INVA HASANALIAJ
Një tjetër mjek në krye të një prej bashkive më të rëndësishme të Shqipërisë përveç qytetit të Vlorës. Bëhet fjalë për Flamur Golemin, mjeku i cili do të drejtojë bashkinë e Gjirokastrës për katër vitet e ardhshme.
I vetëm në garë, Golemi siguroi 10 681 vota nga banorët e këtij qarku. Ajo që shumë qytetarë duan të dinë është edhe pasuria që ai zotëron, e cila sipas skedës së vetëdeklarimit të pasurisë është në nivele të konsiderueshme.
Sipas të dhënave të gjeneruara nga skeda e pasurisë së plotësuar nga vetë ai pranë ILDKPI, Golemi zotëron dy makina. Makina e parë ka një vlerë prej 5,500 euro dhe rezulton në bashkëpronësi me bashkëshortën ndërsa e dyta që është në pronësi të plotë të tij kap vlerën prej 33,350 eurosh.
Gjithashtu ai është edhe pronar i një shtëpie në Gjirokastër me vlerë 3.700.000 lekë. Si shumë skeda pasurore prej kryebashkiakëve të “skanuar” deri tani edhe Golemi ka jo pak para të depozituara në llogari bankare. Burimet e këtyre të ardhurave janë të ndryshme duke filluar nga puna si mjek, si deputet e si kryetar i Partisë Socialiste të Gjirokastrës.
Paga si deputet
Nga grafiku vërehet qartë se në vitin 2018 këto të ardhura kanë qenë të larta nga aktivizimi si pjesë e parlamentit.
Depozitat bankare në euro përbëjnë gjithashtu një interes të veçantë për skedat e Flamur Golemit. Nga viti në vit depozita shënon rritje edhe pse jo në vlera të mëdha.
Depozitat në lek janë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e këtyre deklarimeve ku edhe në këtë rast rritja shoqërohet nga viti në vit.
Pjesë e deklarimit të pasurisë së deputetëve apo kryetarëve të bashkisë kanë qenë edhe të ardhurat nga bashkëshortet e tyre ku jo në pak raste kanë rezultuar me të ardhura dhe depozita më të larta se ata vetë. Megjithatë në rastin e Flamur Golemit ajo që bie në sy është se në vitin 2017 depozitat e bashkëshortes së tij kanë qenë në nivele të konsiderueshme ndërsa menjëherë një vit më pas ato zerohen për ti lënë vendin vetëm të ardhurave nga paga si administratore e një klinike mjekësore.