JOEL ÇELA
Me hyrjen në fuqi të masave shtrënguese kundër përhapjes së COVID-19, u pakësuan ndjeshëm veprat penale, të raportuara nga policia. Ndërsa rritet numri i gjobave administrative për shkelësit e masave kufizuese, ulja e kriminalitetit për marsin e këtij viti, ishte në atë shkallë sa ndikoi në përmirësimin e shifrave të tremujorit të parë të 2020 në krahasim me një vit më parë. Si e shpjegojnë ekspertët këtë fenomen?
Masat e qeverisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 kanë kufizuar disa të drejta dhe liri gjatë këtij muaji. Por kur “Faktoje” vëzhgoi komunikatat ditore të Policisë së Shtetit që prej javës së dytë e deri në fund të muajit mars konstatoi rënie të numrit të veprave penale të regjistrura në të gjithë territorin e vendit.
Sipas Policisë së Shtetit gjatë marsit janë regjistruar 1555 procedime penale gjithsej, me 276 të arrestuar. Krahasuar me muajin shkurt, kur u regjistruan 2059 vepra penale me 492 të arrestuar, vërejmë një ulje të ndjeshme të shifrave. Po t’i referohemi më tej janarit, me 2777 vepra penale, në mars kriminaliteti thuajse është përgjysmuar.
Nisur nga këto shifra, “Faktoje” kontaktoi Drejtorin e Policisë së Tiranës, zotin Rebani Jaupi, i cili rendit një sërë faktorësh që kanë ndikuar sipas tij në rënien e numrit të procedimeve penale dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.
“Mbajtja në kontroll të vazhdueshëm e personave me precedentë kriminalë, duke aplikuar format dhe metodat speciale të punës, ndërsa kufizimi i lëvizjes së automjeteve ka ndikuar në reduktimin e aksidenteve rrugore.”-tha për “Faktoje” drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë.
Duke iu referuar raporteve mujore të Ministrisë së Brendshme, diferenca dallohet edhe në krahasimin e tremujorin e vitit 2020 me një vit më parë.
Veprat penale të kryera përgjatë tremujorëve të parë të viteve 2019 dhe 2020
Nëse deri në fund të shkurtit, kishim një numër më të lartë krimesh krahasuar me 2019-n, ky trend është përmbysur nga shifrat e muajit mars, i cili ka ndryshuar shifrat e gjithë 3 mujorit. Si rezultat në fund të këtij tremujori kemi mbi 1100 krime më pak se të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Faktoje” bisedoi edhe me zotin Arben Hajdarmataj, ish-drejtues në Policinë e Shtetit, i cili mendon se situata që po kalon vendi, për shkak të pandemisë është padyshim faktori kryesor që ka çuar në rënien e kriminalitetit muajin e fundit. Vetëkarantinimi i personave me rekorde kriminale, ndërprerja e kontakteve fizike dhe pamundësia praktike për të kryer aktivitet kriminal, kanë ndikuar sipas zotit Hajdarmataj.
Krimi i grabitjes së banesave për shembull, është i pamundur për shkak të izolimit të njerëzve, gjithashtu ndalimi i lëvizjës me automjet që do t’i mundësonte autorit, kryerjen e aktivitet kriminal, ka ndikuar sipas shpjegimit të ekspertit.
Megjithatë, zoti Hajdarmataj vë në dukje se edhe mosraportimi i krimeve mund të jetë një faktor:
“Vëmendja e mediave nuk është shumë e fokusuar tek aktivitetet kriminale, po tek situata që po kalon vendi. Dhe ne shumicën e rasteve ne si publik, nuk kemi mundësi të marrim vesh për ndonjë krim në qoftë se nuk e publikon media pasi kemi pasur shume raste që Policia nuk i ka raportuar ngjarjet.”-tha Hajdarmataj për “Faktoje”.
Ndër krimet që mbeten brenda mureve të shtëpisë, është dhuna në familja e cila, veçanërisht gjatë kësaj periudhe mund të mos raportohet. Nga vëzhgimi i shifrave të raportuara lidhur me këtë vepër penale për tremujorin e parë të 2020 dhe atë të 2019-s muajt shkurt dhe mars kanë shënuar rënie të procedimeve, krahasuar me një vit më parë.
Rastet e dhunës në familje të tremujorëve të parë të viteve 2019 dhe 2020
Megjithatë vërehet një rritje e procedimeve nga policia për dhunë në familje gjatë muajit mars krahasimisht me shkurtin e këtij viti. Nga ana tjetër, dhuna në familje në marsin “e karantinës” është më e ulët se në janarin e vitit 2020 dhe në tre muajt e parë të vitit të kaluar.
*Për shkak të formatit të raporteve, data 29 shkurt është llogaritur në shifrat e muajit mars