.

.

BallinaUncategorizedKQZ nuk vendosi se kush do të jetë kryetari i PD

KQZ nuk vendosi se kush do të jetë kryetari i PD

Beteja e hapur mes dy grupimeve të Partisë Demokratike ka sjellë një lumë lajmesh që më shumë sesa sqarojnë situatën, e komplikojnë atë edhe më shumë. I tillë është interpretimi i mediave mbi vendimin e KQZ-së për regjistrimin e PD në zgjedhje, duke e quajtur atë një “vendim” të KQZ-së edhe pse kjo e fundit nuk ka asnjë fuqi vendimmarrëse mbi rastin.

Jona Plumbi

Situata e krijuar brenda Partisë Demokratike, e cila prej muajsh paraqitet se funksionon me struktura paralele që nuk e njohin njëra-tjetrën, ka ardhur në një pikë kritike tashmë që jemi dy muaj përpara zgjedhjeve. Në një anë është Partia Demokratike që njeh si kryetar të saj Sali Berishën, si dhe një tjetër Parti Demokratike e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, pas dorëheqjes publike të Lulzim Bashës.

Beteja e këtyre dy PD-ve, e cila është reduktuar në pritjen e një vendimi gjykate që do vendosë përfundimisht se cili është kryetar i Partisë Demokratike, ka përfunduar në një tjetër institucion që nuk ka tagër vendimmarrës, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Pre e kësaj loje politike kanë rënë edhe mediat në vend, të cilat në vend që të japin një interpretim shterues të situatës që tashmë është e komplikuar, e vështirësojnë edhe më shumë kuptimin e saj nga lexuesit. Kështu, vendimin që KQZ mori gjatë seancës së 14 marsit, për regjistrimin e partive politike në zgjedhje, disa nga mediat si Report TV, SOT dhe Alfapress e kanë interpretuar si një vendimmarrje për përcaktimin se kujt i takon ligjërisht drejtimi i Partisë Demokratike.

“Faktoje” sjell një numër faktesh publike, të cilat vërtetojnë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, e aq më pak Komisioneri Shtetëror Ilirjan Celibashi, nuk kanë asnjë mundësi vendimmarrjeje mbi kryetarin e një partie politike.

Si fillim, ishte vetë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve që gjatë seancës ku shqyrtohej regjistrimi apo jo i Partisë Demokratike në zgjedhje, theksoi disa herë faktin se KQZ nuk vendos mbi kriterin e kryetarit të partisë.

“Biem të gjithë dakord që nuk është KQZ organi që vendos kush është drejtues i një partie politike. Këtë duhet ta marrë nga një palë e tretë. E ka përcaktuar ligji për partitë politike organin që vendos për organet drejtuese të një partie politike. Kjo është gjykata. Do të thotë që është gjykata dhe një dokument që vjen nga gjykata që përcakton kush është drejtuesi i një partie politike.” – tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi gjatë seancës së vlerësimit të regjistrimit të partive politike.

Kjo u bë e qartë që në nisje të seancës, pasi pavarësisht se në KQZ kishin shkuar dy kërkesa për regjistrim në zgjedhje, njëra nga Partia Demokratike e përfaqësuar nga Alibeaj, dhe një tjetër nga Partia Demokratike e Shqipërisë, e përfaqësuar nga Sali Berisha, KQZ i konsideroi ato si një kërkesë e vetme. Kjo sepse pavarësisht vijimit të seancave gjyqësore për legjitimitetin e “vulës” së PD-së, deri në momentin që gjykata do të dalë me një vendim tjetër, vendimi i fundit mbetet në fuqi dhe në regjistrin e Gjykatës së Tiranës ka vetëm një Parti Demokratike të regjistruar.

Këtë theksoi edhe KQZ përpara dy përfaqësuesve ligjorë të PD-së së përçarë.

“Në nenin 9 për partitë politike thuhet që regjistrimi bëhet në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë që mban regjistrin e partive politike ku shënohet numri rendor i regjistrit, numri i aktit, emri i plotë i partisë, iniciale dhe emri i kryetarit. Ky është dokumenti zyrtar që tregon që një parti politike është e regjistruar dhe cili është drejtuesi i një partie politike.” – sqaroi Komisioneri Celibashi në seancë.

Një tjetër fakt publik i seancës së KQZ që tregon qartë se ky institucion nuk mori asnjë vendim lidhur me kryesimin e Partisë Demokratike, është interpretimi që vetë komisioneri Celibashi dha gjatë seancës.

“Anëtarësia e një partie politike mund të njohin për drejtues këto që ata çmojnë dhe vlerësojnë se mund të jetë kryetar por ligji, ajo që merret në referencë është dokumenti zyrtar. Në perceptimin tim Sali Berisha është kryetar i PD por kjo nuk ndryshon asgjë në ligj. Gjykata tregon një fakt të ndryshëm nga ajo që ne perceptojmë dhe jemi të detyruar të marrim në konsideratë atë që përfaqësohet në një dokument zyrtar.” – deklaroi Celibashi.

Në përfundim të seancës, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi njoftoi përfaqësuesit ligjorë të Partisë Demokratike, se përsa kohë në Gjykatën e Tiranës nuk ka një dokument që zyrtarizon emërimin e një kryetari të ri të Partisë, atëherë ligji ia ngarkon kryetarit aktual disa detyrime, si firmosja e një dokumenti që tregon angazhimin e Partisë për të mos u përfshirë në veprimtari të paligjshme gjatë zgjedhjeve.

Për këto arsye, por edhe të tjera që kanë të bëjnë me mënyrën se si organizohet një parti politike në Shqipëri, është e qartë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk merr asnjë vendim lidhur me cili është kryetari i një partie politike, pasi ky është tagër i Gjykatës së Tiranës.

Njëkohësisht, ajo që vlen të theksohet është se edhe pse për Gjykatën e Tiranës, dorëheqja e dhënë publikisht nga Lulzim Basha nuk regjistrohet si dokument ligjor, pasi gjykata regjistron vetëm emërimin e ri të kryetarit, sipa ligjit të vetë Partisë Demokratike, që është statuti i partisë, Lulzim Basha nuk mund të vijojë të jetë kryetar i Partisë Demokratike. Neni 46 i statutit të Partisë Demokratike shpjegon mënyrën se si plotësohet vakanca e lënë nga dorëheqja e kryetarit të partisë.

Statuti i Partisë Demokratike

Për këtë arsye, vendimi i KQZ-së për të njohur ligjërisht vetëm dokumentet e lëshuara nga institucionet e shtetit shqiptar, në këtë rast nuk tregon aspak se kush po e drejton apo do ta drejtojë Partinë Demokratike, e cila e ngecur në një ngërç ligjor prej muajsh, bëhet në vazhdimësi objekt i interpretimeve të ndryshme.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img