.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKrevatët prej kartoni në Olimpiadën e Parisit nuk pengojnë seksin e atletëve

Krevatët prej kartoni në Olimpiadën e Parisit nuk pengojnë seksin e atletëve

Pretendimi: Atletët në Olimpiadën e Parisit do të flenë në krevate kartoni për të mos kryer seks

Verdikti: Mungon konteksti

Lojërat Olimpike që do të zhvillohen këtë verë në Paris kanë ngjallur interes në media dhe rrjetet sociale për sigurinë dhe detajet e tjera të organizimit të tyre nga vendi mikpritës. Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se krevatët e atletëve në këtë organizim janë bërë me materiale prej kartoni, në mënyrë që të pengojnë kryerjen e marrëdhënieve seksuale.

Lojërat Olimpike: Në Paris kanë mbërritur shtretër të veçantë… kundër seksit. Bëhet fjalë për shtretër, të cilët janë të vegjël dhe të bërë me materiale të tilla që të pengojnë atletët të bëjnë seks”- shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Por, si qëndron e vërteta e këtyre pretendimeve? Në lidhje me këto informacione që kanë qarkulluar online, ka reaguar për AFP një zëdhënës i Lojërave Olimpike në Paris.

Në reagimin zyrtar ai ka sqaruar se shtretërit e atletëve për Lojërat Olimpike të Parisit të këtij viti janë zgjedhur për ndikimin e tyre mjedisor, jo për të parandaluar konkurrentët të bëjnë seks.

“Ne e dimë se media është argëtuar shumë me këtë histori që nga Tokio 2020, por për Paris 2024, zgjedhja e këtyre shtretërve për Fshatin Olimpik dhe Paralimpik lidhet kryesisht me një ambicie më të gjerë, për të siguruar ndikim minimal mjedisor dhe një riciklim për të gjitha pajisjet”, tha një zëdhënës i Lojërave të Parisit për AFP.

Zëdhënësi i Lojërave të Parisit nënvizoi se: “Cilësia e mobiljeve është testuar rigorozisht për t’u siguruar se është e fortë, e rehatshme dhe e përshtatshme për të gjithë atletët që do ta përdorin atë dhe që përfshin një gamë shumë të gjerë të përmasave trupore, nga gjimnastët tek xhudistët”.

Arsyeja e vërtetë e prodhimit të këtyre shtretërve është në fakt qëndrueshmëria, pasi këto materiale u zgjodhën për t’u ricikluar. Ato mund të mbajnë një peshë deri në 200 kg dhe janë: “më rezistente se druri ose çeliku” sipas “Airweave”, kompania përgjegjës për prodhimin e 18,000 shtretërve për Tokio 2020.

Atletët do të flenë në krevate tek, dy ose tre në një dhomë, në fshat, një kompleks i sapondërtuar pranë stadiumit kryesor të atletikës në një periferi veriore të kryeqytetit.

Pas Lojërave, kornizat e krevatit do të riciklohen, ndërsa dyshekët dhe jastëkët do t’u dhurohen shkollave apo shoqatave.

Pretendimet në lidhje më këto krevatë u shpërndanë fillimisht në tabloidin e “New York Post” me titull: “Shtretërit ‘anti-seks’ kanë mbërritur në Lojërat Olimpike të Parisit” dhe më pas lajmi qarkulloi gjerësisht në mediat sociale.

Pretendime të ngjashme u bënë virale edhe përpara Lojërave Olimpike të Tokios, ndonjëherë të nxitura nga vetë atletët. Në ato Lojëra, gjatë pandemisë së koronavirusit, organizatorët, u kërkuan atletëve që: “të shmangin format e panevojshme të kontaktit fizik”.

Për herë të parë në një shekull, Franca do të presë Lojërat Olimpike “Paris 2024”, të cilat do të zhvillohen nga 26 korriku 2024 deri më 11 gusht 2024.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img