Imazhi i një kampi me tenda me flamuj izraelitë po qarkullon në rrjete sociale si dëshmi për largimin e izraelitëve pas sulmeve të Hamas. Verifikimi i Faktoje zbuloi se ky imazh është gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale (AI).
—————————————————-
Ndërsa bombardimet izraelite në Gaza po hyjnë në javën e tyre të pestë, në rrjete sociale po qarkullon një imazh që duket se tregon një kamp refugjatësh. Tendat e këtij kampi mbajnë njgyrat dhe simbolikën e flamurit të Izraelit duke lënë të kuptohet se izraelitët po largohen si refugjatë pas sulmeve të Hamas.
Që në pamje të parë, vërrejmë disa gjëra që nuk shkojnë në këtë imazh. Si fillim flamuri në pjesën e sipërme të fotos, megjithëse i përngjan atij izraelit, mban dy Yje Davidi, ndërsa flamuri i vërtetë ka vetëm një yll në mes.
Këto përçudnime të detajeve janë zakonisht tregues se një imazh është gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale (AI).
Me anë të programit AI or Not, Faktoje konfirmoi se imazhi i mësipërm është prodhim i AI.
Sipas qeverisë izraelite, mbi 200 mijë izraelitë janë zhvendosur brenda vendit. Gjysma e tyre janë evakuuar nga 105 komunitete pranë kufijve me Gazën dhe Libanin, ndërsa pjesa tjetër janë larguar me vullnetin e tyre nga zonat pranë frontit.
Ndërkohë, Zyra e OKB për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) raporton se në Gaza ka rreth 1.4 milionë persona të zhvendosur brenda vendit. Gati 580 mijë prej tyre po strehohen në vendstrehime emergjence, në të cilat mbipopullimi mbetet shqetësim. Numri mesatar i personave në vendstrehime ka tejkaluar me mbi 2.5 herë kapacitetin e tyre.
Fotot e botuara nga mediat ndërkombëtare tregojnë kampe me tenda të thjeshta të bardha ose bezhë, të cilat nuk i ngjasojnë aspak imazhit që po qarkullon në rrjet.
Kampi palestinëz në Khan Younis