.

.

Konviktet e harruara të Qytetit Studenti

Kushtet në konviktin nr. 24/25 në Qytetin Studenti janë jashtë standardeve, edhe pse në një përgjigje zyrtare Bashkia Tiranë konfimoi se godina kishte pasur rikonstruksion të pjesshëm. Verifikimi për Faktoje dhe dëshmia e një studenteje që banon në konvikt, tregoi se premtimi i disa viteve më parë për rikonstruksionin e mjediseve të përbashkëta dhe nyjeve sanitare, ende nuk është mbajtur.

Armanda Dushku, studente

Qyteti Studenti për vite me rradhë ka qenë një nga zonat më të populluara me studentë, të ardhur nga çdo cep i Shqipërisë. Pavarësisht mendimeve jo pozitive rreth jetesës në konvikt, ai është gjithmonë plot.

3 vite më parë Bashkia Tiranë filloi punimet në ambientet e Qytetit Studenti, me premtimin se të gjitha godinat do rikonstrukturoheshin dhe punimet do fokusoheshin tek mjediset e përbashkëta, sallat e leximit dhe nyjet sanitare.

Pas një vëzhgimi në këto ambiente, duket se 3 vite më vonë, punimet kanë përfshirë vetëm disa godina. Të tjerat, janë të lëna në harresë duke pasqyruar imazhin e konvikteve tipike të viteve më parë.

Alesia, është studentja që jeton në Qytetin Studenti e cila ka zgjedhur konviktin dhe pranoi të na tregonte kushtet në të cilat jeton në konvikt.

Këtë vit akademik, 19 vjeçarja e cila shkon edhe në punë, është e vendosur në godinën 24/25, ku banojnë vetëm vajza. Alesia pati shumë për të na treguar, duke vënë në fokus ankesat dhe shqetësimet që e mundonin pas pyetjeve që i drejtuam.

Pse në Qytet Studenti?

Shkolla ku studioj është shumë afër me konviktet, dhe çmimet e shtëpive me qira janë të papërballueshme për mua. Momentalisht për konviktin paguaj 45 mijë lekë të vjetra në muaj, çmim i përballueshëm, por me kushte në nivelin më të ulët. Godinat e tjera me kushte më të mira, janë të zëna dhe nuk kam zgjidhje tjetër, përveçse të qëndroj këtu.

Si është gjendja e godinës dhe dhomës tënde?

Skandaloze! Në godinë mungojnë kushtet minimale, na sigurohen vetëm 4 mure dhe një tavan. Dhoma jonë ka dy krevate, 2 rafte në mur, një dollap pa asnjë raft brenda dhe një tavolinë. Pllakat janë të vjetra dhe materiali i mureve shpërbëhet dita ditës.

Sistemi i ngrohjes nuk funksionon, dhe detyrohem të shpenzoj para ekstra për pajisje me të cilat mund të ngrohem.  Ujë ka, por vetëm të ftohtë. Dushet janë me orare, prandaj kur kthehem nga puna, i gjej të mbyllura. Për t’u larë me ujë të ngrohtë, zakonisht përdorim ibrikun. Tualtet janë të përbashkët, dhe në shumicën e rasteve, të papastra.

E kishe menduar kështu jetesën në konvikt? E gjen aty rehatinë e një shtëpie?

Në tetorin e vitit të shkuar, nuk ia kisha idenë fare gjendjes së konvikteve, ma kishin përshkruar të tjerët. Kur erdha këtu, u përballa me situatë shumë ndryshe.  Nuk i përafrohet fare shtëpisë dhe rehatisë që gjen aty. Nuk mund të gatuaj, nuk mund t’i vë ushqimet në frigorifer, nuk mund të bëj dush kur dua unë, nuk mund të kaloj një dimër të ngrohtë në dhomë. Nuk ka një vend për tharjen e rrobave të lara, për të mos përmendur lavamanin thuajse të prishur që na duhet të përdorim cdo ditë.

Ke ndonjë plan për t’u shërngulur, për të gjetur një vend më të mirë?

Besoj që do vazhdoj të jetoj këtu, sepse rroga ime momentale është 25 mijë lekë të vjetra në muaj, dhe nuk mund të përballoj një shtëpi me qera.

Nisur nga shqetësimet e studentëve, ne iu drejtuam Bashkisë Tiranë me një kërkesë për informacion, ku kërkuam se çfarë lidhur me përpirësimin e gjendjes së godinave. Në përgjigjen e Bashkisë mes të tjerash thuhet:

“Në territorin e Qytetit Studenti janë 29 konvikte, ku 17 janë në funksion të studentëve, 4 në rikonstruksion dhe 3 në rindërtim, si dhe 5 konvikte të cilat nisin procesin e rikontruksionit. Konviktet Nr. 5, 9, 10, 24, 25, 26, 27, 28 dhe 29 janë rikonstruktuar në mënyrë të pjesshme duke rikonstruktuar nyjet sanitare, ambientet e higjienës personale.“

Edhe pse godina 24/25 është mes atyre pjesërisht të rikonstruktuara sipas Bashkisë, verifikimi në terren tregoi të kundërtën.

Tualetet e përbashkëta në godinën 24 të Qytetit Studenti

Situata në tualetet e përbashkëta në godinën 24, Qyteti Studenti

Bazuar në përgjigjen e bashkisë, e njëjta godinë është mes atyre që do t’i nënshtrohen rikonstruksionit të plotë në kuadër të projektit me qeverinë gjermane KFW. Megjithatë nuk jepet një afat se kur do të fillojë ky proces.

Bazuar në përgjigjen e bashkisë, e njëjta godinë është mes atyre që do t’i nënshtrohen rikonstruksionit të plotë në kuadër të projektit me qeverinë gjermane KFW. Megjithatë nuk jepet një afat se kur do të fillojë ky proces.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që premtimin 3 viteve më parë të kryebashkiakut, Veliaj se të gjitha konviktet do të rikonstruktoheshin, ta kategorizojmë të pambajtur.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img