.

.

BallinaPremtimeKryebashkiaku i Kurbinit shkeli premtimet jetike për komunitetin

Kryebashkiaku i Kurbinit shkeli premtimet jetike për komunitetin

KLEVIS PALOKA

Në një postim në facebook, por edhe në një intervistë për reporter.al, kryetari aktual i Bashkisë së Kurbinit, Artur Bardhi publikonte për fushatën e zgjedhjeve vendore të vitit 2015, investimet që ai do kryente në infrastrukturë gjatë katërvjeçarit të qeverisjes në Bashkinë Kurbin.

“Faktoje” zgjodhi të verifikonte katër prej këtyre premtimeve të cilat ishin:

  1. Sistemimi dhe rehabilitimi i Pazarit të Milotit
  2. Ndërtimi i ujësjellësit Zhejë
  3. Ndërtimi i shkollës së mesme Mamurras
  4. Ndërtimi i godinës së re për Bashkinë e Kurbinit

“Faktoje” shkoi për të parë nga afër nëse këto premtime ishin realizuar apo kishin mbetur thjesht premtime për fushatë.

  1. Sistemimi dhe Rehabilitimi i Pazarit të Milotit

Pazari i Milotit e ka nisur funksionimin e tij që në vitin 1916 dhe për disa vite shërbeu edhe si një ndër tregjet me të njohura të veriut, ku tregtarë nga e gjithë zona shisnin produktet bujqësore apo  kafshë të ndryshme. Ky treg popullohet më së shumti të dielave. Prej kohësh investimet në këtë treg të gjësë së gjallë kryesisht por jo vetëm, kanë munguar pothuajse fare dhe kushtet në të, ishin dhe janë ende të mjerueshme. Por çfarë është bërë për pazarin e Milotit gjatë këtyre 4 viteve.  Nga një monitorim i “Faktoje” përgjatë një të diele, vërehet lehtësisht që në këtë treg nuk është bërë asnjë lloj investimi dhe po aq dukshëm vihet re që tregtimi i produkteve bujqësore dhe kafshëve, mund të etiketohen si kushte mesjetare.

  1. Ndërtimi i ujësjellësit Zhejë

Nga verifikimet që “Faktoje” bëri në fshatin Zhejë i cili ka rreth pesë mijë banorë, nuk u vërejt asnjë investim i bërë për ujësjellësin edhe pse në këtë fshat ndodhet një burim i madh ujor që ka kapacitetin për ta furnizuar fshatin me ujë të pijshëm. Në këtë fshat ndodhet gjithashtu një liqen artificial i ndërtuar në kohën e komunizmit për të furnizuar fshatin me ujë për vaditje, por prishja e tubacioneve vite më parë, ka bërë që këta banorë të mos furnizohen me ujë vaditës edhe pse bujqësia është aktiviteti i vetëm ekonomik. Edhe pse ishte premtuar se investimet do të bëheshin brenda këtij katërvjeçari, banorët e fshatit Zhejë ende presin dhe shpresa e tyre vetme, të zhgënjyer nga politika, presi vetëm reshjet e shiut.

  1. Ndërtimi i shkollës së mesme Mamurras

Një prej premtimeve të kryebashkiakut aktual të Kurbinit ishte edhe ndërtimi i një shkolle të mesme në Mamurras, por nga verifikimi i “Faktoje” nuk rezulton të jetë ndërtuar ndonjë godinë e tillë dhe se shkolla e mesme e vetme e Mamurrasit është gjimnazi “Arif Halil Sulaj” ndërtuar shumë dekada më parë.

  1. Ndërtimi i godinës së Bashkisë Kurbin

Duke qënë se me reformën territoriale, Bashkia e Kurbinit u zgjerua me Bashkinë e Laçit, Mamurrasit, Komuna Milot dhe Fushë-Kuqe, një ndër premtimet e Bardhit qe ndërtimi i bashkisë së re të Kurbinit, në shërbim të komunitetit të ri. Por nga verifikimet e “Faktoje” rezulton se funksionale është ende godina e vjetër që ofronte shërbime dikur vetëm për Bashkinë e Laçit.

Duke qënë se asnjë nga premtimet e sipërpërmendura që kryebashkiaku Bardhi pati premtuar nuk është realizuar, “Faktoje” do ti kategorizojë si TË PAMBAJTURA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img