.

.

BallinaFaktometerE vërtetëKriza energjetike, më në fund qeveria i hap rrugë bilancit vjetor për fotovoltaikët

Kriza energjetike, më në fund qeveria i hap rrugë bilancit vjetor për fotovoltaikët

Nga fillimi i vitit të ardhshëm, bizneset që kanë instaluar impiante fotovolatike për vetëkonsum do të kenë bilanc vjetor dhe jo mujor sikurse e kanë aktualisht. Me këtë skemë, një biznes që ka të instaluar panele diellore për vetëprodhim, mund ta marrë energjinë e tepërt që prodhon në verë edhe në dimër, apo anasjelltas. Ministria e energjisë e pranoi kërkesën për ndryshimin e skemës, gati një vit pas kërkesës së grupeve të interesit, në një kohë që sigurimi i energjisë elektrike është kthyer në sfidë për shkak të kostove të larta që ka sjellë kriza globale.

“Është një problematikë që mund ta adresojmë dhe netimi vjetor mund të aplikohet.”- deklaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku më 16 shtator 2022, duke e lënë të hapur mundësinë e plotësimit të një prej nevojave kryesore që vetëprodhuesit e energjisë fotovoltaike i kanë adresuar qeverisë gati një vit më parë.

Në nëntor të 2021, autoprodhuesit e energjisë diellore iu drejtuan me një listë të gjatë kërkesash qeverisë, e cila përfshinte edhe vendosjen e një bilanci vjetor neto. Grupit të punës, që u ngrit për vlerësimin e këtyre kërkesave iu desh thuajse një vit për të pranuar ndryshimin e skemës së bilancit neto të energjisë, nga mujor në vjetor.

Në një takim me përfaqësuesit e organizatave të biznesit dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, ministrja Balluku tha:

“Duke filluar nga 1 janari 2023, në bazë të të gjitha ndryshimeve ligjore që ne do të adresojmë, do të kemi një netim vjetor të autoprodhimit dhe ky është një hap përpara.”

E thënë ndryshë, një biznes që ka të instaluar panele diellore për vetëprodhim, mund ta marrë energjinë që prodhon në verë edhe në dimër, apo anasjelltas.

“Një impiant me 100 kwh energji, në verë prodhon 200 kwh dhe në dimër prodhon 50 kwh. Aktualisht, nëse brenda muajit qershor, që është piku ti prodhon 30% më tepër se sa janë nevojat e tua energjia të ikën dëm, nuk ta njeh shteti. Ndërsa në dimër që prodhon 70% më pak se nevojat e tua, ti do ta paguash me lekë.”– sqaron për Faktoje Alban Zusi, Kryetar i Shoqatës së Eksportuesve duke shtuar se dhe ai vetë ka investuar në panele diellorë në bizneset e tij. Me ndryshimin e skemës, Zusi thotë se do të shtojë kapacitetet pasi e sheh me leverdi për ecurinë e biznesit.

“E kam bërë vetëm për 40% të nevojave, sepse po ta bëja më të madh, energjia e prodhuar tepër në verë më shkonte dëm se e merr shteti dhe nuk ma paguan. Dhe investimi në vend që të vetshlyhej për katër vite do gjashtë vite për t’u vetshlyer. Tani unë do futem dhe do e bëj për 100% të nevojave. Sepse edhe po e prodhova tepër në verë, e hedhim në rrjet edhe ma kthen qeveria në dimër. Ose mbase atë të verës ma paguan me çmimin e verës, por nuk më shkon e humbur.” – thekson Zusi.

Krahas bizneseve vetëprodhuese, rishikimi i netimit nga mujor në vjetor është kërkuar vazhdimisht edhe nga kompanitë që merren me shitjen dhe instalimin e paneleve. Anduel Çekrezi, përfaqësues i kompanisë ‘Euroelektra’, që merret me zhvillimin e projekteve fotovoltaike, thotë se ndryshimi i skëmës do të nxisë më tej investimet në këtë fushë, pasi kthimi i investimit bëhet më i shpejtë.

Kalimi i skemës së matjes neto nga mujore në matje neto vjetore për vetëprodhuesit do të ishte një plotësim shumë i mirë dhe i duhur për këtë kategori, pasi aktualisht të gjithë atë prodhim që kanë nga tepricat mujore i humbet, sidomos gjatë muajve të verës.” – shton ai për Faktoje.

Edhe Rako Paja, Administrator në kompaninë ‘AR Ecoenergjia’ ndan të njëjtin argument.

Interesi për të instaluar impiante fotovoltaike është dyfishuar, nxitur edhe nga kriza e energjisë, por edhe nga zhvillimet në tregun e brendshëm ku bizneset në treg të lirë po blejnë energji me çmime disa herë më të larta se më parë. Vendosja e bilancit vjetor do të jetë një shtysë më e madhe për të investuar në këtë drejtim, jo vetëm nga bizneset, por edhe familjarët.” – thekson Paja për Faktoje.

raportin vjetor të 2021, Enti Rregullator i Energjisë raportoi se vetëprodhuesit e lidhur në rrjet siguruan një të katërtën e konsumit të energjisë elektrike vetë, përmes paneleve diellore.

“Nga të dhënat e grumbulluara rezulton se në total gjatë vitit 2021, vetëprodhuesit kanë gjeneruar nje sasi prej rreth 2,674,615 KW gjatë 8 mujorit të parë të 2021. Energjia që është furnizuar nga FSHU për këta vetëprodhues, për të njëjtën periudhë është në masën 7,738,233 KW.”- shkruhet në raport.

Aktualisht Durrësi, Tirana dhe Elbasani janë zonat me më shumë njësi fotovoltaike të instaluara për vetëprodhim, por ndryshimi i skemës i hap rrugën zgjerimit të tyre në të gjithë vendin.

(Enti Rregullator i Energjisë, Raporti 2021)

 

Fotografia kryesore e marrë nga webi.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img