Pretendimi: Kjo foto tregon një grup grash në Francë duke grisur rrobat e një gruaje të veshur jashtë normave morale

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————-

Një foto bardhë e zi pretendohet se tregon disa gra në Francë duke grisur fustanin e një gruaje tjetër sepse ajo ishte veshur jashtë normave morale.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se foto e mësipërme është shkrepur në 1947 në Paris nga fotografi Walter Carone. Diçitura e fotos shpjegon “pariziene duke grisur një fustan Christian Dior nga modelja.”

Në 1947, shtëpia e modës Christian Dior nxorri në treg koleksionin e saj të parë, rrobat e së cilit përdornin copë me tepri, sidomos në kontekstin e pas-Luftës së Dytë Botërore dhe rrënimit që ajo la pas.

Në këtë kontekst, grupi i grave të moshuara në foto, të cilat mbanin mend kohën kur duhet të mjaftoheshin me pak gjatë luftës dhe të arnonin veshjet, është përshkruar në histori si të indinjuara nga shpërdorimi i copës në fustanet e Dior.

Sipas historianëve Antony Beever dhe Artemis Cooper, incidenti ndodhi gjatë një sesioni fotografik të organizuar për të shfaqur rrobat e Dior në një treg rrugor në lagjen Montmartre në Paris.

“Rrobat u dërguan në Montmartre në kuti të mëdha paketimi prej druri me një kamion të vogël. Modelet u ndërruan në dhomën e pasme të një lokali. Por kur, krenare dhe plot hir, e para doli në tregun e rrugës Lepic, efekti ishte elektrik. Rruga ra në një heshtje të parehatshme; dhe më pas, me një britmë zemërimi, një shitëse tezge u hodh mbi modelen më të afërt, duke e ofenduar. Një grua tjetër iu bashkua dhe së bashku e rrahën vajzën, i grisën flokët dhe u përpoqën t’i hiqnin rrobat. Modelet e tjera bënë një tërheqje të nxituar drejt lokalit dhe brenda një kohe shumë të shkurtër rrobat dhe modelet po ktheheshin në sigurinë e Avenue Montaigne.”

Në librin Little Book of Dior, shfaqen edhe foto të tjera të këtij incidenti, i cili përshkruhet kështu: “Në 1947, parizienet ishin të indinjuara nga sasia e copës që po përdorej në fustanet e Pamjes së Re të Dior pas racionimit të copës në kohën e luftës, dhe në shenjë proteste u përpoqën të grisnin fustanet nga modelet.”

Ndër vite, është spekuluar gjithashtu se ky incident ishte, në të vërtetë, një inskenim publicitar i markës së njohur të modës.