Pretendimi: Qeveria amerikane konfirmoi se alienët jetojnë të fshehur në oqean

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————–

Në mediat shqipfolëse po qarkullon pretendimi se qeveria amerikane ka konfirmuar ekzistencën e alienëve, të cilët jetojnë në oqeane.

Ky pretendim duket se bazohet në një seancë dëgjimore mbi hulumtimet qeveritare të fenomeneve anormale të paidentifikuara (UAP) që u mbajt më 13 nëntor 2024 nga Komisioni i Mbikëqyrjes dhe Përgjegjshmërisë së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA.

Qëllimi i seancës, thuhet në njoftimin për shtyp, ishte të “kërkonte transparencë nga dega ekzekutive dhe agjencitë e inteligjencës, të cilat kanë ruajtur prej kohësh sekretin maksimal në lidhje me informacionin e klasifikuar mbi UAP.” Ky term i referohet “avionëve të paidentifikuar”, një akronim që vitet e fundit ka zëvendësuar termin e mëparshëm UFO, që do të thotë “objekte fluturuese të paidentifikuara.”

Prezenca e pretenduar e “alienëve” në oqean u soll gjatë seancës nga gazetari Michael Shellenberger, një nga katër dëshmitarët e thirrur nga Komisioni të grupit të personave publikë që konsiderohen si ekspertë të UAP.

Shellenberger u pyet (në minutën 01:53:35 të kësaj video) – nga republikania Lauren Boebert nëse ka ndonjë dëshmi që mund të tregojë një bazë ose prani të UAP nën sipërfaqen e oqeanit. Gazetari u përgjigj se nuk kishte dëgjuar për një bazë aliene nënujore, por tha se një burim (i pa cituar hapur) përshkruante një “sferë që dilte nga oqeani dhe pritet nga një sferë tjetër.”

Siç theksoi The Guardian, dëshmia e Shellenberger, si ajo e tre dëshmitarëve të tjerë, nuk bazohet në ndonjë provë konkrete për të mbështetur atë që ai tha.

Mungesa e provave konkrete ka qenë një problem konsistent për ata që besojnë se qeveria amerikane po strehon UAP. Njësoj, edhe seanca e 13 nëntorit u fokusua sërish në dëshmitë e personave që thanë se ishin në dijeni të programeve sekrete të qeverisë, në vend që të paraqisnin prova konkrete.

Një deklaratë nga një zëdhënës i Pentagonit tha se departamenti “nuk ka gjetur asnjë provë të verifikueshme që ndonjë vëzhgim i UAP përfaqësonte aktivitet jashtëtokësor dhe departamenti nuk ka zbuluar ndonjë informacion të verifikueshëm për të vërtetuar pretendimet se ndonjë program në lidhje me posedimin e materialeve jashtëtokësore ka ekzistuar në të kaluarën ose ekziston aktualisht”.

Qeveria amerikane në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast nuk e ka mbështetur tezën e Shellenberger-it, prandaj nuk ka “konfirmuar që alienët vijnë nga oqeani.”

Raporti i fundit i qershorit 2024 mbi UAP i hartuar nga Departamenti i Mbrojtjes nuk i referohet ndonjë origjine të mundshme oqeanike. Në vend të kësaj, ai shpjegon se Pentagoni ka marrë qindra raporte të reja për fenomene ajrore të paidentifikuara dhe të pashpjegueshme, por që asnjë tregues nuk sugjeron një origjinë jashtëtokësore.