Po ashtu kryebashkiaku i ri i Lezhës deklaron se në 2015-n ka marrë kredi bankare në vlerën 50.000 euro për të blerë një apartament në Golem. Nga kjo kredi përgjatë këtyre katër viteve ai ka shlyer një shumë prej 11.127 euro.
Në total Ndreu sot ka një borxh që kap shumën e 88.873 eurove dhe 3.400.000 lekëve
Pasuritë e patundshme
Ndreu ka në zotërim apartamentin në Golem të cilin e ka blerë me anë të një kredie në 2015 me vlerë totale 50.000 euro.
Edhe pse Ndreu është transferuar në Tiranë në vitin 1998 ku edhe ka punuar, ai nuk deklaron ndonjë pasuri të patundshme në kryeqytet.
Të ardhura të tjera
Përveç të ardhurave nga detyra si deputet, Ndreu ka në gjendje llogarie rrjedhëse të pagës vlerën totale 480.875, lekë. Po ashtu ai zotëron edhe një antenë të cilën e ka lëshuar me qera dhe ka përfituar si të ardhura 680.000 lekë
Bashkëshortja e Ndreut.
Bashkëshkortja e Ndreut është bashkëpronare e 1/5 në një apartament të privatizuar nga prindërit e saj me vlerën 3.880 lekë dhe të vetmet të ardhura që deklaron janë ato nga paga si specialiste auditi në Ministrinë e Integrimit. Paga e saj ka pësuar një rritje të vogël nga viti në vit, ndërsa vitin e fundit ka pësuar një rënie të konsiderueshme. Arlinda Ndreu ka një depozitë bankare me vlerë modeste 6.500 lekë.