Në komunikimin e radhës për mediat, mbrëmjen e 27 prillit, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara, KRIIK prezantoi gjetjet nga vëzhgimi i procesit të numërimit.
Sipas raportimit të vëzhguesve, vihej re një angazhim i komisionerëve për të përfunduar numërimin për subjektet dhe për të vijuar gjatë 28 prillit me atë për kandidatët, ashtu siç u kërkua nga Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi.
Githashtu KRIIK përshëndeti vendimin e KQZ pas incidentit në ZAZ 30 në Tiranë, për shfuqizimin e akreditimit të të gjithë vëzhguesve politikë dhe dhënien e akreditimeve të reja, për të siguruar prezencë të kontrolluar të forcave politike në vendet e numërimit të votave. Shqetësimi për praninë e personave të paautorizuar, u raportua nga KRIIK që në 25 prill në qendrat e votimit, prani e cila ka vijuar edhe gjatë ditëve pasardhësë gjatë procesit të numërimit.
KRIIK bëri thirrje që të gjitha partitë politike garuese, pavarësisht rezultateve paraprake, të presin me durim mbylljen përfundimtare të procesit, duke respektuar rigorozisht të gjithë antarët, komisionerët, vëzhguesit, median etj, që të bëjnë punën e tyre.
Gjatë raportimit KRIIK përsëriti shqetësimin për numrin e lartë të fletëve të pavlefshme të votimit, që deri mbrëmjen e 27 prillit raportohej të ishin 81 952.