Pandemia e Covid-19 që goditi fillimisht shëndetësinë i ka shtrirë dukshëm efektet në sektorë të tjerë jetikë, sidomos në ekonomi. Mbyllja e bizneseve për shkak të pandemisë, veçanërisht në Tiranë, është reflektuar edhe tek aktiviteti i agjencive të pasurive të paluajtshme. Ato konfirmojnë shumëfishim të numrit të dyqaneve që reklamohen për t’u dhënë më qira, ndërsa vërehet një ngurtësim i tregut kur vjen fjala për çmimet.
Pasojat e pandemisë së Covid-19 po ndihen gjithnjë e më shumë nga bizneset, një pjesë e të cilave nuk i mbijetuan kësaj periudhe kritike. Vetëm pak ditë më parë, Faktoje raportoi se vetëm në kryeqytet gjatë muajve prill dhe maj janë mbyllur 221 biznese, nga 408 në të gjithë vendin. Si është reflektuar kjo në tregun e shitjes dhe dhënies me qira të pasurive të paluajtshme?
Në një vëzhgim të Faktojes në rrjetet sociale konstatuam se janë shtuar reklamat e sponsorizuara për dhënien me qira të hapësirave për biznes.
Arbër Brahaj, Administratori i Real Estate.al thotë për “Faktoje” se dyqanet janë në qendër të problematikës pas shfaqjen së pandemisë. Kërkesa për blerje apo qiramarrje është pothuajse zero, sipas Brahajt. Numri i dyqaneve që nxirren në treg për qiradhënie, sipas informacionit që vjen nga tregu po rritet çdo ditë e më shumë.
Zona e Myslym Shyrit ka një numër të madh biznesesh të mbyllura për shkak të pandemisë, siç konfirmohet edhe nga agjencia ku Brahaj punon.
“Nëse në të shkuarën kishim shumë pak, 1-2 prona për reklamim në këtë rrugë, sot numri i dyqaneve të lira që reklamojmë është 11. Nga biseda me pronarët , shumë nga dyqanet e tjerë janë në vështirsi ekstreme dhe disa po vazhdojnë punën në bashkëpunim pronar-qeramarrës për ta provuar dhe disa muaj. ”
Ndryshimi i çmimeve në këtë treg është një tjetër aspekt i cili i prek të dyja palët si klientët (bizneset) ashtu edhe kompaninë. Çmimet në këtë moment, sipas Brahajt janë të pandryshuara, për shkak se blerësit dhe shitësit nuk tregojnë fleksibilitet, gjë që sjell një ngurtësim të tregut. Krahas situatës nga Covid-19, ndalimi i tregut sipas tij është kushtëzuar dhe nga frika që erdhi nga një levizje e jashtëzakonshme e kursit të këmbimit në diët e para të gjendjes së jashtëzakonshme. Këmbimi i Euros në kuotën, 135 lekë, ndonëse për pak ditë, shkaktoi panik.
“Duke qenë se zhvlerësimi i viteve të fundit ka qenë një ndër faktorët e rritjes së çmimeve , vlerësimi në këtë rast krijon idenë e kundërt. Në rast se situata do vazhdojë stabël pritet të ketë një rifillimin të transaksioneve imobiliare”- përfundon Brahaj.
Përveç kësaj, bizneset ende në aktivitet po bëjnë sakrifica për mbijetesë dhe mbyllja ose jo e tyre, në shumë raste varet nga bujaria dhe durimi i qiradhënësve.
“Shumë operatorë për momentin po punojnë pa qera apo thjesht kanë një marrëveshje verbale me pronarët për ta provuar dhe pak kohë. Nëse nuk do ketë një kthim të shpejtë në normalitet ky segment i tregut pritet të jetë më i godituri.”-shton Brahaj.
Brikena Zyli, Administratore e “My Home Real Estate” shpjegon se Covid-19 pati një ndikim mjaft të madh në tregun e pasurive të paluajtshme. Gjate kohës së karantinës nga të dhënat e kësaj kompanie rezulton se kërkesat për marrje me qira apo blerje, ranë në pothuajse 80 % .
“Vetëm në dy javët e fundit, kërkesat kanë filluar përsëri. Sigurisht nuk janë në nivelin që kanë qenë para pandemisë, sepse edhe ekonomia dihet që ka rënë për shkak të papunësisë gjatë Covid-19. ”-shton Zyli.
Tregu i pasurive të paluajtshme gjatë pandemisë së Covid-19 ka pësuar goditjen kryesore tek qiratë. Kjo ka ndodhur, sepse shumë persona gjatë kësaj periudhe, sidomos të ardhurit nga rrethet që kërkojnë një punë dhe jetë më të mirë në kryeqytet, e humbën punën për shkak të mbylljes së bizneseve.
“Gjatë kohës së pandemisë shumë biznese u mbyllën, ndaj edhe shumë
hapësira biznesi ngelën bosh. Dyqanet që kanë dalë në shitje dhe që janë të regjistruara rezultojnë më pak në krahasim me ato që jepen me qira.” -përfundon ajo.